Më 16 janar, deputetët e Bosnjë e Hercegovinës votuan pro një vendimi historik për të lidhur rrjetin e gazit të shtetit me atë të Kroacisë, një hap që erdhi pas presionit të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund varësisë energjetike të Bosnjës nga Rusia.
Aktualisht, Bosnja është plotësisht e varur nga gazi rus, të cilin e merr përmes gazsjellësit “Rrjedha Turke” – i vetmi gazsjellës funksional që transporton gazin rus për në Evropë – si dhe përmes interkoneksionit me Serbinë, në lindje të shtetit.
Ambasada amerikane në Sarajevë e mirëpriti këtë hap të rëndësishëm për Bosnjën dhe theksoi se ky vendim ka një rëndësi të madhe për sigurinë kombëtare të të dyja vendeve, duke adresuar shqetësimin për varësinë e Bosnjës nga gazi rus. Në një deklaratë, ambasada nënvizoi se SHBA-ja nuk dëshiron që asnjë nga miqtë dhe partnerët e saj në Evropë, përfshirë Bosnjën, të ekspozohen ndaj mundësisë së shantazhit rus.
Bosnja, me një popullsi prej 3.5 milionë banorësh, ka konsumuar 225 milionë metra kubik gaz gjatë vitit 2023. Kjo lëvizje ka për qëllim diversifikimin e furnizimeve me energji dhe uljen e varësisë nga Rusia, duke krijuar mundësi për një furnizim më të sigurt me gaz.
Projekti për lidhjen e rrjetit të gazit përfshin ndërtimin e një gazsjellësi prej 180 kilometrash, ku 160 kilometra do të jenë në territorin e Bosnjës, dhe do të lidhë sistemin e gazit të Bosnjës me terminalin e gazit të lëngshëm natyror në ishullin Krk të Kroacisë. Vlera e këtij projekti është llogaritur në rreth 200 milionë euro.
Për vite me radhë, ndërtimi i gazsjellësit ka qenë një temë e debatueshme, ku partia kryesore bosnjako-kroate ka kërkuar që ai të ndërtohet nga një kompani e re, e cila do të dominonte nga komuniteti kroat. Megjithatë, projekti do të menaxhohet nga një kompani ekzistuese publike, duke pasur parasysh interesat e përbashkëta për të siguruar energji të qëndrueshme dhe të sigurtë.
LEXONI GJITHASHTU:
- Hill: Rusia filloi të përdorë rafinerinë në Serbi për të financuar luftën
- Zbardhet arsyeja e vetos bullgare për integrimin e Serbisë në BE