Ben Blushi: Pse fiton Kombëtarja e Shqipërisë

KOMENTE


SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Nga Ben Blushi

Shqiptarët luajnë futboll prej gati 100 vitesh, por asnjëherë ata nuk kanë fituar kaq shpesh dhe kaq lehtësisht, si kohët e fundit. Lojtarë të mëdhenj, ndoshta edhe më të mëdhenj se këta që luajnë sot, Shqipëria ka pasur disa, por ekip të madh, nuk ka pasur asnjëherë.

Futbolli i ditëve tona nuk është vetëm sport. Historia nuk njeh asnjë ekip të madh që ka fituar, kur vendi që përfaqëson është i izoluar, është i pushtuar apo vuan nga krizat. Nëse 11 lojtarët e Shqipërisë do kishin luajtur për Afganistanin që është një vend anormal, nuk do kishin fituar dot kaq shumë. Nëse të njëjtët lojtarë do kishin veshur bluzat e Ukrainës, ndërkohë që baballarët dhe vëllezërit gjakosen në luftë, nuk do kishin shkuar dot në Kampionatin Evropian.

- Advertisement -

Zakonisht Kombëtaret vrapojnë me hapin e kombit. Historia e futbollit provon se ajo që ndodh jashtë fushës ndikon shumë në fushë. Arsyet josportive janë po aq të rëndësishme sa arsyet sportive për të fituar. Po kush janë këto arsye në rastin e Kombëtares së Shqipërisë?

Në vitet 50’ deri në vitet 90’, kur Shqipëria ishte një vend i mbyllur, sportistët, si të gjithë shqiptarët kishin kompleks ndaj të huajve. Kufizimet në ushqim, veshje, teknologji, art, në lëvizje si dhe ndalimet e pronës private dhe fjalës së lirë i detyronin shqiptarët të ishin inferiorë në përgjithësi. Çdo shqiptar besonte se çdo i huaj ishte më i lirë, më i ushqyer, më i fortë, më i shpejtë, më inteligjent dhe më i pasur se ai. Me këtë mentalitet hynin në fushë edhe futbollistët e atyre viteve. Ata luanin të bindur se do mundeshin. Ata ishin të burgosur brenda fanellës që mbronin. Ajo fanellë nuk u kujtonte kombin që donin, por shtetin që nuk donin. Ai shtet u kishte ndaluar çdo gjë të cilën kundërshtarët e tyre e kishin. Kur ata dilnin jashtë, hutoheshin, sepse vendi i tyre ishte një ferr në krahasim me vendet ku shkonin për të luajtur. Dalja jashtë këtij ferri ishte traumatike dhe u bënte më keq, se mirë. Nëse në fushë ishin të barabartë me futbollistët e huaj, jashtë fushës ishin fatalisht të pabarabartë.

Sot natyrisht është ndryshe. Shqiptarët i kanë kapërcyer komplekset e izolimit. Më shumë se 1 milion jetojnë jashtë dhe pavarësisht nga punët që bëjnë, janë të barabartë me ata të huaj që bëjnë të njëjtën punë. Në Shqipëri vijnë të paktën 5 milion të huaj që ushqehen, vishen dhe jetojnë si ne. Nëpër lokale janë të barabartë, në hotele janë të barabartë, në konsum janë të barabartë, në gjuhë janë të barabartë, në mëkate dhe inate janë të barabartë. Barazia jashtë stadiumit ndihmon stadiumin.

Shqipëria sot është në përgjithësi një vend normal. Ajo është shumë më e hapur se Shqipëria e viteve 80, më e kamur se Shqipëria e viteve 90 dhe më e qetë se Shqipëria e viteve 2000. Duke u pasuruar shqiptarët kanë mësuar si ti bëjnë më pak dëm vetes. Në mes të viteve 90’ ne kishim një Kombëtare të mirë e cila fatkeqësisht mundej gjithmonë në minutën e fundit. Aq e shpeshtë u bë kjo rastësi, saqë u kthye në rregull. Dhe meqë u kthye në rregull përsëritej. Ne mundeshim gjithmonë edhe kur shënonim të parët. Lojtarët nuk besonin se mund të fitonin edhe kur ishin në avantazh, prandaj e lëshonin lojën në fund sikur iu humbte durimi.

Por jashtë stadiumit edhe Shqipërisë së atyre viteve i kishte sosur durimi. Megjithëse e hapur ndaj botës, Shqipëria që doli nga komunizmi ishte shumë e varfër dhe shumë e egër. Kombëtarja ishte një miks futbollistësh që kishin ikur si emigrantë dhe kur ktheheshin këtu, gjenin një vend të tmerrshëm, të ashpër dhe të ndarë në copa nga viti 1997. Kush mund tu kërkonte atyre të qëndronin në fushë kur gjithë vendi po binte siç edhe ra? Prandaj Kombëtarja vetëm mundej edhe kur fitonte.

Si rregull, kur vendet vuajnë, Kombëtaret munden sepse humori i vendit ndikon tek lojtarët dhe gjithë ambienti sportiv. Kombëtarja e Spanjës doli kampione e Botës atëherë kur Spanja arriti zhvillimin më të madh ekonomik në Evropë, në vitin 2010. Suksesi i saj nuk ishte vetëm sportiv. Gjermania doli kampione e Botës në 2014, kur udhëhiqte gjithë botën me eksportet e saj dhe teknologji. Më parë kishte dalë kampione në vitin 1974 dhe 1990 kur e kishte marrë veten nga rrënimi i luftës dhe ishte kthyer në një superfuqi. Sot Gjermania e ngathët dhe e futur në recesion nuk do dilte dot kurrë Kampione e Botës edhe nëse do kishte marrë borxh 11 lojtarë luftarakë shqiptarë. Njëlloj ka ndodhur edhe me Francën, Italinë, Kroacinë, Greqinë apo Kombëtare të tjera më të vogla. Kur vendet janë mirë, me shëndet ekonomik dhe optimizëm, kombëtaret shkëlqejnë.

Por në rastin e Kombëtares sonë ka edhe një arsye tjetër, të ndryshme nga rregullat që ndikojnë te Kombëtaret e tjera.

Në historinë e botës nuk ka asnjë Kombëtare që furnizohet nga tre shtete fqinje si kjo Kombëtare që furnizohet njëkohësisht nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Kjo që nuk ndodh askund, ndodh në Shqipëri. Prandaj kjo është një kombëtare e çuditshme si përbërje, e panjohur si rast dhe unike si eksperiment. Kombëtaret e mëdha të botës kanë futbollistë nga ish kolonitë e tyre apo nga emigrantët që janë natyralizuar. Por ama, një belg që flet frëngjisht nuk luan për Francën sepse ai nuk kërkon që Belgjika të bashkohet me Francën, një austriak nuk luan për Gjermaninë sepse asnjë nga këto dy vende nuk do që Austria të jetë Gjermani dhe asnjë argjentinas nuk luan për Spanjën sepse këto janë dy vende të ndryshme që flasin të njëjtën gjuhë.

Ndërsa Kombëtarja e Shqipërisë është unike në planet, sepse luan për një shpagim historik. Tifozët kërkojnë nga ajo të bëjë drejtësi historike duke i mundur armiqtë në fushë. Kombëtarja është një ushtri e vogël shqiptarësh të bashkuar në një qëllim : të korrigjojë historinë duke vrapuar pas një topi. Ajo bashkon në fushë copat e një vendi të ndarë para 100 vitesh. Prandaj mbledh kaq shumë pasion, nerv, djersë, gjak, lot, energji, demografi, skenografi, koreografi, arkitekturë patriotike dhe epsh për revansh kombëtar. Ajo është e vetmja kombëtare që ka për himn, këngë për njerëz që janë vrarë 30 vjet më parë duke luftuar me armë për ndryshimin e historisë. Këto këngë që vijnë nga lufta dhe ndoshta shkojë drejt luftës, njihen më mirë, këndohen më shumë dhe eksitojnë më fort se vetë himni i Shqipërisë.

Sepse Kombëtarja nuk është vetëm e Shqipërisë.

Kjo është arsyeja që mijëra tifozë kosovarë e braktisin kombëtaren e tyre që përfaqëson një shtet dhe ndjekin kombëtaren e Shqipërisë që përfaqëson një komb. Kombëtarja e Shqipërisë është në fakt Kombëtarja e tre shteteve, ose më saktë kombëtarja që mund të shkatërrojë dy shtetet ku shqiptarët nuk do donin të ishin. Kosovën dhe Maqedoninë. Patriotizmi, pra nevoja për një shtet të përbashkët, është trajneri kryesor i Kombëtares. Ai e drejton, e zbut, e ngut, e ngre, e bashkon, e ndërsen, e zmadhon, e harbon, e tërbon, e shkul, e ul, e ngul, e sul dhe e vërsul. Kombëtarja luan dhe fiton në një fushë jeshile që shqiptarëve u duket gjithmonë e kuqe. Bashkimi është fusha e saj. Kundërshtarët janë armiqtë e saj. Topi është arma e saj. Përbërja është shpirti i saj. Nëse Kombëtarja do kishte vetëm futbollistë nga Shqipëria ajo nuk do kishte pasur kurrë këtë sukses dhe këtë përkrahje. Shqipëria do kishte një ekip por jo një Kombëtare, por historia kërkon që shqiptarët të kenë dhe ekip dhe Kombëtare.

Kjo është arsyeja që Kombëtarja fiton dhe do fitojë. Edhe nëse ndonjëherë humb. Prapë fiton.

 

LEXONI GJITHASHTU:














LINI NJE KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here


Etiketimet

Lidershipi i Ismail Qemal Vlora, Evarist Beqiri sjell të pathënat e botimit të dytë

Në qendrën për Hapje dhe Dialog autori dhe studiuesi i lidershipit të Ismail Qemalit, Evarist Beqiri, promovoi botimin e dytë kushtuar themeluesit shqiptar. Në një intervistë...

Historiania: Europa është treguar mosmirënjohëse ndaj shqiptarëve

Historiania Nevila Nika tha në emisionin Now në Euronews Albania se ky 111 vjetor i Pavarësisë nuk i gjen shqiptarët të bashkuar, që ishte...

Thirrja e shqiptarit nga Londra: Duam tekste të mësojmë shqipen

Astrit Sula, drejtori i projektit “Gjurmë iliriane” në Angli tha në një intervistë për Euronews Albania se vullnetarisht ata po mësojnë gjuhën shqipe të...





TË FUNDIT

Lidershipi i Ismail Qemal Vlora, Evarist Beqiri sjell të pathënat e botimit të dytë

Në qendrën për Hapje dhe Dialog autori dhe studiuesi i lidershipit të Ismail Qemalit, Evarist Beqiri, promovoi botimin e dytë kushtuar themeluesit shqiptar. Në një intervistë...

Historiania: Europa është treguar mosmirënjohëse ndaj shqiptarëve

Historiania Nevila Nika tha në emisionin Now në Euronews Albania se ky 111 vjetor i Pavarësisë nuk i gjen shqiptarët të bashkuar, që ishte...

Thirrja e shqiptarit nga Londra: Duam tekste të mësojmë shqipen

Astrit Sula, drejtori i projektit “Gjurmë iliriane” në Angli tha në një intervistë për Euronews Albania se vullnetarisht ata po mësojnë gjuhën shqipe të...

Feja në vendin e punës, gjykata e BE-së: E drejtë e kujtdo të ndalojë veshjet fetare

Çdo administratë publike në Bashkimin Evropian mund të ndalojë punonjësit të veshin simbole fetare në vendin e punës. Vendimi erdhi nga Gjykata e Drejtësisë e...

Hamasi liron edhe 12 pengje të tjera, thotë Izraeli

Edhe 12 pengje të tjera të mbajtura në Rripin e Gazës, 10 izraelite dhe dy tajlandezë, janë liruar nga Hamasi - grupi radikal palestinez...






 








Sondazh

A e mbështesni marëveshjen e Shqipërisë me Italinë për ardhjen e emigrantëve?
×