Rama për protestën: Problemi nuk janë flamingot, por sorrat dhe korbat që duan të marrin peng vendin

18 Qershor 2026 | 13:04

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestën qytetarë që po zhvillohet prej 18 ditësh në Tiranë.

Në një mesazh të gjatë në rrjetet sociale, Rama shprehet se ka mirëkuptim për qytetarët që janë bashkuar për shqetësime mjedisore, por akuzon aktorët politikë dhe zërat që, sipas tij, ushqehen me dezinformim, teori konspirative dhe refuzim të fakteve, se po përpiqen të instrumentalizojnë protestën dhe të marrin peng interesin publik.

Postimi i plotë i Ramës

RRUGA PËR NË FERR ËSHTË E SHTRUAR ME QËLLIME TË MIRA, thotë një fjalë shumë e moçme, dhe ka një arsye pse kjo shprehje ka mbijetuar për shekuj.

Ajo nuk i zhvlerëson qëllimet e mira. Përkundrazi. Qëllimet e mira janë A-ja e domosdoshme për krejt alfabetin e etikës së angazhimit publik. Por rruga e njerëzimit na mëson se qëllimet e mira assesi nuk mjaftojnë. Përkundrazi.

Historia është plot me zhvillime të nisura me sloganet më fisnike dhe emocionet më të sinqerta, por të përfunduara në intolerancë, fanatizëm apo shkatërrim, si rezultat i këputjes së lidhjes së perceptimit me realitetin, imagjinatës me faktet dhe shqetësimit me arsyen.

Prandaj nëse qëllimet e mira nuk i nënshtrohen provës së fakteve, nëse pasioni për ndryshim nuk drejtohet nga arsyeja dhe nëse bindjet e forta nuk shoqërohen me dëshirën për të dëgjuar, distanca mes mbrojtjes së një parimi, një qëllimi apo një kauze dhe shndërrimit të tyre në dogmë përjashtuese bëhet shumë e shkurtër. Dhe mu kështu, rruga për në ferr nuk shtrohet me qëllime të këqija, por me qëllime të mira që nuk pranojnë të maten me realitetin.

Unë kam simpati të sinqertë për këdo që në këtë protestë hyri nga alarmi i natyrës në rrezik. Madje kjo formë estetike e demonstrimit, me siluetat e flamingove rozë, më gëzon me hijeshinë që përndryshe do t’i mungonte një proteste qytetare për natyrën të kthyer ngutshëm në një demonstrim politik të skamur në ide, të varfër në argumenta, të degraduar në fjalor dhe të shëmtuar në bullizmin e tij rrugor apo digjital ndaj kujtdo që mendon ndryshe.

Por pikërisht kjo fotografi e bukur, më rikthen tek fjala e urtë e fillimit dhe “rruga e ferrit”.

Sepse problemi nuk janë flamingot. Qëllimi i tyre është i mirë. Problemi është se flamingot nuk pranojnë të dëgjojnë faktet, të diskutojnë zgjidhjet dhe të bashkërendojnë forcat me institucionet dhe me burimet serioze të ekspertizës, për të mbrojtur gjithçka duhet duke realizuar projektin e duhur. Kësisoj ata bëhen vegla e sorrave dhe korbave që i kanë rrethuar.

Unë i kam dëgjuar flamingot dhe i kuptoj ata. E respektoj pa paragjykim shqetësimin e tyre, pikërisht sepse ka qenë gjithnjë edhe i imi. Ajo që nuk arrij të kuptoj është pse flamingot nuk duan të ndahen nga sorrat që ushqehen me zhurmën, me shpifjen, me teoritë konspirative dhe korbat që me bullizmin e me refuzimin kategorik të çdo fakti, kërkojnë të marrin peng Shqipërinë?!

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama reagon për amendamentin e PE-së: Nuk ka lidhje me Zvërnecin apo Pishë Poro–Nartën

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me amendamentin e Parlamentit Europian, duke sqaruar se ai nuk ka lidhje me Zvërnecin apo me peizazhin e mbrojtur...
14:43 | 18/06/2026

Balla sfidon Marjana Koçekun: Ta provojë nëse e merr dot mandatin pa “grushtin dhe trëndafilin”

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi sot për herë të parë lidhur me vendimin e marrë nga deputetja Marjana Koçeku për...
14:24 | 18/06/2026

AMP godet një rast të gjobëvënies, masa sigurie për dy ish drejtues policie si dhe shefin e Policisë Bashkiake në Devoll

Dy ish-zyrtarë të Drejtorisë Rajonale Elbasan–Korçë dhe shefi i Policisë Bashkiake të Devollit janë vënë nën masa sigurie pasi dyshohen për përfshirje në një rast...
14:15 | 18/06/2026