Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mbajti këtë të shtunë një takim me drejtuesit politikë të forcës që ai përfaqëson në qytetin e Vlorës.
Basha theksoi se grupimi i tij do të krijojë një parti të re nëse do të rrëzohet rekursi në Gjykatën e Lartë.
Basha nënvizoi se ende nuk është përcaktuar emri i partisë, por theksoi se ajo që është e sigurt është se grupimi i tij do të marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2025.
“Nëse rekursi për vulën vazhdon me paktin Rama Berisha, do hapim parti të re. Jemi duke menduar emrin e partisë. E sigurt është që në zgjedhje do marrim pjesë.
Do t’u japim shqiptarve alternativen që iu mungun, që zgjedhjet e ardhëshme mos të jenë një tjetër “tango” e të vjetrës, dhe të keqes që ka pushtuar vendin.
Shqiptarët anembanë Shqipërisë të kenë mundësinë të votojnë programin që meritojnë sepse shqiptarët meritojnë më shumë, sepse Shqipëria meriton më shumë sesa “tango e vjetër” që do t’i mbajë pengë në analet e vjetëruara të korrupsionit dhe krizës ekonomike ku e ka zhytur vendin”, tha Basha.
Pjesë nga deklarata për gazetarët:
Pyetje: Do të ketë një parti politike të re?
Lulzim Basha: Partia politike ekziston. Ne kemi strukturat, kemi organizimin, kemi njerëzit, kemi programin që sapo e kemi shpallur. Ndaj, ajo që diskutohet është emri. Duke e çuar rekursin në gjykatë të lartë, ne edhe njëherë ju themi jo vetëm demokratëve, por dhe shqiptarëve që nuk mund të pranojmë padrejtësinë. Nuk mund të pranojmë që padrejtësia të bëhet normë në këtë vend. Dhe sigurisht urojmë që programi ynë, struktura jonë që është tërësisht gati, madje ka filluar punën për fushatën e ardhshme, t’ju paraqitet shqiptarëve si alternativë me logon dhe vulën e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Por nëse pazari dhe konspiracioni, jo thjesht kundër demokratëve, por dhe kundër shqiptarëve do ta pamundësojë këtë, padiskutim demokratët euroatlantik do të jenë në zgjedhje. Programi, alternativa dhe lista e kandidatëve tanë nuk do t’u mohohen shqiptarëve.
Pyetje: Edhe sa do të prisni? Rekursi sigurisht që kërkon kohën e vet, ndërkohë që zgjedhjet janë vitin tjetër?
Lulzim Basha: Ne nuk do të presim asnjë sekond dhe nuk po presim sekondë, sepse ne do ta kalojmë gjithë këtë kohë duke e shpalosur këtë alternativë pranë qytetarëve të Vlorës, pranë grupeve të interesit, pranë sipërmarrjes, pranë përfaqësuesve të fermerëve, të profesioneve të lira, të medias, të të përndjekurve, të pronarëve, të rinisë, të pensionistëve. Pra, nuk presim asnjë ditë, vazhdojmë punën tonë. Shqipëria ka nevojë për këtë alternativë, Shqipëria meriton më shumë dhe ne jemi të vendosur të mos e privojmë, sikundër të hedhim poshtë çdo skenar që shqiptarët i mbyll në ekuacionin e të vjetrës, kryeministrin apo ish kryeministrin. Kjo nuk është zgjidhja për shqiptarët. Zgjidhja është alternativa që ne përfaqësojme e demokratëve euroatlantik me të gjithë pjesët e programit që janë bërë publike dhe ne do t’i diskutojmë ditë pas dite deri ditën e zgjedhjeve me qytetarët.
LEXONI GJITHASHTU:
- Rekurs për vulën? Basha flet në Euronews Albania: Do garoj në 2025-ën
- Çollaku njofton largimin nga Basha, arsyet: Pjesë e PD, pavarësisht drejtuesit