Bislimi: Vendimi i Serbisë për targat tregon se destabilizimet ishin të palogjikshme

26 Dhjetor 2023 | 18:10

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha të martën se vendimi i Qeverisë serbe për t’i lejuar automjetet me targa të Kosovës, RKS, të lëvizin brenda territorit të saj nga 1 janari është tregues se “të gjitha destabilizimet” që i ka bërë Serbia në lidhje me to ndër vite kanë qenë “të palogjikshme dhe të panevojshme”.

“Çështja e targave mbi 10 vjet ka qenë marrëveshje e pazbatuar e për 2 vjet marrëveshje e përdorur si mjet dhe qëllim për eskalim e destabilizim”, shkroi Bislimi në profilin e vet zyrtar në rrjetin social Facebook.

Më 25 dhjetor, Qeveria e Serbisë njoftoi se mori vendim për t’ua mundësuar lëvizjen e lirë të gjitha automjeteve nga Kosova në territorin e Serbisë nga muaji i ardhshëm.

Nuk është e qartë nëse targat e veturave nuk do të mbulohen më me letra ngjitëse kur ta kalojnë kufirin – siç ndodh aktualisht.

Për një gjë të tillë, Serbia ishte pajtuar me marrëveshjen e vitit 2011, të arritur mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Me vendimin për njohjen e targave RKS nga ana e Serbisë, shkon drejt fundit një proces i gjatë i çështjes së targave e mosnjohjes së tyre nga pala serbe. Në shtator 2021, Serbia e përdori këtë çështje për të kërcënuar Kosovën e fluturuar Mig-at përreth kufirit tonë”, tha Bislimi.

Para praktikës së letrave ngjitëse, automjetet me targa RKS detyroheshin të merrnin targa provuese në kufirin me Serbinë, që vlenin 60 ditë dhe kushtonin pesë euro. Por, më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës kishte vendosur masën e reciprocitetit, që detyronte edhe shoferët nga Serbia ta kalonin të njëjtën procedurë për të hyrë në Kosovë.

Por, kjo masë nxiti pakënaqësi në mesin e popullatës serbe në Kosovë, të cilët bllokuan rrugët që çonin në pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

“Fatkeqësisht, është dashur të kalojnë 18 muaj me tensione e barrikada nga ana e Serbisë, rezistencë dhe insistim në nivel teknik që stikersat të jenë zgjidhje permanente, si dhe tërheqje nga institucionet në nëntor të vitit të kaluar, për të ardhur në përfundimin që është i njëjtë me propozimin fillestar të Kosovës”, theksoi Bislimi.

Për të ulur tensionet, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më 30 shtator 2021, u arrit marrëveshja e përkohshme për targat.

Kjo marrëveshje, që kishte për qëllim të ishte në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjatë, bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve.

Bislimi e quajti maskim vendimin e fundit të Qeverisë serbe, duke thënë se “duhet të theksojmë dhe rikujtojmë, se ky nuk është konstruktivitet nga ana e Serbisë…ata duan ta kamuflojnë pas dështimit në Banjskë dhe dështimit të narrativës së tyre të ushqyer për kaq shumë kohë në Bruksel”.

LEXONI GJITHASHTU: 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA-të shtrëngojnë kontrollin para Kupës së Botës, mbikëqyrje e veçantë për delegacionin iranian

Ndërsa afrohet fillimi i Kupës së Botës 2026, autoritetet amerikane kanë njoftuar kontrolle të hollësishme sigurie për të gjithë anëtarët e delegacionit iranian që udhëtojnë...
09:07 | 03/06/2026

Aksident i shumëfishtë në Levan-Tepelenë, përplasen 5 automjete

Një aksident i rëndë ka ndodhur të martën në aksin Levan-Tepelenë, në afërsi të fshatit Fratar. Pesë automjete janë përplasur mes tyre, përfshirë edhe një...
14:20 | 02/06/2026

Gjurmët e konfliktit rajonal në turizëm, Hotelet në Dubai ofrojnë zbritje dhe paketa speciale për të tërhequr turistët

Turizmi në Dubai po shfaq shenja rimëkëmbjeje pas muajsh pasigurie të shkaktuar nga konflikti rajonal me Iranin, por autoritetet dhe bizneset e sektorit të mikpritjes...
07:45 | 02/06/2026