Zbardhet vrasja e biznesmenit Eduart Reçi. U ekzekutua për motive pronësie nga dy vëllezër, njëri prej tyre në rolin e qitësit, efektiv policie në komisariatin nr 2 në kryeqytet.
Rreth 2 javë pas vrasjes së biznesmenit të ndërtimit Eduart Reçi, policia e Tiranës zbardhi ngjarjen duke vënë në pranga autorët e dyshuar të ngjarjes.
52-vjeçari me origjinë nga Dibra që vite më parë kishte qenë edhe pjesë e shërbimit informativ shtetëror, dyshohet se u ekzekutua duke u qëlluar në distancë me një armë të gjatë, për shkak të konflikteve për motive pronësie.
Për vrasjen janë vënë në pranga vëllezërit Florjan dhe Shkëlqim Duka, ky i fundit oficer policie në komisariatin nr 2 në Tiranë. Oficeri i policisë dyshohet se është edhe qitësi ndërsa gjatë kontrolleve të ushtruara në lokalin dhe banesën e dy vëllezërve është gjetur një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje
Shkak i vrasjes është bër konflikti për një pallat qe viktima, Eduart Reçi planifikonte te ndërtonte aty ne zone për te cilën dy autoret nuk kane qene dakord, si pronarë të një godine pranë vendit te ngjarjes.
Hetimet kanë zbuluar se biznesmeni ndërtimit kishte diskutuar dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit lidhur me vëllezërit Duka.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 13.11.2024, ku në rrugën “Faik Konica”, u plagos me armë zjarri shtetasi E. R., i cili si pasojë e plagëve marra ndërroi jetë në spital.
Vihen në pranga dy vëllezër, të dyshuar si autorë të ngjarjes.
Sekuestrohen prova materiale që shërbejnë për dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor në drejtimin Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve, ju informojmë se:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës bazuar në provat e grumbulluara nga hetimi intensiv, arrestuan shtetasit Sh. D., 48 vjeç, (oficer Policie) dhe F. D., 45 vjeç, (vëllezër),të dy banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78 e 25 dhe 278/1/4 të Kodit Penal.
Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, administrimit të provave dhe ekzaminimeve të ndryshme kriminalistike, administrimit të dokumenteve, grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të personave si autorë të dyshuar të kësaj ngjarje.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës, më datë 23.11.2024 është ushtruar kontroll në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi E. R., po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës).
Ndër personat me të cilët shtetasi E. R., kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit F. D., dhe Sh. D.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
LEXONI GJITHASHTU:
- Euronews Albania siguron pamjet ekskluzive nga vrasja e biznesmenit në Tiranë
- U qëllua nga distanca, kush është biznesmeni i ndërtimit që u vra në Tiranë