Çfarë i duhej Putinit ‘ligji ushtarak’ në zona të pushtuara tashmë? Për çfarë mund të jetë duke u përgatitur ai?
Putin sapo ka vendosur ligjin ushtarak në territoret ukrainase të aneksuara tashmë, duke ngritur shqetësimin se çfarë ky vendim mund të nënkuptojë në një kohë kur këto rajone ishin ‘përqafuar’ tashmë nga ‘Nëna Rusi’.
Çfarë ndryshon pas këtij vendimi?
Vladimir Putin shpalli gjendjen ushtarake në Ukrainën e pushtuar, duke i dhënë atij fuqi të reja gjithëpërfshirëse mbi civilët.
Ky vendim vjen pasi zyrtarët rus urdhëruan evakuimin nga qyteti i Kherson-it, ndërsa forcat e Ukrainës po përpiqen ta rimarrin qytetin.
Sipas analistëve, nëse ushtria e Putin detyrohet të largohet nga qyteti, kjo do të ishte një disfatë ‘poshtëruese’ e cila mund të rezultonte në një kundërpërgjigje fatale nga Rusia që mund të ketë qenë arsyeja kryesore pse presidenti rus e ndërmori këtë urdhër që në fillim.
Frika po rritet në komunitetin ndërkombëtar se Putini mund të jetë duke planifikuar një shfaqje të forcës së tij bërthamore mbi Detin e Zi, si mënyra e vetme për t’i shpëtuar një ‘poshtërimi të turpshëm’ në qytetin e Khersonit që ka bërë një rezistencë të paprecedentë për javë të tëra.
Urdhri i Putin prek gjithashtu Krimenë e pushtuar dhe Krasnodarin, Belgorodin, Bryansk, Voronezh, Kursk dhe Rostov, të cilat janë të gjitha në territorin e Rusisë në kufi me Ukrainën. Është e paqartë saktësisht se cilat masa do të hyjnë në fuqi këtu, megjithëse urdhri i Putinit nuk e quan atë një ‘ligj të plotë ushtarak’.
Putin e bëri njoftimin menjëherë pasi Sergei Surovikin, komandanti i tij i ri në Ukrainë, me nofkën ‘Gjeneral Armagedoni’, tha se situata në Kherson është ‘e tensionuar’.
Evakuimet filluan atje sot pasi Vladimir Saldo, njeriu i Kremlinit në qytet, tha se deri në 60,000 njerëz do të zhvendosen në 6 ditët e ardhshme – duke sugjeruar se ky qytet mund të sulmohet brenda javës.
Administrata po lëviz gjithashtu, shtoi Saldo, megjithëse u zotua se Rusia do të ‘luftojë deri në vdekje’ për të rimarrë kontrollin e plotë.
Spekulimet janë rritur se Putini mund të përgatisë një lloj shfaqjeje bërthamore të forcës, duke përfshirë shpërthimin e parë në ‘ajër të hapur’ të një bombe bërthamore që nga vitet 1960 – potencialisht mbi Detin e Zi .
Downing Street ka paralajmëruar sot se Putin do të përballet me ‘pasoja të rënda nëse armët bërthamore përdoren në luftë.
“Ne jemi shumë të qartë me Putinin se përdorimi i armëve bërthamore do të çojë në pasoja të rënda,” thuhej në deklaratën e Downing Street.
“Regjimi i Kievit refuzoi të njohë vullnetin e popullit, refuzon çdo propozim për negociata, të shtënat me armë vazhdojnë, civilët po vdesin”, tha Putin, pasi akuzoi Ukrainën për përdorimin e ‘metodave terroriste’.
“Ata dërgojnë grupe sabotazhi në territorin tonë,” tha ai, duke pretenduar se Moska kishte penguar sulme të tjera pasi ura e saj e Krimesë ishte shënjestruar “duke përfshirë objektet tona të energjisë bërthamore”.
“Ne po punojmë për zgjidhjen e detyrave shumë komplekse në shkallë të gjerë për të garantuar sigurinë dhe për të mbrojtur të ardhmen e Rusisë”, shtoi ai.
Shqetësimi në rritje është fakti se Rusia pritet të kryejë një test vjetor të armëve të saj bërthamore brenda disa ditësh në një stërvitje të quajtur “Grom”, por ende nuk e ka njoftuar Uashingtonin se kur ajo do të zhvillohet.
Sipas traktateve që rregullojnë përdorimin e armëve bërthamore, Rusia supozohet të informojë SHBA-në përpara se të kryejë stërvitje bërthamore për të shmangur rrezikun që një test të ngatërrohet me një lëshim aktual – gjë që mund të shkaktojë një përgjigje potencialisht shkatërruese. Po kështu, SHBA-ja duhet ta njoftojë Moskën.
“Jo, nuk kemi marrë asnjë lloj njoftimi zyrtar”, tha të hënën një zyrtar ushtarak amerikan.
Në të njëjtën kohë, NATO po kryen stërvitje që përfshijnë forcat e veta bërthamore me bombardues me rreze të gjatë dhe avionë luftarakë në Belgjikë, Detin e Veriut dhe Mbretërinë e Bashkuar.
“Stërvitja, e cila zgjat deri më 30 tetor, është një aktivitet trajnimi rutinë, i përsëritur dhe nuk është i lidhur me ndonjë ngjarje aktuale botërore,” deklaroi aleanca në faqen e saj të internetit javën e kaluar.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka komentuar mbi shënjestrimin e furnizimeve me energji elektrike nga ushtria ruse duke i quajtur ato një krim sipas ligjeve të konfliktit të armatosur, i cili po “shkakton ndërprerje masive” duke detyruar spitalet të përdorin gjeneratorë rezervë.
Është raportuar se si pasojë e këtyre sulmeve të përqendruara, rreth 30% e centraleve elektrike të Ukrainës janë bombarduar brenda 1 jave duke lënë rajone të tëra pa drita dhe pa ujë.
LEXONI GJITHASHTU:
- Fjalët e Xi Jinping që thuajse e konfirmojnë luftën e ardhshme në Tajvan
- Putin dhe Xi kërcënojnë ‘rrëzimin’ e dollarit amerikan, ja cili është plani
- Cila është një nga format më të sofistikuara të basteve që vënë politikanët?