Begaj fjalim në Dayton: Paqja në Ballkan është një detyrë që na përket të gjithëve

26 Maj 2025 | 09:53

Në 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në takimin me temë “Rifokusimi te Paqja dhe Prosperiteti në Ballkan”, ku theksoi rëndësinë historike të kësaj marrëveshjeje dhe rolin vendimtar të SHBA në sjelljen e paqes në rajon.

Presidenti kujtoi se tri dekada më parë, në këtë qytet, diplomacia triumfoi mbi shkatërrimin dhe Marrëveshja e Dejtonit i dha fund një lufte të egër në Ballkan, duke mbetur gur themeli i paqes, stabilitetit dhe shpresës.

“Ne shqiptarët e kuptojmë vlerën e paqes sepse e kemi përjetuar vetë pasojën e konfliktit. Kosova sot qëndron si një shtet i ri, i pavarur, demokratik dhe funksional, një dëshmi e fuqishme e potencialit për transformim përmes sakrificës dhe dialogut,” tha Presidenti.

Ai shprehu mbështetjen e Shqipërisë për Marrëveshjen e Dejtonit dhe theksoi nevojën për integrimin euroatlantik të Bosnje-Hercegovinës, duke e lidhur këtë me përkushtimin më të gjerë të Shqipërisë për paqe, siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe fqinjësi të mirë.

Presidenti Begaj nënvizoi rëndësinë e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Pa udhëheqjen amerikane, Marrëveshja e Dejtonit dhe pavarësia e Kosovës nuk do të ishin të mundura. Rajoni nuk do të kishte arritur stabilitetin që ka sot,” u shpreh ai, duke vlerësuar angazhimin e vazhdueshëm të SHBA, NATO-s dhe BE-së në Ballkan.

Në fjalën e tij, ai konfirmoi rritjen e buxhetit të mbrojtjes nga Shqipëria dhe përkushtimin ndaj forcimit të solidaritetit dhe kohezionit në NATO, si dhe rolin e rëndësishëm që ka Bashkimi Evropian për demokracinë dhe zhvillimin ekonomik në rajon.

Presidenti u ndal edhe te agresioni rus ndaj Ukrainës, duke theksuar se paqja dhe liria nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, por duhen mbrojtur në çdo kohë dhe në çdo cep të globit.

“Le të rikonfirmojmë përkushtimin tonë për Ballkanin Perëndimor, një rajon që nuk mbetet në hijen e së kaluarës, por qëndron në dritën e së ardhmes së vet,” përfundoi Presidenti Begaj. Kreu i Shtetit zhvilloi në Dayton takime të veçanta me liderët pjesëmarrës në Sesionin Pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ndërsa gjatë punimeve të saj do të ketë dhe një fjalim.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Qiraxhi analizon reagimin e Ramës: Pse protesta ka vënë përballë përgjegjësisë të gjithë klasën politike

I ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjanën, Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare” analizoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e përbashkët të grupit...
22:19 | 24/07/2026

Armir Shkurti zbardh misionin e Kuvendit Kombëtar të protestës: Nuk është forcë politike

I ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjanën, gazetari Armir Shkurti shpjegoi rolin dhe funksionimin e Kuvendit Kombëtar të protestës, duke hedhur poshtë akuzat se...
22:06 | 24/07/2026

Gazetarja sjell detajet nga Roskoveci, nesër ceremonia mortore për Kosta dhe Belere Plakun

Gazetarja Laureta Roshi ishte në një lidhje live për emisionin “Review” me Greta Topjanën, ku solli detaje nga ngjarja tragjike e kësaj të premteje në...
21:27 | 24/07/2026