Protesta qytetare në Tiranë, nis tubimi i 22-të para Kryeministrisë
Në Tiranë pritet të zhvillohet sot protesta e 22-të radhazi para godinës së Kryeministrisë, si pjesë e një serie tubimesh që kanë vijuar prej tre javësh në kryeqytet.
Qytetarët janë thirrur të mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej” në orën 19:00, nga ku më pas pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë. Organizatorët kanë deklaruar se në tubim do të kërkohet ndryshim i situatës politike dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Sipas organizatorëve dhe disa raportimeve, në protestë pritet të ketë pjesëmarrje edhe nga qytetarë të diasporës, të cilët kanë mbërritur në Tiranë për t’iu bashkuar tubimeve.
Gjatë protestave të ditëve të fundit është raportuar prani e shtuar e emigrantëve që jetojnë jashtë vendit, të cilët janë bashkuar me protestuesit në kryeqytet.
Tubimet e zhvilluara gjatë tre javëve të fundit konsiderohen nga organizatorët si një formë e vazhdueshme e shprehjes së pakënaqësisë qytetare, me fokus çështje që lidhen me korrupsionin, qeverisjen dhe emigrimin e të rinjve.
Rama nxjerr video e influencerave: Ne kemi Shqipërinë 2030
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video ku përmbledh një pjesë të madhe të influencerëve që kanë folur për protestën në rrjete sociale.
“Rama në postimin e tij në “Facebook” ka shkruar: PAK RELAKS me “Shqipërinë e re” të llajkefollouve të gunës????????????????
Ne kemi Shqipërinë 2030 në BE të shqiptarëve të punës????????????”
Berisha: Grisja e flamurit izraelit akt kriminal, të ndëshkohet autori
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e konsideroi grisjen e flamurit të Izraelit një akt kriminal dhe kërkoi ndëshkimin e autorit.
Me anë të një postimi në Facebook, Berisha shprehet se ky veprim është “një akt kriminal ekstremist, antisemit që bie ndesh me ndjenjat dhe lidhjet tradicionale që bashkojnë dy kombet dhe dy vendet tona”
“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe grisjen e flamurit të Izraelit të ngritur në ambasadën e këtij vendi si një akt kriminal ekstremist, antisemit që bie ndesh me ndjenjat dhe lidhjet tradicionale që bashkojnë dy kombet dhe dy vendet tona dhe kërkon ndëshkimin e merituar ligjor të autorit”, shkruan Berisha në rrjetet sociale.
Oganizatorët e protestës flasin për incidentin me flamurin e Izraelit: Mes nesh ka të infiltruar
Një prej nismëtarëve të protestës qytetare, Arben Kola, ka bërë deklarata të forta në prag të nisjes së tubimit, duke ngritur shqetësime për praninë e grupeve të infiltruar brenda lëvizjes.
Sipas Kolës, këto grupe po përpiqen të devijojnë qëllimin e protestës dhe t’i japin asaj karakteristika me prapavijë fetare apo kombëtare, gjë që sipas tij dëmton natyrën qytetare të nismës.
Ai paralajmëroi se identiteti i këtyre personave do të bëhet publik në ditët në vijim, ndërsa i bëri thirrje organeve të rendit dhe sigurisë që të ndërhyjnë në kohë, përpara se situata të dalë jashtë kontrollit të vetë organizatorëve të protestës.
“Mes nesh ka grupe të infiltruara që heqin perden dhe bashkohen me ne. Në ditët në vazhdim do i nxjerrim me fytyra dhe emra. I dimë grupet greke që operojnë këtu kundër Shqipërisë, grupet serbe po ashtu i dimë. Dimë edhe linjat fetare nga Turqia që duan t’i japin narrativë fetare protestës. Nuk do e zhbëjnë dot. Ky është vullnet i shqiptarëve,” deklaroi Kola.
Rama reagon për pjesëmarrjen e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të diel lidhur me protestën që po zhvillohet prej 21 ditësh në Tiranë, duke ndarë në rrjetet sociale postimin e një qytetareje dhe duke shprehur qëndrimin e tij mbi pjesëmarrjen e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në tubime politike në Shqipëri.
Në reagimin e tij, Rama thekson se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk mund të konsiderohen diasporë e Shqipërisë, pasi sipas tij ata janë popull shtetformues në vendin e tyre, ndërsa shqiptarët e Kosovës kanë shtetin e tyre të pavarur.
Kreu i qeverisë kritikoi ata që, sipas tij, po paraqiten në protestë si “diasporë” nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke pretenduar se përdorimi i simboleve kombëtare në këtë kontekst i shërben një qëllimi politik dhe dëmton imazhin e shqiptarëve në rajon.
Rama ngriti gjithashtu akuza ndaj organizatorëve dhe mbështetësve të protestës, duke deklaruar se po shpenzohen fonde për transportimin e protestuesve drejt Tiranës, ndërsa shtoi se këto veprime nuk ndikojnë në mandatin e qeverisë së tij.
Në reagim, kryeministri shprehu kundërshtimin edhe ndaj përdorimit të flamurit të UÇK-së në protestë, duke e cilësuar këtë si një keqpërdorim të simbolikës së luftës çlirimtare për qëllime politike.
Në fund të mesazhit, Rama kërkoi që emri i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të mos lidhet me zhvillimet e protestës në Tiranë. Ai u shpreh se nuk e konsideron Kurtin përgjegjës për individë apo grupe të caktuara që kanë marrë pjesë në aktivitetet protestuese, duke shtuar se një interpretim i tillë do të ishte i gabuar.
Reagimi i kryeministrit vjen ndërsa protesta në Tiranë vijon prej tre javësh, mes përplasjesh të forta politike dhe akuzave të ndërsjella mes mazhorancës dhe opozitës.
Protesta qytetare në Tiranë, policia procedon 9 persona
Policia e Tiranës ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj 9 personave, të cilët sipas autoriteteve kanë vijuar qëndrimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” edhe pas përfundimit të protestës së zhvilluar mbrëmjen e së shtunës.
Sipas njoftimit zyrtar, pas përfundimit të tubimit rreth orës 22:00, protestuesit kanë qëndruar në hapësirën publike duke penguar qarkullimin e automjeteve dhe duke prishur qetësinë publike. Policia pretendon se ata kanë zaptuar një pjesë të bulevardit duke vendosur karrige metalike dhe sende të tjera.
Autoritetet bëjnë me dije se, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të efektivëve për të liruar hapësirën dhe për t’iu bindur dispozitave ligjore, personat e proceduar kanë refuzuar të largohen.
Në kuadër të hetimeve janë proceduar shtetasit me iniciale Sh. G., 32 vjeç, A. G., 56 vjeç, A. B., 25 vjeç, V. K., 28 vjeç, G. K., 30 vjeçe, A. K., 43 vjeç, E. S., 36 vjeç, A. K., 34 vjeç dhe R. Sh., 22 vjeç.
Policia njofton se puna vijon për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”.
Aktivistë të VV në protestë? Nurellari: Fakenews! Përdorën edhe tifozët
Këtë të dielë në edicionin informativ me moderatore Alba Xhanin ka qenë i ftuar analisti Adri Nurellari i cili ka bërë një analizë të zhvillimeve politike në Shqipëri dhe Kosovë. Nurellari është pyetur dhe për zërat dhe lajmet ku thuhet se qytetarë dhe ligjvënës nga Kosova kanë marrë pjesë në Tiranë, ku sipas analistit nuk janë të vërteta.
Moderatorja Xhani Pyetje: Do më japësh edhe një qasje tjetër sa i takon Kosovës? Shumë akuza që mund t’u kenë ardhur aktivistëve të Vetëvendosjes dhe nga ana tjetër edhe për deputetë apo ligjvënës të Kosovës që marrin pjesë në këtë protestë, a e “imlikojnë” ose e bëjnë pis, nëse këto janë të vërteta?
Nurellari: Nuk e di cili deputet ka dalë në protestë, por ajo që di dhe që është shumë qesharake, dhe që ka qarkulluar shumë dje, ishte një video e para tre javëve e tifozëve të Kaçanikut dhe Lepencit, që më në fund u rikthyen në Ligën e Parë të kampionatit të Kosovës. Ajo video u përhap nga mediat pranë qeverisë dhe nga figura pranë qeverisë si provë e akuzës që bëri kryeministri, se gjoja po vijnë nga Kosova dhe Tetova dhe po hedhin gurin e po fshehin dorën. Pra, një rast klasik i fake neës-it, i luftës hibride, i dezinformimit dhe i mashtrimit të opinionit publik, që është edhe i shëmtuar, sepse në fund të fundit, kush do të vinte katër orë rrugë nga Kaçaniku deri këtu me rimorkio kamioni në pikë të vapës? Dhe e dyta, janë bashkëkombasit tanë, janë aksionarë në këto troje, njësoj siç jemi edhe ne këtu. Dhe e treta është banale, sepse mjafton një Google search për të kuptuar se pse aty është Lepenci dhe jo, për shembull, Lugu i Zallit, Flamurago apo Narta, sepse është një grup tifozësh që po festojnë në fillim të qershorit, pasi ekipi i tyre hyri në Ligën e Parë të kampionatit.
Pyetje nga Alba Xhani: Po nëse vijnë vërtet nga Vetëvendosja në protestë, pra këto teza verifikohen më vonë?
Nurellari: Shiko, janë të mirëseardhur kushdo shqiptar që vjen. Janë të mirëseardhur, askush nuk është pronar. Nëse ata vijnë dhe e ndjejnë këtë gjë…
Spiropali i përgjigjet Ramës: Do ta kemi Marrëveshjen e Re për Shqipërinë
Ish-kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku ai ironizoi zërat brenda PS-së që flasin për një “Shqipëri të Re”.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se brenda partisë ka “disa shpirtra të humbur” që kërkojnë një Shqipëri të re, duke shtuar me ironi se pret prej tyre një draft konkret, por se ka frikë që ai nuk do të vijë kurrë.
Një ditë më pas, Spiropali duket se i është përgjigjur drejtpërdrejt kryeministrit përmes një postimi në rrjetet sociale, ku rithekson idenë e “Marrëveshjes së Re për Shqipërinë” dhe nevojën për reformim të Partisë Socialiste.
“Po, do ta kemi Marrëveshjen e Re për Shqipërinë. Shqipërinë që duam të ndërtojmë duhet ta bëjmë, dhe do ta bëjmë, më të hapur, më të drejtë, më meritokratike, më europiane”, shkruan Spiropali.
Ajo thekson se për të arritur këtë objektiv, Partia Socialiste duhet të gjejë forcat për t’u vetëpastruar dhe për t’u bërë më dinamike e më demokratike.
“Partisë Socialiste i duhet të gjejë forcat, të mbledhë mendjen, të vetëpastrohet, të bëhet më dinamike, më demokratike, më kompakte, për të mbetur gjithmonë e re, gjithmonë e pastër, pa smërçe, pa ndryshqe, pa pehlivanllëqe”, shprehet ajo.
Në fund të reagimit, Spiropali nënvizon se ndryshimi i vendit nis nga ndryshimi i vetes dhe i forcës politike që qeveris.
“Ta bëjmë Marrëveshjen e Re të madhe, të thellë, të vërtetë, duke pasur parasysh se po nuk lartësuam veten, nuk mund ta përmirësojmë vendin”, përfundon ajo.
Berisha-Ramës: Largohu sa më parë dhe prit verdiktin e drejtësisë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama pas protestës së së shtunës të zhvilluar në Tiranë, duke thënë se kreu i qeverisë e ka përjetuar atë si një “Vaterlo personale”.
Përmes një videomesazhi, Berisha u shpreh se protesta e qytetarëve, rinisë dhe diasporës përbën një moment historik, ndërsa sipas tij Rama e ka përjetuar atë si një disfatë të rëndë politike dhe i kërkoi kreut të qeverisë të largohet sa më parë.
“Largohu sa më parë nga detyra dhe prit verdiktin e drejtësisë, e cila vonon, por nuk harron”, deklaroi kreu i Partisë Demokratike.
Sipas kreut të PD-së, protesta e zhvilluar para Kryeministrisë dhe pjesëmarrja e lartë e qytetarëve tregojnë nivelin e pakënaqësisë ndaj qeverisë.
“Edi Rama duket se protestën e gjysmë milioni shqiptarëve dhe rrethimin e ngjeshur të Kryeministrisë e ka përjetuar si Vaterlonë e tij. Ky gjysmë i prishur nga protesta epike e gjysmë milioni shqiptarëve të mbledhur nga të katër anët e Shqipërisë dhe të katër anët e dheut, në fakt kërcënoi protestuesit me masakra dhe me përgjakje”, u shpreh Berisha.
Duke iu referuar krahasimeve letrare të përdorura nga Rama, Berisha e krahasoi kryeministrin me personazhin Tenardie të Viktor Hygoit.
“Një lloj si Tenardie, Edi Rama vjedh dhe ka vjedhur këtë kohë popullin më të varfër. Ka vjedhur votën, fondet publike, ilaçet e të sëmurëve, pasuritë publike dhe shpresën e shqiptarëve”, tha ai.
Ish-ministri i PS-së mbështet protestuesit, Bushati: Nuk janë të nxitur nga Irani
Ditmir Bushati është një tjetër figurë nga radhët e PS që ka dalë në mbështetje të protestave në Tiranë.
Ish-ministri i Jashtëm ka postuar këtë të diel foto nga protesta e ditës së 21-të, ndërsa shkruan se qytetarët nuk janë të nxitur nga faktorë të jashtëm, por janë shqiptarë të revoltuar për gjendjen në vend.
“Nuk janë të nxitur nga Irani, as nga algoritmet, e aq më pak të humbur në qëllimet e tyre. Janë shqiptarë të revoltuar nga trajtimi i atdheut si plaçkë. Të vetëdijësuar për pasojat e aleancës së dëmshme mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar. Janë qytetarë që besojnë se Shqipëria meriton më shumë: më shumë drejtësi, më shumë dinjitet, më shumë shpresë dhe më shumë mundësi për të gjithë”, shkruan ai.
Sipas Bushatit, çdo ditë që kalon e forcon bindjen se “Shqipëria e Re” nuk është thjesht një aspiratë, por një kapitull i pashmangshëm.
“Ky është një moment që kërkon reflektim të thellë, urtësi dhe përgjegjësi”, përfundon reagimi i tij.
Banorët shembin rrethimin në Kakome (VIDEO)
Banorë të Nivicës, Shën Vasilit, pronarë të tokave në Kakome, të mbërritur nga qytete të ndryshme të vendit dhe emigrantë kanë protestuar këtë të diel në Kakome.
Ata kanë shembur rrethimin që prej 22 vitesh, sipas tyre, mbante të izoluar një prej pasurive më të mëdha natyrore të zonës dhe nuk i lejonte të shkonin në tokat e tyre apo pushuesit vendas dhe të huaj të frekuentonin plazhin.
Në intervistat e tyre, protestuesit shprehen se kanë ardhur në mbështetje të kësaj kauze që e cilësojnë kombëtare, ndërsa theksojnë se qëllimi i tyre është rikthimi i aksesit në pronat e tyre.
Ata thonë se janë aty për të kundërshtuar, siç shprehen, zaptimin e tokave dhe për t’i dhënë fund, sipas tyre, një situate që ka zgjatur prej vitesh.
“Ne jemi këtu për të rrëzuar çdo pengesë që na ka ndaluar të shkojmë në tokat tona. Sot sovrani foli dhe dha verdiktin e tij”, shprehen banorët.
Ata shtojnë se shembja e rrethimit në Kakome ka një domethënie të madhe për ta dhe paralajmërojnë vijimin e protestës.
Sipas tyre, do të jenë në mbështetje të çdo proteste që e cilësojnë kombëtare dhe nuk do të lejojnë më, siç thonë, që tokat e tyre të mbeten të zëna.
Një vajzë me maskë shkul flamurin e Izraelit te ambasada në Tiranë
Këto janë pamjet e momenteve kur një vajzë e maskuar ka shkulur flamurin e Izraelit në Ambasadën e këtij shteti në Tiranë gjatë orarit kur po mbahej protesta e 21-të në kryeqytet.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila e ka dënuar me forcë aktin, duke theksuar se veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me lirinë e shprehjes apo të drejtën për protestë paqësore, por përbëjnë shfaqje të urrejtjes dhe intolerancës.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me forcë heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Tiranë nga protestues të maskuar gjatë protestës së mbrëmshme”, thuhet në njoftim.
Sipas MEPJ, këto veprime janë të papajtueshme me vlerat demokratike dhe standardet evropiane, si dhe me parimet e respektit dhe bashkëjetesës që karakterizojnë shoqërinë shqiptare.
“Veprime të tilla janë shfaqje të urrejtjes dhe nxitjes së saj dhe janë krejtësisht të papajtueshme me parimet e respektit dhe bashkëjetesës që Shqipëria i ka në themel”, theksohet në reagim.
Po ashtu, për ngjarjen reagoi edhe ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg. Në një postim në rrjetin social X, Peleg tha se akti cenon dinjitetin e popullit shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare.
“Mbrëmë në Tiranë, protestues hoqën flamurin izraelit dhe e grisën atë mes brohoritjeve të turmës së mbledhur në vendngjarje. Si ambasadore e një shteti demokratik, unë besoj në të drejtën e popullit shqiptar për të ushtruar të drejtën e tij qytetare për të protestuar. Megjithatë, një akt i tillë jo vetëm që nuk i shërben kauzës së protestës publike, por gjithashtu cenon dinjitetin e popullit shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare. Falenderoj ministrin Hoxha për dënimin e menjëhershëm dhe të qartë të këtij akti”, shkroi ajo.
Ministria e Punëve të Jashtme: Disa protestues me maska përdhosën flamurin e Izraelit në Tiranë
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka reaguar për mediat, duke bërë me dije se gjatë protestës së së shtunës, disa persona të maskuar kanë hequr dhe kanë përdhosur flamurin e Shtetit të Izraelit në Ambasadën e Izraelit në Tiranë.
Në reagim, Ministria dënon me forcë aktin, duke theksuar se veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me lirinë e shprehjes apo të drejtën për protestë paqësore, por përbëjnë shfaqje të urrejtjes dhe intolerancës.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me forcë heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Tiranë nga protestues të maskuar gjatë protestës së mbrëmshme”, thuhet në njoftim.
Sipas MEPJ, këto veprime janë të papajtueshme me vlerat demokratike dhe standardet evropiane, si dhe me parimet e respektit dhe bashkëjetesës që karakterizojnë shoqërinë shqiptare.
“Veprime të tilla janë shfaqje të urrejtjes dhe nxitjes së saj, dhe janë krejtësisht të papajtueshme me parimet e respektit dhe bashkëjetesës që Shqipëria i ka në themel”, thuhet në reagim.
Ministria thekson gjithashtu se Shqipëria mbetet e angazhuar për mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe simboleve të tyre, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.
Në reagim shprehet edhe solidariteti me Ambasadën e Shtetit të Izraelit, ndërsa theksohet se dhuna, intimidimi dhe gjuha e urrejtjes nuk do të kenë vend në një shoqëri demokratike.
Po ashtu, për ngjarjen reagoi edhe ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg. Në një postim në rrjetin social X, Peleg tha se akti cenon dinjitetin e popullit shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare.
“Mbrëmë në Tiranë, protestues hoqën flamurin izraelit dhe e grisën atë mes brohoritjeve të turmës së mbledhur në vendngjarje. Si ambasadore e një shteti demokratik, unë besoj në të drejtën e popullit shqiptar për të ushtruar të drejtën e tij qytetare për të protestuar. Megjithatë, një akt i tillë jo vetëm që nuk i shërben kauzës së protestës publike, por gjithashtu cenon dinjitetin e popullit shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare. Falenderoj ministrin Hoxha për dënimin e menjëhershëm dhe të qartë të këtij akti”, shkroi ajo.
Rama: Një betejë globale kundër Donald Trump u spostua në Nartë
Duke folur nga podcast-i i tij, kryeministri Edi Rama u ndal përsëri te protestat, ndërsa tha se një betejë botërore kundër presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump u spostua në Nartë.
Rama tha se kjo solli kushtet që të krijohej një revolucion imagjinar, ndërsa theksoi se disa partiçka, sipas tij, tentuan të përfitonin nga kjo.
“Flamingot nuk kanë nevojë për turma të rrëmbyera nga histeria e algoritmit dhe të nxitura nga interesa të tjera që nuk janë fare interesat tona, nuk janë fare interesat e Shqipërisë, në një betejë të globalizuar, jo se bota papritur u zgjua e alarmuar për fatin e flamingove, por se bota spostoi në Nartë një betejë të madhe kundër Presidentit të Amerikës për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me Nartën dhe gjithë kjo urrejtje dhe ky mllef, dhe ky zemërim që ka natyrë politike, ideologjike, çfarë të doni, arsye që s’na interesojnë, krijoi kushtet që të hapej edhe një kanal, një revolucion imagjinar për ata që menduan gabimisht se u bë deti kos për lugën e ndryshkur të karrierave të tyre politike apo për partiçkat e tyre të reja, që u bënë shumë shpejt të vjetra, të vogla, që duan të rriten duke hedhur gurë, duke fshehur duart, duke nxjerrë një dorë, duke mbuluar një dorë tjetër. Unë jam këtu, ne jemi këtu për të bërë së bashku më të mirën për Shqipërinë, për natyrën, për Zvërnecin, për flamingot, por ama për të bashkëpunuar me realitetin, jo jashtë realitetit. Për të ndarë së bashku faktet dhe jo për të fluturuar në një territor ku faktet nuk kanë asnjë vlerë. Dhe mbi të gjitha për të diskutuar për një projekt, i cili ende nuk është gati dhe për t’u marrë me mënyrën se si projekti mund të bëhet sa më i shkëlqyer dhe jo për ta rrëzuar, ndërkohë që ai është në lindje e sipër. Çdo gjë tjetër e keni mësuar nga burimet e tjera të lajmeve, nëse keni mësuar, por edhe në mos e paçi mësuar akoma, është më pak e rëndësishme sesa prezantimi me Fabrice del Dongo.”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se shumë qytetarë mendojnë se po mbrojnë flamingot, Zvërnecin apo Shqipërinë, por në realitet, sipas tij, po mbrojnë interesa të dikujt tjetër, për të cilat interesat e vendit nuk kanë asnjë vlerë.
Sipas Ramës, njerëzit shpesh besojnë se po luftojnë për diçka fisnike, ndërkohë që në fakt bëhen pjesë e një beteje që nuk është më e tyrja.
“Mund të bëjë një kapërcim të ëndërrt pa gjykuar më mbi faktet, por mbi një version faktesh që i serviret pa pushim në ekranin e celularit, duke u bërë pjesë e një historie të ndërtuar, të montuar dhe të amplifikuar, që të krijon ndjesinë se je pjesë e një komuniteti më të madh dhe nuk je më vetëm. Prandaj sot ka shumë njerëz që dalin në protesta me bindje të sinqerta, që mendojnë se po mbrojnë natyrën, flamingot apo një pasuri që u përket të gjithëve. Gjithçka është fisnike dhe meriton respekt si qëllim, por pyetja është: po e mbrojnë nga kush? Nga unë, nga ne? Ne mbrojtjen e natyrës, zonat e mbrojtura, ndalimin e gjuetisë së paligjshme dhe të prerjes së pyjeve i kemi pasur dhe i kemi ende lajtmotiv të punës sonë. Prandaj thirrja ime është që, me respekt për motivin, të mos përjashtohet detyrimi për të verifikuar faktet. Sepse kur emocioni ushqehet nga gjysmë të vërteta, nga pamje të shkëputura nga konteksti dhe nga slogane që përhapen më shpejt se faktet, atëherë idealizmi dhe dëshira e sinqertë kthehen në instrument në duart e atyre që kanë interesa krejt të tjera”, tha ai.
Një pjesë e protestuesve e kalojnë natën para Kryeministrisë
Ashtu siç ishte paralajmëruar pas protestës masive të së shtunës, një pjesë e protestuesve, shumica e tyre të ardhur nga diaspora, zgjodhën ta kalonin natën në sheshin para Kryeministrisë. Pasi zhvilluan marshime rreth godinës së Kryeministrisë dhe Piramidës së Tiranës, disa prej tyre qëndruan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri në mëngjes, ashtu siç shihet dhe në këtë foto të bërë rreth orës 07:00 të mëngjesit.
Gjatë të shtunës në ditën e 21-të të saj pjesë e protestës u bë edhe diaspora shqiptare, me shumë emigrantë që mbërritën në Tiranë me automjetet e tyre të stolisura me flamuj kuqezi.
Prej 21 ditësh, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë së tij.
Ndërkohë, ndryshe nga netët e tjera, protestuesit nuk marshuan në rrugët e kryeqytetit, por zhvilluan një marshim rrethues rreth godinës së Kryeministrisë, përpara se të vendosnin të qëndronin gjatë natës në shesh.
Dita e 22-të e protestës, disa qytetarë me çadra plazhi prej mëngjesit para Kryeministrisë
Kjo e diel shënon ditën e 22-të të protestës në Tiranë, ndërsa ndryshe nga ditët e tjera, disa prej protestuesve mëngjesi i gjeti aty pasi e gdhinë në bulevard.
Po ashtu, për herë të parë në këtë të diel në zonën para godinës së Kryeministrisë ndodhet një numër më i vogël qytetarësh edhe në orët e paradites, ndryshe nga zakonisht, të cilët kanë vendosur edhe dy çadra dielli dhe po qëndrojnë në pritje të grumbullimit më të madh që bëhet në orët e mbrëmjes.
Në shkallët e Kryeministrisë, ndërkohë, janë vendosur dhe stivosur një numër i madh këpucësh nga protestuesit, ndërsa efektivët e policisë herë pas here u kanë bërë thirrje qytetarëve që të lirojnë hapësirat dhe të mos bllokojnë zonën.
Ata vijojnë të qëndrojnë në shesh në pritje të tubimit të përditshëm, ndërsa pritet që në orët në vijim numri i protestuesve të shtohet si në ditët e kaluara.
Presidenti të shkonte në shesh dhe të dëgjonte protestuesit
Analisti Ben Andoni, i ftuar në Euronews me gazetaren Alba Xhani, ka komentuar protestat që sot hyjnë në ditën e 22-të.
Duke thënë se nuk po kuptohet roli i institucioneve në vend, Andoni kritikoi Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, pasi sipas tij kreu i shtetit duhej të kishte reaguar për situatën e krijuar nga protestat.
Sipas analistit, Presidenti duhej të kishte thirrur kryeministrin Edi Rama dhe t’i kërkonte llogari për zhvillimet. Ai tha gjithashtu se kreu i shtetit duhej të kishte shkuar edhe në bulevard për të dëgjuar protestuesit.
“Presidenti, si përfaqësues i unitetit të popullit, të paktën publikisht duhej ta thërriste Ramën dhe t’i kërkonte një lloj llogarie për gjithë këtë që po ndodh, madje edhe të shkonte në shesh dhe të dëgjonte protestuesit, pasi askush nuk do ta ngacmonte, përkundrazi do të mirëpritej prania e Presidentit në shesh”, u shpreh Andoni.
Ai shtoi gjithashtu se protesta ka tejkaluar pritshmëritë dhe po shfaqet si një zhvillim i rëndësishëm politik dhe shoqëror në vend.
Spiropali i përgjigjet Ramës: Do ta kemi Marrëveshjen e Re për Shqipërinë
Rama reagon për pjesëmarrjen e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestën në Tiranë: Po dëmtohet imazhi i tyre
Protesta, Berisha-Ramës: Largohu sa më parë dhe prit verdiktin e drejtësisë
- 21:05 Lufta ‘zbret’ në futboll-Irani përballet me kufizime nga SHBA: Udhëtim vetëm 24 orë para ndeshjeve të tyre
- 20:46 Tensionet në Lindjen e Mesme, Sekretari amerikan i Energjisë: Trafiku në Ngushticën e Hormuzit vijon normalisht, kemi krijuar një korridor alternativ
- 20:19 Aktori Mehdi Malkaj thirrje në protestë: Të shkëpusim ndikimet partiake
- 20:03 Protestat qytetare në Tiranë, reagojnë organizatorët për incidentin me flamurin e Izraelit: Mes nesh ka të infiltruar
- 19:58 Ish-ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu: Shqipëria e fortë është prioriteti
- 19:57 Ben Blushi shpallet “Autori iVitit” në Panairin e Librit nëPrishtinë