Përplasja Trump-Spanjë në NATO, Sanchez: Me Trump folëm për Botërorin dhe pa tensione

8 Korrik 2026 | 16:56

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha se diskutoi për Kupën e Botës me presidentin amerikan Donald Trump gjatë Samitit të NATO-s në Ankara, duke shmangur komentet për deklaratat e mëparshme të Trump, i cili e kishte cilësuar Spanjën si një “kauzë të humbur”.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Sanchez tha se pati një “bisedë joformale” me Trumpin rreth “suksesit” të Kupës së Botës dhe theksoi se mes tyre nuk kishte pasur tension.

Sipas tij, biseda mes dy liderëve ishte zhvilluar “me përzemërsi absolute dhe të plotë” dhe nuk kishte përfshirë çështje tregtare apo gjeopolitike. Sanchez tha se ata folën edhe për pasionin e Trumpit për golfin.”Marrëdhëniet tregtare bëhen midis kompanive, jo midis qeverive”, tha kryeministri spanjoll, duke theksuar se politika tregtare është përgjegjësi e Bashkimit Evropian. Ai shtoi se Spanja ka një deficit tregtar me Shtetet e Bashkuara dhe se vendi i tij ka përmbushur objektivin prej 2% të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes në vitin 2026.

“Ne erdhëm në samitin e NATO-s pasi e kemi bërë punën tonë”, deklaroi Sanchez.

Deklaratat e tij vijnë pasi më herët gjatë ditës, presidenti amerikan Donald Trump kritikoi ashpër Spanjën për qëndrimin e saj ndaj objektivit të ri të NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes dhe për kundërshtimin e saj ndaj sulmeve SHBA-Izrael ndaj Iranit.

Duke folur në një konferencë për shtyp në Ankara, Trump e përshkroi Spanjën si një “partner të tmerrshëm” në NATO dhe tha se Madridi “nuk pajtohet me asgjë”.

“Spanja është një partnere e tmerrshme në NATO. Ata nuk marrin pjesë. Ata nuk paguajnë. Unë nuk dua të kem asnjë lidhje me Spanjën”, tha Trump, duke iu drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Ai shtoi se SHBA duhet të rishikojë marrëdhëniet tregtare me Spanjën dhe e cilësoi vendin si një “kauzë të humbur”.

Trump ka kritikuar vazhdimisht qeverinë spanjolle për refuzimin e angazhimit ndaj objektivit të NATO-s për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së. Ndërkohë, Madridi ka refuzuar gjithashtu përdorimin e hapësirës ajrore dhe bazave ushtarake spanjolle nga SHBA për operacionet e lidhura me konfliktin me Iranin.

Qeveria spanjolle i ka pritur deklaratat e Trump me qetësi, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të forta.

“Vendi ynë mban marrëdhënie të shkëlqyera sociale, kulturore dhe ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe ne nuk kemi ndërmend t’i ndryshojmë ato”, tha një burim qeveritar spanjoll, duke i cilësuar këto lidhje si të dobishme për të dy vendet, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes.

Qeveria e Madridit rikujtoi gjithashtu se Spanja është pjesë e Bashkimit Evropian dhe se marrëdhëniet tregtare nuk mund të trajtohen të izoluara nga politikat e përbashkëta të bllokut.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Erdogan është udhëheqës i shkëlqyer”, Trump përshëndet Samitin e NATO si shumë të suksesshëm

Trump po mban një konferencë për shtyp në Ankara pas samitit të NATO-s dhe takimeve të tij dypalëshe me udhëheqës të tjerë. Ai e nisi...
18:21 | 08/07/2026

Emine Erdogan publikon foton zyrtare me bashkëshortet e liderëve të NATO-s në Turqi

Bashkëshortja e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, Emine Erdogan, ka publikuar foton zyrtare nga takimi me bashkëshortet e liderëve që ndodhen në Turqi në kuadër...
17:43 | 08/07/2026

Pamjet e fundit të gruas së dyshuar për bombën në Monako, besohet se kërkonte shpërblimin 130 mijë euro

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me shpërthimin në Monako dhe gruan e akuzuar për vendosjen e pajisjes shpërthyese, e cila më pas...
17:36 | 08/07/2026