Berisha ashpërson tonet: Po përgatitim një luftë të fuqishme për mbrojtjen e votës

14 Maj 2025 | 14:33

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur këtë të mërkurë një konferencë për shtyp, ku vijoi akuzat për manipulimin masiv të zgjedhjeve të 11 majit. Berisha akuzoi mazhorancën se, përmes përdorimit të bandave kriminale në fushatë, ka deformuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

“Çdo orë që kalon nxjerr fakte dhe dokumente shkatërruese për farsën elektorale të 11 majit, të organizuar nga Toto Rina i Tiranës, Edi Rama. Por unë jam këtu para së gjithash për të shprehur vlerësimin tim për të gjithë ata komisionerë, numërues dhe vëzhgues të opozitës që, edhe në kushtet e një terrori shtetëror, po kryejnë detyrën e tyre me përkushtim. I ftoj ta çojnë deri në fund këtë mision,” deklaroi Berisha.

Ai nënvizoi se opozita po përgatit një “luftë të fuqishme” për të mbrojtur të drejtën e votës, që sipas tij është cënuar rëndë.

“Kjo është rruga më e mirë për të mbrojtur çdo votë, për të faktuar para shqiptarëve dhe botës farsën elektorale të 11 majit të organizuar nga narkoregjimi. Partia Demokratike dhe opozita janë duke përgatitur një luftë të fuqishme për të mbrojtur të drejtën e votës së shqiptarëve,” shtoi Berisha, duke përshëndetur edhe raportet paraprake të vëzhguesve ndërkombëtarë që, sipas tij, “de facto e kanë rrëzuar legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve”.

Berisha reagoi ashpër edhe ndaj asaj që e cilësoi “terrori policor ndaj komisionerëve të PD-së”, duke denoncuar arrestimin e Luan Tollozhinës në Pogradec pas një incidenti me një përfaqësues socialist.

“E gjithë ngjarja është një kurth policor ndaj tij. Dënoj mbajtjen në burg të një qytetari që ka mbrojtur votën. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të Luan Tollozhinës,” u shpreh Berisha.

Në deklaratën e tij, kreu i opozitës paralajmëroi gjithashtu se “organizatat kriminale që kanë kapur zgjedhjet dhe disponojnë miliarda euro” do të shpallen organizata terroriste: “Ligji do të jetë i pamëshirshëm ndaj tyre, sepse janë bërë pengmarrës të demokracisë dhe të një kombi të tërë.”

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ambasada amerikane në Tiranë: Festojmë 250 vjet histori, liri dhe të ardhmen e ndritur përpara

Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar këtë të shtunë përmes një postimi në “Facebook” lidhur me 25-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së. Ambasada ka shpërndarë edhe...
09:51 | 04/07/2026

Ndërhyhet nga ajri me helikopter për shuarjen e zjarrit në malin e Shëngjinit, ulet intensiteti i flakëve

Zjarri i rënë prej mbrëmjes së të premtes në Malin e Shëngjinit, pranë lagjes “Sakë”, vijon të jetë aktiv, por me intensitet më të ulët....
09:30 | 04/07/2026

Presidenti Begaj uron SHBA-në për 250-vjetorin e Pavarësisë: Mirënjohje për mbështetjen ndër vite

Presidenti Bajram Begaj këtë të shtunë ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale dhe ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e...
08:43 | 04/07/2026