Përplasje para Parlamentit, protestuesit qëllojnë me vezë makinat e deputetëve. Policia arreston Dritan Goxhajn

Dëgjoni lajmin
0:00 / 0:00
30 Qershor 2026 | 12:08

Një situatë e tensionuar është regjistruar mesditën e së martës para Parlamentit. Automjeti i zëvendëskryeministres Albana Koçiu është goditur me vezë nga protestuesit.

Nga pamjet duket qartë se gjatë daljes së zv/kryeministres me makinë nga Parlamenti, protestuesit kanë hedhur vezë drejt makinës, ndërsa forcat e rendit po mbajnë shmangien e kontaktit fizik me automjetin.

Policia është në gatishmëri, ndërsa pritet dalja e deputetëve të tjerë që ndodhen brenda godinës. Protesta e sotme është shoqëruar me tensione dhe incidente të ndryshme gjatë gjithë ditës.

Ndërkohë, prej 31 ditësh Tirana është përfshirë nga protestat masive ku kërkohet dorëheqja e Ramës dhe e qeverisë së tij.

9 Updates
14:43

“Shoqërohen 6 protestues”, Agron Shehaj: U dhunuan hapur përpara kamerave

Agron Shehaj i është bashkuar turmës së protestuesve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Shehaj deklaroi për mediat se janë 6 protestues të arrestuar për shkak të incidenteve të ndodhura.

“Janë shoqëruar 6 protestues. Dy ndodhen në Komisariatin nr. 1, dy në Komisariatin nr. 2 dhe dy në Komisariatin nr. 4.

Tani do të shkojmë dhe do të interesohemi në këto komisariate se çfarë po ndodh me këta protestues, sepse kemi arsye të besojmë se u dhunuan haptas përballë Parlamentit dhe ka shumë mundësi që të dhunohen edhe në komisariat”, tha Shehaj.

🔗 Shpërndaje
13:53

Arrestimi i disa personave, protestuesit marshojnë drejt Drejtorisë së Policisë

Protestuesit kanë lënë ambientet e Parlamentit nga ku situata pati përplasje fizike, hedhje të mjeteve piroteknike.

Tashmë protestuesit po marshojnë drejt Drejtorisë së Policisë duke vazhduar me thirrjet e tyre.

Punonjësit e policisë kanë arrestuar disa persona për shkak të këtyre incidenteve, nderkohë qytetarët të shoqëruar nga forcat e policisë janë nisur drejt Drejtorisë Vendore të Policisë.

🔗 Shpërndaje
13:50

Përplasje të dhunshme mes qytetarëve dhe policisë, protestuesit hedhin mjete piroteknike

Ka degraduar në dhunë dhe përplasje fizike protesta që po zhvillohet mesditën e sotme përpara Parlamentit. Krahas sulmeve me vezë dhe shishe uji ndaj makinave të deputetëve, situata është tensionuar edhe më tej pas përdorimit të lëndëve të rrezikshme piroteknike ndaj forcave të rendit.

Gjatë përplasjes së ashpër mes turmës dhe efektivëve të policisë, protestuesit kanë hedhur në drejtim të kordonit të sigurisë mjete piroteknike mjaft të forta. Këto shpërthime kanë krijuar panik në terren.

Në këto kushte, policia ka nisur menjëherë operacionin për identifikimin dhe kapjen e personave që hodhën këto mjete të forta piroteknike në mes të kordonit policor.

🔗 Shpërndaje
13:43

Përshkallëzohet tensioni para Parlamentit, policia arreston Dritan Goxhajn

Është tensionuar sërish në protestën që po zhvillohet para Parlamentit teksa policia na ndërhyrë për t’i shpërndarë dhe për të hapur hyrjen e parlamentit.

Policia ka shoqëruar disa persona mes te cilëve Dritan Goxhajn, që njihet si nje nga organizatorët e protestës. Bashkë me të është prangosur edhe Shkëlzen Bushi një person gjithashtu shumë aktiv në protestë.

🔗 Shpërndaje
13:30

Tensione para Parlamenti, protestuesit përplasen me policinë

Janë shënuar sërish tensione përpara Parlamentit, këtë herë mes protestuesve dhe forcave të rendit e sigurisë. Ndërsa seanca plenare vijon brenda sallës, jashtë situata ka kaluar në konfrontim fizik.
Sipas pamjeve nga vendngjarja, vihet re një përplasje e ashpër fizike mes disa protestuesve dhe efektivëve të policisë pranë rrethimit të jashtëm të institucionit. Qytetarët kanë tentuar të shtyjnë kordonin policor, gjë që ka sjellë reagimin e menjëhershëm të forcave të rendit për t’i zmbrapsur.
Në momentin e përplasjes, situata është shoqëruar me tensione të larta verbale. Mes shtyrjeve dhe kaosit, dëgjohen qartë zërat e protestuesve, të cilët u bëjnë thirrje efektivëve të policisë të ndalojnë ndërhyrjen.

🔗 Shpërndaje
13:29

“Hajdut, analfabet”, protestuesit ndjekin deputetin e PS kur del nga Parlamenti

Deputeti i Partisë Socialiste, Tërmet Peçi, është përballur me thirrje dhe reagime nga protestuesit pas daljes nga ambientet e Kuvendit.
Disa protestues e ndjekin deputetin, duke i drejtuar akuza dhe thirrje të ndryshme si “Hajdut!”, “Analfabet!” dhe “Nuk na përfaqëson!”.
Deputeti socialist është ndjekur nga protestuesit nga dalja e Kuvendit deri në zonën e Unazës, pranë selisë së Partisë Demokratike, pa bërë asnjë reagim ndaj tyre.

🔗 Shpërndaje
13:27

Qëllohet sërish me vezë makina e një prej deputetëve

Vijojnë të mbeten të larta tensionet përpara Parlamentit, ku po mbahet seanca plenare e radhës.
Vetëm pak minuta pasi protestuesit qëlluan me vezë automjetin e zëvendëskryeministres Albana Koçiu, shënjestër e sulmit është bërë edhe makina e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Sipas pamjeve, situata paraqitet mjaft e tensionuar tek protestuesit, të cilët kanë qëlluar në drejtim të automjetit të ministrit Gonxhja jo vetëm me vezë, por edhe me shishe uji, ndërsa makina e ministrit është larguar me shpejtësi nga perimetri i Parlamentit.

🔗 Shpërndaje
13:25

Përplasje te Parlamenti, policia ndërhyn për të hapur rrugën, i vjen në ndihmë FNSH

Një situatë e tensionuar është regjistruar mesditën e së martës para Parlamentit ku automjeti i një ministri është goditur me vezë nga protestuesit sapo ka hyrë në Parlament.
Protestuesit janë përplasur me policinë që ka ndërhyrë për të hapur rrugën para parlamentit për të mundësuar kalimin e makinave që ishin të pranishëm në seancën plenare.
Në ndihmë të efektivëve të policisë kanë shkuar forca të FNSH të pajisur me skafandra dhe shkopinj gome.

🔗 Shpërndaje
11:36

Balla debat me Bardhin: Shpreson se kjo protestë do të heqë qafe Saliun

Seanca e së martës në Kuvend është shoqëruar me debate të ashpra mes kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, lidhur me protestën që po zhvillohet prej një muaji në Tiranë.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i kërkoi mazhorancës të anulonte koncertin e Kanye West, duke e cilësuar atë si simbol të antisemitizmit. Ai shtoi gjithashtu se nuk është e pranueshme që, sipas tij, mazhoranca “të japë leksione antisemitizmi për pjesëmarrësit në protestë”.
Në fjalën e tij, Bardhi iu drejtua kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, duke deklaruar: “Ti që nuk di CV-në e Suel Çelës, me të cilin rrije 24 orë, di CV-në e çdo protestuesi”.
Balla tha se opozita është e “ekzaltuar” nga kjo protestë, pasi sipas tij, përmes saj shpreson të përfitojë politikisht dhe “të shpëtojë nga Sali Berisha”.
“Ju jeni më të ekzaltuarit, sepse nga kjo protestë shpresoni të shpëtoni nga Saliu”, u shpreh Balla

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Aksident i rëndë në autostradën Tiranë–Durrës, furgoni me pasagjerë del nga rruga

Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e kësaj të marte në autostradën Tiranë–Durrës. Sipas informacioneve paraprake, një furgon me pasagjerë është përfshirë në një...
15:15 | 30/06/2026

“Planet madhështore”, Rama publikon bisedat e organizatorëve të protestës, qytetari: Mos e ço nëpër mend dorëheqjen

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale atë që ai e paraqet si një bisedë të pretenduar në një grup WhatsApp të organizatorëve të...
15:09 | 30/06/2026

“Shoqërohen 6 protestues”, Agron Shehaj: U dhunuan hapur përpara kamerave

Agron Shehaj i është bashkuar turmës së protestuesve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Shehaj deklaroi për mediat se janë 6 protestues të arrestuar për...
14:40 | 30/06/2026