Raporti i Avokaturës së Shtetit, reagon Gjykata Kushtetuese: Përmban elemente keqinformuese
Gjykata Kushtetuese këtë të premte ka dalë me një reagim zyrtar përmes një postimi në “Facebook” lidhur me raportin e Avokaturës së Shtetit. Në reagim Gjykata ka bërë thirrje për maturi dhe kujdes në deklaratat e aktorëve ose personave të përfshirë në diskutimin publik për institucionin dhe gjyqtarët e saj.
Sipas saj raporti, përmban elemente keqinformuese dhe është përdorur publikisht për të vënë në diskutim integritetin dhe autoritetin e saj. Ndër të tjera ajo tërhoqi vëmendjen ndaj mënyrës së raportimit të Avokaturës së Shtetit.
Sipas njoftimit, Gjykata thekson se nuk vihet në lëvizje mbi bazën e rekomandimeve të ndonjë institucioni publik, përfshirë Avokaturën e Shtetit, dhe as njihet me vendimet e GJEDNJ-së ose i zbaton ato për shkak të njoftimeve të këtij institucioni.
Ndër të tjera Gjykata shton se sa herë paraqitet një ankim kushtetues individual, kërkohet informacion zyrtar nga Gjykata e Lartë për mënyrën e komunikimit të vendimit objekt ankimi dhe nëse kjo e fundit nuk paraqet prova në këtë drejtim, barra e provës nuk i kalon individit, ndërsa ankimi konsiderohet i paraqitur brenda afatit.
Gjykata gjithashtu thekson se ka ofruar asistencën e nevojshme sa herë që Departamenti për Ekzekutimin e Vendimeve i GJEDNJ-së ka kërkuar informacion përmes Avokaturës së Shtetit, si dhe ka ndërtuar ura bashkëpunimi me Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë.
Reagimi i plotë:
𝐑𝐞𝐚𝐠𝐢𝐦 𝐢 𝐆𝐣𝐲𝐤𝐚𝐭𝐞̈𝐬 𝐊𝐮𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭𝐮𝐞𝐬𝐞 𝐦𝐛𝐢 𝐠𝐣𝐞𝐭𝐣𝐞𝐭 𝐞 𝐑𝐚𝐩𝐨𝐫𝐭𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐀𝐯𝐨𝐤𝐚𝐭𝐮𝐫𝐞̈𝐬 𝐬𝐞̈ 𝐒𝐡𝐭𝐞𝐭𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐝𝐚𝐭𝐞̈𝐬 𝟐𝟑.𝟎𝟔.𝟐𝟎𝟐𝟔
Gjykata Kushtetuese (Gjykata) është njohur me gjetjet e Raportit të Avokaturës së Shtetit të datës 23.06.2026 “Për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) për periudhën janar-dhjetor 2025”, i cili i është dërguar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Në këtë raport, që pasqyron veprimtarinë e Avokaturës së Shtetit në lidhje me ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ-së ndaj shtetit shqiptar, përfshirë ato në të cilat janë konstatuar shkelje të të drejtave të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) edhe në procedurat e zhvilluara nga Gjykata, paraqiten edhe vlerësime mbi praktikën e Gjykatës pas dhënies së këtyre vendimeve. Sipas Avokaturës së Shtetit, ndonëse ajo ka dhënë rekomandime, “nga Gjykata nuk kemi pasur një qëndrim në lidhje me këto rekomandime, ndaj dhe këtë vit GJEDNJ-ja ka vijuar me konstatimin e shkeljeve për sa i përket këtij aspekti”, duke iu referuar së drejtës së aksesit në gjykimin kushtetues dhe interpretimit të afatit ligjor për paraqitjen e ankimit kushtetues individual.
Edhe më parë, Gjykata ka bërë thirrje për maturi dhe kujdes në deklaratat e aktorëve ose personave të përfshirë në diskutimin publik për institucionin dhe gjyqtarët e saj. Megjithëse nuk ka synuar të përfshihet në debate të tilla, fakti që reagimi i një institucioni publik përmban elemente keqinformuese dhe është përdorur publikisht për të vënë në diskutim integritetin dhe autoritetin e saj, e bën të nevojshëm këtë sqarim në funksion të informimit të drejtë të publikut.
Fillimisht, Gjykata tërheq vëmendjen ndaj mënyrës së raportimit të Avokaturës së Shtetit. Në respekt të parimit të ndarjes së pushteteve, ndonëse mbetet e hapur për bashkëpunim institucional, Gjykata nuk vihet në lëvizje mbi bazën e rekomandimeve të ndonjë institucioni publik, përfshirë Avokaturën e Shtetit, dhe as njihet me vendimet e GJEDNJ-së ose i zbaton ato për shkak të njoftimeve të këtij institucioni. Ashtu si për çdo organ tjetër publik, edhe për Gjykatën detyrimi për zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së dhe të jurisprudencës së saj buron drejtpërdrejt nga nenet 5, 17 dhe 122 të Kushtetutës.
Lidhur me çështjen e aksesit në gjykimin kushtetues, Gjykata sqaron se raporti i Avokaturës së Shtetit u referohet vendimeve të GJEDNJ-së të vitit 2025 në çështjet Ibrahimi dhe të tjerë kundër Shqipërisë (vendimi i Gjykatës, datë 16 qershor 2017), Fortuzi kundër Shqipërisë (vendimi i Gjykatës, datë 7 dhjetor 2017) dhe Ilia kundër Shqipërisë (vendimi i Gjykatës, datë 14 janar 2020). Këto çështje janë shqyrtuar pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore të vitit 2016, të cilat ndryshuan afatin për paraqitjen e ankimit kushtetues individual nga dy vjet në katër muaj dhe sollën nevojën për interpretimin e momentit nga i cili fillon të rrjedhë ky afat. Pasi kjo mënyrë interpretimi u vlerësua nga GJEDNJ-ja si e papajtueshme me KEDNJ-në dhe menjëherë pas vendimit në çështjen Supergrav kundër Shqipërisë (9 maj 2023), Gjykata ndryshoi praktikën e saj, duke i interpretuar dhe zbatuar dispozitat përkatëse të ligjit organik (ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar) në përputhje me standardet e përcaktuara nga GJEDNJ-ja. Për këtë qëllim, sa herë paraqitet një ankim kushtetues individual, kërkohet informacion zyrtar nga Gjykata e Lartë për mënyrën e komunikimit të vendimit objekt ankimi dhe nëse kjo e fundit nuk paraqet prova në këtë drejtim, barra e provës nuk i kalon individit, ndërsa ankimi konsiderohet i paraqitur brenda afatit.
Po kështu, në përputhje me detyrimin për zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së dhe rregullat procedurale të parashikuara në ligjin organik, sa herë që është konstatuar shkelje në procedurat e saj dhe palët kanë kërkuar rihapjen e procesit, Gjykata e ka rihapur atë pa rivënë në diskutim çështjet e vlerësuara tashmë nga GJEDNJ-ja.
Për sa i përket standardit të arsyetimit të vendimeve, raporti i Avokaturës së Shtetit nuk evidenton se çështja Frroku kundër Shqipërisë (vendimi i Gjykatës, datë 24 prill 2018) është shqyrtuar në një periudhë kur Gjykata funksiononte pa përbërjen e saj të plotë. Po ashtu, nuk merret në konsideratë se, sipas nenit 73, pika 4, të ligjit organik, në mungesë të shumicës prej pesë gjyqtarësh kërkesa konsiderohet e rrëzuar.
Në këtë drejtim, Gjykata thekson se praktika e saj ka ndryshuar prej vitit 2021. Në çdo rast kur nuk arrihet shumica e nevojshme për vendimmarrje, e diktuar shpesh edhe nga përbërja e saj (aktualisht me vetëm tetë gjyqtarë), vendimet shoqërohen me arsyetimin përkatës, duke pasqyruar në mënyrë të detajuar qëndrimet e ndara të gjyqtarëve dhe duke garantuar standardin e arsyetimit, në përputhje me praktikën e GJEDNJ-së.
Pavarësisht rëndësisë së rolit të Avokaturës së Shtetit në raportimin për ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ-së nga shteti shqiptar, Gjykata nënvizon domosdoshmërinë e një raportimi të plotë, objektiv dhe të saktë, si dhe shmangien e përfundimeve që krijojnë perceptime të pasakta jo vetëm për gjendjen reale të zbatimit të këtyre vendimeve, por edhe për veprimtarinë e institucioneve shqiptare. Avokatura e Shtetit është institucioni i ngarkuar me ligj për përfaqësimin cilësor, transparent dhe profesional të shtetit shqiptar në procedurat pranë GJEDNJ-së dhe, për përmbushjen e këtij funksioni, duhet të disponojë informacion të plotë, të saktë dhe të përditësuar.
Gjithashtu, në këndvështrim të parimit të bashkëpunimit luajal, i cili bazohet në respektin e ndërsjellë për kompetencat e çdo institucioni dhe nënkupton krijimin e një raporti bashkëpunimi ndërmjet tyre, si dhe duke pasur parasysh se përgjegjësia për ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ-së nuk i përket vetëm një institucioni, Gjykata ka ofruar asistencën e nevojshme sa herë që Departamenti për Ekzekutimin e Vendimeve i GJEDNJ-së ka kërkuar informacion përmes Avokaturës së Shtetit, si dhe ka ndërtuar ura bashkëpunimi me Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë.
Në përfundim, Gjykata rithekson përkushtimin e saj për zbatimin e Kushtetutës, të KEDNJ-së dhe të jurisprudencës së GJEDNJ-së, duke garantuar pasqyrimin e standardeve të saj në praktikën kushtetuese dhe mbrojtjen efektive të të drejtave dhe lirive themelore.
Ministri Nufi zbulon kush e vendos datën për Samitin e NATO-s në Tiranë
Misioni në Gaza, ministri Nufi për Euronews Albania: Shqipëria do dërgojë oficerët e shtabit
Arrestohet në Mëzez 38-vjeçari me qese me kokainë në automjet, gati për shitje (EMRI)
- 14:49 Administrata Trump nuk dëshiron që Izraeli të përfshihet në sulmet amerikane
- 14:31 Ministri Nufi zbulon kush e vendos datën për Samitin e NATO-s në Tiranë
- 14:28 Misioni në Gaza, ministri Nufi për Euronews Albania: Shqipëria do dërgojë oficerët e shtabit
- 14:00 Arrestohet në Mëzez 38-vjeçari me qese me kokainë në automjet, gati për shitje (EMRI)
- 13:49 Vodafone Albania dhe Nokia paraqesin të ardhmen e rrjetit 5G përmes “Network Slicing” të fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale
- 13:40 Institucionet paralajmërojnë qytetarët: Kujdes nga SMS dhe email-et mashtruese që imitojnë bankat dhe Postën Shqiptare