English

Analiza: Politikanët e mediat në Ballkan “përhapin dezinformata në favor të Rusisë”

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Rusia përhap propagandën e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor përmes politikanëve, institucioneve fetare dhe mediave, u konkludua në panelin “Dezinformimi në Ballkan”, i cili u mbajt më 22 shkurt në Prishtinë në kuadër të samitit ballkanik për dezinformimin. Organizator i këtij paneli ishte është portali kosovar “The Geopost”, i cili merret me luftën kundër dezinformatave dhe ndikimit nga jashtë.

- Advertisement -

Në këtë panel nuk kishte përfaqësues nga Kosova, por pjesëmarrësit nga vendet e rajonit përmendën se një pjesë e propagandës ruse i referohet mohimit që Serbia i bën pavarësisë së Kosovës, të shpallur më 2008. Përveç Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, shtetet e tjera të rajonit e njohin pavarësinë e Kosovës.

Boris Varga nga Serbia, i cili me profesion është gazetar dhe publicist, tha se propaganda ruse ishte e pranishme në vendin e tij shumë përpara nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 2022 dhe shtoi se pothuajse çdo regjim e mbështeti atë.

“Lufta hibride nuk bëhet vetëm kundër Ukrainës, por edhe kundër Perëndimit. Rajoni i Ballkanit Perëndimor është një zonë ideale për të shkaktuar destabilitet në fqinjësinë e BE-së”, tha ai, shkruan REL.

Ai tha se Serbia nuk ka vendosur asnjë sanksion kundër Rusisë dhe se propaganda e Moskës po përhapet lirshëm në të gjitha nivelet e shoqërisë.

“Beogradi përdor propagandën pro-ruse për nevojat e veta, ndërsa është ulur në dy karrige. Kjo është mënyra se si Serbia po zgjeron ndikimin e saj në Republikën Sërpska [entitetin serb në Bosnje dhe Hercegovinë] dhe në Mal të Zi”, tha ai.

Serbia nuk iu bashkua sanksioneve të vendosura nga vendet perëndimore ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përsëriti se do të përpiqet ta mbajë këtë qëndrim. Nga ana tjetër, Serbia ka mbështetur një rezolutë të Kombeve të Bashkuara që dënon pushtimin rus të Ukrainës, ndërsa mosvendosjen e sanksioneve ndaj Moskës, Beogradi e ka shpjeguar me lidhjet tradicionale ruso-serbe dhe interesat ekonomike.

Millan Jovanoviq nga Mali i Zi, ekspert i sigurisë transatlantike me fokus në dezinformimin dhe ndikimin e huaj, deklaroi se Rusia, pavarësisht sanksioneve, propagandën e saj e përhap pa probleme në nivele të ndryshme, kryesisht përmes aktorëve politikë dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Ai gjithashtu theksoi se mediat pro-ruse janë në dispozicion të publikut të gjerë në vendet e rajonit, si dhe mediat ruse të mbështetura nga Kremlini – Russia Today dhe Sputnik.

“Ne kemi gjëra të ngjashme në rajon që janë të ndërlidhura, ka një ndjenjë kundër vendeve perëndimore, ndërsa ndjenja pro-ruse është e mbrojtur. Është i nevojshëm një nivel më i lartë i arsimimit të qytetarëve për të parandaluar përhapjen e dezinformatave”, tha ai.

Jovanoviq shtoi se ekziston edhe një rrjet i madh mediash, përmes të cilit përhapet propaganda e “vëllezërve ortodoksë”, në kontekstin se ukrainasit nuk ndryshojnë nga rusët.

Darko Bërkan, aktivist i shoqërisë civile nga Bosnja dhe Hercegovina, vuri në pah gjëra të ngjashme. Ai deklaroi se Rusia ushtron ndikimin e saj më të madh në Bosnje e Hercegovinë nëpërmjet një prej entiteteve, përkatësisht përmes Republikës Sërpska.

Ai shtoi se dezinformatat më së shumti përhapen në koordinim me mediat nga Serbia.

Vendet perëndimore dhe Bashkimi Evropian ia kanë bërë të qartë disa herë presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, se mbajtja e lidhjeve të ngushta me Rusinë dhe Bjellorusinë nuk është në përputhje me rrugën e shtetit drejt integrimeve evropiane.

Dodik, i cili është nën sanksione të SHBA-së dhe BE-së, ka deklaruar se Republika Sërpska refuzon t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë pavarësisht, siç ka thënë ai, presioneve të përditshme.

Rosana Aleksoska nga Maqedonia e Veriut, e cila është e angazhuar në luftën kundër lajmeve të rreme, tha në panelin për dezinformimin në Ballkan, se Rusia ka një ndikim të madh dhe se është jashtëzakonisht e rëndësishme të flitet për këtë sa herë që është e mundur.

“Duhet të kuptohet se individët besojnë gënjeshtra nga Rusia, e cila përhap propagandë… Sa më shumë të mos kuptojmë se çfarë po ndodh në Ukrainë, aq më i madh është ndikimi i dezinformatave”, vlerësoi ajo.

Gerta Zaimi nga Shqipëria, e cila merret me politikë në Ballkan, theksoi se Rusia në vendin e saj kryen një lloj tjetër propagande për dallim nga shtetet e ish-Jugosllavisë, pra përpiqet të ndikojë në ndërprerjen e kontakteve me shtetet e Perëndimit.

Më herët, në samitin ballkanik për dezinformimin u mbajt një panel për dezinformimin në Evropë, ku studiuesi nga Estonia, Vladimir Sazonov, tha se propaganda ruse shënjestron politikën evropiane dhe perëndimore.

“Rusia ka një traditë propagande, ndikim në identitet që nga epoka imperialiste dhe nuk ndalet. Nuk do të ndalet”, tha ai.

Më 21 shkurt, BE miratoi paketën e 13-të të sanksioneve kundër Rusisë. Me zgjerimin e masave kufizuese, lista e personave të sanksionuar që mbështesin luftën e Rusisë kundër Ukrainës tani numëron mbi 2.000.

Vendimi përfundimtar do të publikohet në gazetën zyrtare të BE-së, në prag të dyvjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë, e cila nisi më 24 shkurt 2022.

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Altin Dumani paraqiti raportin e Prokurorisë së Posaçme, si e vlerësoni punën e SPAK për vitin 2023?
×