Policia e Shtetit njoftoi të dielën zbardhjen e vrasjes së biznesmenit të ndërtimit në Tiranë, Eduart Reçi, i cili u ekzekutua nga distanca në rrugën “Faik Konica”.
Autorët e dyshuar të ngjarjes janë vëllezërit Florjan dhe Shkëlqim Duka. Ky i fundit shërbente edhe si oficer i policisë gjyqësore në komisariatin nr. 2.
Shkëlqim Duka dyshohet se është dhe qitësi që bëri të mundur ekzekutimin e biznesmenit mbrëmjen e 13 nëntorit.
Zëvendësdrejtori i krimeve në Tiranë, Erion Ismaili, zbuloi në emisionin “Review” në Euronews Albania provën që i çoi uniformat blu në zbardhjen e ngjarjes.
Ai tha se nga kamerat filmike u pa një person i cili pozicionohej për 5 ditë rresht në shkallën e emergjencës së një hoteli në zonë dhe nga ku bënte matje me një armë me dylbi.
Sipas Ismailit, personi në fjalë ka kryer më datë 8 nëntor edhe një qitje tjetër drejt biznesmenit që ndodhej në oborrin e pallatit, por pa mundur dot ta eliminojë atë.
Zëvendësdrejtori i krimeve theksoi se për ta nxjerrë biznesmenin në oborr, dy vëllezërit hidhnin fishekzjarre të fuqishme shumë pranë banesës së tij.
Shkak i konfliktit është bërë një pronë në lagje, për të cilën biznesmeni ishte në konflikt me dy vëllezërit.
“Autori ishte komshi me të ndjerin, nuk ishte një pistë e parë. Por ne i kemi parë të gjitha pistat në momentin e ngjarjes. Ka pasur një mosmarrëveshje të shtrirë në kohë mes autorit dhe viktimës, por viktima ka pasur dhe problematika të tjera. Problematikat lidheshin për pronësinë po aty në atë zonë, në atë lagje.
Pika që mori kthesën ngjarja, ishte analizimi i pamjeve filmike. Nga pamjet filmike ne kemi konstatuar që dinamika e ngjarjes ka filluar më datë 8 nëntor dhe ka vazhduar deri më datë 13, kur është ekzekutuar viktima.
Kur them dinamike, nënkuptoj që personi i dyshuar si qitësi është vendosur në një shkallë metalike nga ku kishte pamje vizuale mbi oborrin e viktimës.
Ai është pozicionuar aty më datat 8, 9, 10, 12 dhe 13 nëntor. Vetëm më datë 12 nuk e kemi të dokumentuar këtë për shkak se punonjësi i policisë në këtë datë ka qenë në një detyrë tjetër.
Ngjitej në shkallën e emergjencës së hotelit që është ngjitur me pronën e të arrestuarve. Kamerat treguan se në katin e dytë të shkallës vendosej një person i cili pozicionohej me një armë që në dukje është një armë me dylbi.
Ai u vendos për 5 ditë rresht gjatë natës, fillonte në orën 19 dhe vazhdonte deri në orën 23:30. Përdornin dhe një mekanizëm që për të nxjerrë viktimën në oborr gjatë momentit që pozicionohej, përdornin fishekzjarre në oborrin e viktimës për ta nxjerrë atë në oborr. Kemi pasur një qitje më datë 8 dhe nuk është realizuar, më pas vrasja është realizuar më datë 13. Ka përdorur një armë sportive që i përshtatet dhe pjesa e dylbisë. Armën nuk e kemi gjetur, por kemi gjetur mënyrën si e ka siguruar armën. Kemi të dhëna që do na çojnë shumë shpejt te arma”, tha Ismaili.
LEXONI GJITHASHTU:
- Ekskluzive/ Zbardhet vrasja e biznesmenit, Eduart Reçi. Kush ishte qitësi (Emri)
- Kush e vrau biznesmenin Reçi?! Ismaili: Pamjet filmike zbuluan “qitësin” e OPGJ-së!