Abdixhiku: Qëndrimi ynë për presidentin nuk ndryshon

7 Qershor 2026 | 23:40

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vlerësuar se ka shënuar rritje të konsiderueshme në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke e cilësuar rezultatin preliminar si fillim të ringritjes së partisë.

Në konferencën për media pas publikimit të rezultateve preliminare, kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku,  bëri të ditur se partia e tij nuk do të heqë dorë nga kandidatura e Vjosa Osmanit për presidente në kuadër të diskutimeve për formimin e institucioneve të reja.

“Nuk do të kishte kuptim që të dilnim në fushatë me kandidaturën për presidente e më pas në konferencë për media pas përfundimit të zgjedhjeve t’i refuzonim në momentin e parë. Nuk është politikë e imja e as e LDK-së. Nuk kemi ndërmend të bëjmë kompromise me gjërat që kemi kërkuar mbështetje qytetare. Jemi të interesuar për stabilitet institucional. Ne kemi qenë të gatshëm për bisedime me të gjitha partitë shqiptare, përveç Listës Serbe. Dhe jemi të vetëdijshëm se çështja e presidentit do të jetë çështja e parë që do të diskutohet. Ne kemi kandidaten tonë dhe ajo do të jetë pikënisja e çdo bisedimi”, ka deklaruar Abdixhiku.  

Ai tha se qytetarët e Kosovës folën qartë përmes votës së tyre në një proces që, sipas tij, ishte i lirë, i qetë dhe demokratik.   “Kosova foli sot qartë. Qytetarët tanë folën me votë, folën lirshëm, folën qetë dhe demokratikisht. Në një rajon që njeh shumë tensione zgjedhore, Republika e Kosovës dëshmoi edhe njëherë pjekuri demokratike. Për këtë meritoni falënderim ju, të dashur qytetarë, që me pjesëmarrjen tuaj dhe me sjelljen tuaj e bëtë këtë ditë një festë të demokracisë së Kosovës. Demokracia e Kosovës forcohet pikërisht në ditë si kjo zgjedhore, kur vullneti i qytetarëve respektohet dhe institucionet funksionojnë. Në veçanti dua t’i falënderoj mbështetësit dhe votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, secilin qytetar që besoi te ne, që na dha mbështetje gjatë këtyre javëve, na hapi derën, na dha dorën, na dha zemrën dhe mbi të gjitha na dha besimin”, tha Abdixhiku.

Ai falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen në zgjedhje dhe mbështetësit e LDK-së për besimin e dhënë gjatë fushatës, duke theksuar se rezultati është produkt i angazhimit të strukturave të partisë, aktivistëve, kandidatëve, komisionarëve dhe vëzhguesve. “Ky rezultat i sotëm është reflektim i një bashkimi të madh njerëzor e politik. Është rezultat i një fryme të re që e kemi ndërtuar së bashku me Vjosa Osmanin. Është rezultat i punës së jashtëzakonshme dhe të palodhshme të strukturave tona, të kryetarëve të degëve, aktivistëve, grave, të rinjve, kandidatëve tanë, të 110 kandidatëve, komisionerëve, vëzhguesve që ruajtën votën dhe mbi të gjitha të qytetarëve që donin ndryshim në Kosovë”, u shpreh ai.

Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, tha se LDK-ja ka rritur bazën elektorale, ka siguruar 20 mandate dhe ka shënuar rritje prej pesë pikësh përqindjeje krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Ajo shtoi se partia pret rezultat edhe më të mirë pas numërimit të votave të mërgatës.

Osmani tha se rritja e LDK-së është arritur pavarësisht kohës së shkurtër në dispozicion për zhvillimin e fushatës zgjedhore.

“LDK-ja e rriti bazën elektorale për 34 për qind. Tani jemi në 20 mandate dhe me 5 pikë përqindje më shumë, që është rritja më e madhe që ka pasur nga të gjitha subjektet e tjera politike që kanë garuar në këto zgjedhje. Natyrisht se ky është vetëm hapi i parë i rritjes, por kjo na jep shpresë se jemi në rrugën e drejtë dhe me edhe më shumë punë në terren dhe afër qytetarëve tanë, besoj se LDK-ja do të vazhdojë të rritet në muajt në vijim”, tha ajo.

Osmani falënderoi institucionet e angazhuara në organizimin e procesit zgjedhor, duke vlerësuar se zgjedhjet dëshmuan fuqinë e demokracisë në Kosovë.

Sipas saj, qytetarët me votën e tyre kanë kontribuar në balancimin e skenës politike, duke refuzuar përçarjet dhe duke mbështetur konceptin e bashkimit.

“Përsëri kjo ka dëshmuar fuqinë e demokracisë në vendin tonë, edhe pse pjesëmarrja ka qenë më e ulët në këto zgjedhje në krahasim me zgjedhjet e tjera, gjë që është normale pasi qytetarët janë të lodhur nga proceset e shpeshta zgjedhore. Qytetari, me votën e vet, ka ndihmuar që të balancohet skena politike. Përmes votës i ka ndihmuar demokracisë, që ka qenë edhe thirrja jonë në këtë fushatë, dhe ka ndikuar që të refuzohet përçarja dhe të pranohet koncepti i bashkimit si vizion që e çon vendin përpara”, u shpreh ajo.

Osmani u shpreh optimiste se pas numërimit të votave të diasporës, LDK-ja do të shënojë rritje të mëtejshme në vota, përqindje dhe mandate.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në orën 22:00, me 96 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 43.22 për qind të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 21.28 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.76 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.09 për qind.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Analisti Peka: Osmani do jetë sërish Presidente, Vetëvendosje dhe LDK drejt koalicionit

Mbrëmjen e kësaj të diele pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë, për Review me Greta Topjanën në Euronews Albania analistët kanë komentuar rreth zhvillimit dhe...
00:39 | 08/06/2026

Kurti: Të gjithë garojnë, shumica votojnë e ne fitojmë

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpallur fitoren e partisë së tij para simpatizantëve të mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, pasi...
00:08 | 08/06/2026

Albin Kurti shpall fitoren: Kjo është dekada e qeverisjes së Vetëvendosjes!

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpallur fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit. Ai tha se rezultati konfirmon se...
00:07 | 08/06/2026