Analisti tregon prapaskenat që çuan në burg liderët e UÇK: Roli i Gjykatës Speciale
Analisti Indrit Vokshi ishte i ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, ku komentoi prapaskenat e asaj që ai e konsideron si një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të faktorit ndërkombëtar në skenën politike të Kosovës përmes Gjykatës Speciale.
Sipas Vokshit, kjo gjykatë nuk është një institucion i pavarur, por një mekanizëm në duart e vendeve perëndimore, që përdoret për të kufizuar ose orientuar zhvillimet politike në Kosovë.
“Gjykatat ndërkombëtare janë përdorur gjithmonë për të ndërhyrë në skenën politike të një vendi. Më parë përdornin vrasjet për të eliminuar politikanë, sot përdorin gjykatat,” tha Vokshi.
Sipas tij, krerëve të UÇK-së u është dhënë zgjedhja: ose të tërhiqen nga politika, ose të përballen me drejtësinë ndërkombëtare. Vokshi theksoi se Gjykata Speciale nuk financohet nga Serbia apo Rusia, por nga vendet evropiane, veçanërisht nga Gjermania, që sipas tij, përmes Procesit të Berlinit, ka kërkuar të korrigjojë skenën politike në Kosovë.
“Shikoni partitë politike që ishin kundër zhbërjes së Gjykatës: ishin Vetëvendosja dhe LDK. Ishte një përpjekje për të eliminuar një lojtar të SHBA-së në atë kohë, Hashim Thaçin, për ta larguar nga skena politike. Është një mekanizëm politik për ata që nuk mundën të transformohen nga elitë luftarake në elitë paqësore në Kosovë,” tha Vokshi.
Ai solli si shembull rastin e Ramush Haradinajt, i cili, sipas tij, u dërgua në Hagë sa herë që mori postin e kryeministrit.
“Kur u bë Ramush Haradinaj herën e parë kryeministër, pas 100 ditësh u çua në Hagë. Edhe herën e dytë, kur u bë kryeministër, prapë u thirr në Hagë. Pra, gjykatat ndërkombëtare janë një mekanizëm për të kufizuar politikën në Kosovë,” u shpreh Vokshi.
Vokshi shtoi se kur Hashim Thaçi kuptoi rolin e Gjykatës, tentoi ta zhbënte me mbështetjen e Nismës dhe AAK-së, por nuk arriti sepse “faktori ndërkombëtar ndërtoi dy parti politike, Vetëvendosjen dhe LDK-në”, të cilat penguan shfuqizimin.
“Ata që janë në Hagë sot, e kanë bërë burgun, nuk kanë më çfarë të bëjnë. Partitë që janë aty brenda nuk guxojnë të rebelohen, sepse kërcënohen që të mos konsiderohen më si partner politik,” u shpreh ai.
Në fund, Vokshi tha se ka një “intrigë tjetër” në skenën politike në Kosovë, pasi një pjesë e klasës aktuale politike nuk dëshiron rikthimin në politikë të Hashim Thaçit apo Kadri Veselit.
Ndërkohë, sipas tij, Ramush Haradinaj “është zbutur” dhe qëllimi ka qenë hapja e rrugës për një brez të ri politikanësh, ndonëse ky brez, sipas Vokshit, nuk është domosdoshmërisht më i pjekur se ai i mëparshmi.
LEXONI GJITHASHTU:
Telefonata Merz–Burnham, në fokus Traktati i Kensingtonit dhe mbështetja për Ukrainën
Rritja e numrit të të rinjve të plagosur, Irlanda masa të ashpra kundër skuterëve elektrikë
Trump do të vendosë këtë javë tarifa të reja për dhjetëra vende
- 22:12 “Himara thyen pritshmëritë turistike”, kryebashkiaku Tavo: Fluksi i vizitorëve është rritur me 30%
- 22:02 Turizmi në Vlorë, gazetari: Protestat nuk ndikuan te pushuesit, Sazani dhe Karaburuni vijojnë me fluks
- 21:57 Eksperti i ekonomisë: Numri i turistëve mbetet pozitiv, sfida kryesore janë kostot e larta
- 21:44 Stuhia e papritur godet Vlorën, pushuesit largohen me nxitim nga plazhi (VIDEO)
- 21:04 Moti i keq godet Kosovën, humb jetën 61-vjeçari pasi rrëshqiti në ballkonin e shtëpisë! Plagosen 2 të tjerë
- 20:07 Italia tenton goditjen e madhe, Federata i propozon Pep Guardiolës drejtimin e “Axurrëve”