Kamera e emisionit “Real People” ka vizituar Fierin, ku personazh i kësaj jave ishte Anxhelo, një shtetas italian që jeton dhe punon në Shqipëri.
Ai ka hapur një servis për rregullimin e makinave në Patos që në vitin 1995 dhe më pas e ka transferuar në Fier në vitin 2008.
Anxhelo, i cili ka ardhur nga Italia dhe është vendosur në Fier, thotë se i pëlqen Vlora për shkak të detit, por shton se Shqipëria ka qytete të bukura si Berati dhe Gjirokastra.
Ai përmend origjinën e gruas së tij, që është nga Gjirokastra dhe tregon se ka ardhur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1993 ndërsa thotë se nusja e tij punon te Instat në Fier.
“Nusen e kam me origjinë nga Gjirokastra. Në Shqipëri erdha në vitin 1993 dhe atëherë solla disa mallra si pjesë këmbimi, ndërsa në vitin 1995 ndërtova servisin tim në rrugën për Patos. Nga viti 1995 deri në vitin 2008 punova te servisi në Patos, ndërsa nga viti 2008 deri tani jam vendosur në Fier. Te censi i popullsisë e vendosa se jam italian, pasi unë rri këtu me dokumenta italiane, nuk kam pasaportë shqiptare por jam me leje qëndrimi akoma”, thotë ai.
Anxhelo tregon gjithashtu se ka pasaportë italiane dhe ende nuk ka marrë dokumenta shqiptare, për të ruajtur asistencën sanitare në Itali.
“Nusja ime ka dokumenta italiane, por unë nuk kam marrë ende dokumenta shqiptare, sepse nuk dua të humbas asistencën sanitare që kam në Itali,” – shton ai.
Anxhelo shpjegon se servisi i tij merret me karambola dhe lyerje makinash, ndërsa tregon se nuk ka pasur aksidente të rënda, përveç disa karambolave të vogla.
“Këtu kemi servis për karambola dhe lyerje makinash dhe pjesëve gjenerike. Nuk kam bërë ndonjë aksident të madh, thjesht karambol të vogël. Kam dhe patentë italiane dhe shqiptare të cilën e kam marrë në vitin 1994 ndërsa në atë kohë patentat në Shqipëri kushtonin 30 euro”, kujton ai.
Anxhelo flet gjithashtu për punonjësit e tij, duke përmendur Hysniun, që ka 5 vjet që punon me të, dhe Lencin, i cili ka mbi 20 vjet që punon në servis.
“Këtu kam punëtor Hysniun dhe kunatin e djalit tim të martuar. Hysniu ka 5 vjet që punon me ne, ndërsa Lenci ka më shumë se 20 vjet. Kur u punësua ishte beqar ndërsa tani është i martuar dhe ka dy vajza”, thotë ai.
Në përfundim, Anxhelo përshkruan periudhën kur ka ardhur për herë të parë në Shqipëri, duke e krahasuar me kushte shumë më të vështira se ato që janë tani.
“Kur kam ardhur në Shqipëri, nuk kishte as rrugë, as telefon, as makina. Për shembull, kur shkoja nga Tirana në Fier për një porosi, udhëtoja 6 deri në 7 orë, ishte si një aventurë,” –thotë Anxhelo.
I pyetur nga Flori Gjini se përse vendosi që të vinte në Shqipëri dhe pikërisht në Fier, Anxhelo shpjegon si rrodhën ngjarjet.
“Kisha një emigrant shqiptar në Siçili, i cili ishte nga Shkodra dhe banonte me mua. Ai më tha se do ikte në Shqipëri te familja e tij në Shkodër dhe më ftoi që të shkoja me të. Se njihja fare Shqipërinë dhe shkova me atë. Në Shqipëri takova disa shokë italianë dhe po ashtu shkova në familjen e këtij djali në Shkodër dhe ai qytet ishte në një nivel më të lartë. U ktheva përsëri në Itali dhe fillova të vija shpesh ndërsa në Fier u vendosa pasi takova disa kolegë italianë që kishin njohje në Fier”, përfundon ai.
LEXONI GJITHASHTU:
- Rrefehet në ‘Real People’ Anisa, shqiptarja që ka punuar me Aniston dhe Witherspoon
- Feruzja për “Real People”: Nuk e lë fshatin Ballagat për qytetin