Çfarë ishte kaq e ‘tmerrshme’ rreth planit të paqes që propozoi Elon Musk?

7 Tetor 2022 | 19:57

Në shkurt, kur Rusia nisi pushtimin e saj, shërbimet e internetit në Ukrainë pësuan ndërprerje thuajse të menjëhershme duke lënë qytetarët ukrainas në një situatë të pashpresë për sa i përket komunikimit mes njëri tjetrit.

Dhe a ju kujtohet se cili ishte ai që erdhi në shpëtimin e tyre?

Askush tjetër përveç njeriut më të pasur në botë, Elon Musk.

Duke mos pasur frikë nga një hakmarrje e mundshme nga Rusia, Musk rizgjoi burimin e internetit në Ukrainë duke nisur sistemet e tij satelitorë Starlink drejt vendit të prekur nga sulmet ruse. Për këtë, ai mori shumë falënderime si nga Ukraina edhe nga mbështetësit e tij në mbarë botën.

Por, 7 muaj më vonë, Musk nuk po merr më të njëjtën lloj dashurie.

Dhe arsyeja për këtë u bë pikërisht fakti që miliarderi Elon Musk vendosi të fliste me zemër të hapur në Twitter-in e tij personal, duke ofruar atë që ai e quajti një ‘propozim paqeje’ në formën e një plani me 4 pika.

Është e paktë të thuhet se ky plan tërhoqi me vete një lumë reagimesh negative – nga sharjet tek kërcënimet.

Foto ilustruese e një grafiti pro paqes në Ukrainë në Varshavë, Poloni

Cili ishte “plani i paqes” i Elon Musk?

Pika e parë ishte ribërja e zgjedhjeve në territoret e aneksuara në Ukrainë nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara.

Musk tha se nëse do të ishte vullneti i popullit, Rusia do të udhëhiqte në këtë skenar.

Pika e dytë, e cila sugjeronte se ukrainasit mund të konsideronin heqjen dorë nga Krimea, thoshte se: “Krimeja, formalisht pjesë e Rusisë siç ka qenë që nga viti 1783, përpara gabimit të Hrushovit”.

Me këtë, Musk i referohet ish-liderit sovjetik, Nikita Hrushov, i cili e kaloi Krimenë nga Republika Sovjetike e Rusisë në Republikën Sovjetike të Ukrainës, si një lëvizje që synonte të forconte Bashkimin Sovjetik.

Pika e 3-të.

Musk sugjeroi që furnizimi me ujë duhet t’i garantohet Krimesë (një problem i vazhdueshëm që nga viti 2014, pasi furnizimi me ujë për këtë gadishull vjen nga pjesa ukrainase në veri).

Dhe së fundi, pika e katërt dhe ndoshta më provokuesja për shumë njerëz, Musk shkroi se Ukraina duhet të mbetej neutrale – për hir të paqes.

Kaq mjaftoi për të ngjallur një stuhi agresive kundër tij në rrjete sociale.

Si fillim, plani i Musk u refuzua masivisht nga autoritetet ukrainase dhe ukrainasit, të cilët e panë atë si një kërkesë për kapitullim.

Vetë presidenti Volodymir Zelensky u përgjigj duke postuar në Twitter një sondazh të tijin i cili pyeste ndjekësit se ‘kë Elon Musk preferonin – atë që e mbështet Ukrainën apo atë që mbështet Rusinë?”

Pati edhe shumë ofendime. Dhe mijëra sharje. Por ato nuk ka pse t’i cekim këtu.

Ndërkohë, mendimi ishte negativ edhe në qarqet politike në Perëndim.

“Të sugjerosh që t’i japim fund pushtimit rus thjesht duke i dhënë Rusisë pjesë të Ukrainës – pas gjithë vuajtjeve – është e kotë,” deklaroi senatori amerikan Lindsey Graham në Twitter më 5 tetor. “Është gjithashtu një fyerje për guximin e ukrainasve që luftojnë për të mbrojtur atdheun e tyre”.

“Dhe sa për ‘faljen’ e Krimesë – ta bësh këtë do të thotë të legjitimosh një karrem nga Rusia dhe të japësh një sinjal për aktorët e tjerë malinj që të marrin atë që dëshirojnë – me forcë! Nëse Elon Musk dhe të tjerët duan që bota të vazhdojë të jetë në kaos, atëherë le të kapitullojmë dhe të shpërblejmë agresionin e Putin”, vazhdoi ai.

Përgjigja e Musk

“Duke supozuar se ju besoni se vullneti i njerëzve ka rëndësi, ne duhet, në çdo rajon të caktuar konflikti, të mbështesim vullnetin e atyre që jetojnë atje,” u përgjigj Musk. “Shumica e Ukrainës dëshiron pa mëdyshje të jetë pjesë e Ukrainës, por disa pjesë lindore kanë shumicë ruse dhe preferojnë Rusinë.”

Ai më pas i shoqëroi komentet e tij me një hartë elektorale të Ukrainës nga viti 2012 – para aneksimit të Krimesë nga Rusia – qëllimi i së cilës ishte të tregonte se ka rajone të vendit që janë pro-ruse.

Më poshtë është harta elektorale e vitit 2012. Blu është partia pro-ruse.

Lufta e Tretë Botërore

Kritikat e shumta ndaj Musk e detyruan atë të shpjegonte se pozicioni i tij ishte i motivuar nga frika e një lufte botërore, një frikë të cilën ai e kishte ekspozuar edhe një ditë më parë duke thënë se konflikti Rusi-Ukrainë mund të përshkallëzohej në një luftë të gjithanshme me pasoja të mëdha jo vetëm për Ukrainën por edhe për botën.

“Unë jam një tifoz i madh i Ukrainës, por jo i Luftës së Tretë Botërore,” tha Musk më 6 tetor.

A është Musk pro-rus apo thjesht dikush që vërtet po kërkon paqen?

Gjëja më e rëndësishme, në fakt, rreth të gjithë këtij debati është se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po shqyrtonte pikërisht të njëjtin plan, më të njëjtat pika të prezantuara nga Musk, vetëm pak muaj më parë – kur ai pranoi publikisht se kishte hequr dorë prej kohësh nga anëtarësimi i Ukrainës në NATO dhe se ishte i gatshëm të negocionte për rajonin e Donbasit dhe Krimenë.

Ndërkohë, krejt papritur, të njëjtat pika që dikur ishin “në tavolinë” dhe që dikur ishin pjesë e kushteve të Rusisë gjatë bisedimeve të paqes me Ukrainën, sot nuk janë më as një opsion i mundshëm. Është një “JO!” e prerë nga Perëndimi dhe Zelensky. E panegociushme!

Teksa qëndrojmë, në pritje, të përballur me këtë realitet thuajse absurd të cilin askush nuk e zgjodhi, është e vështirë të dëshmosh se sa shumë ka ndryshuar bota në kaq pak kohë.

Dhe është mbase edhe më e vështirë të kuptosh se si një propozim paqeje që mundet shumë bukur të kishte qenë pjesë e zgjidhjes vetëm disa muaj më parë, sot është krejtësisht jashtë çdo diskutimi.

Dhe natyrshëm mbase lind pyetja: Çfarë do të duhet?

Çfarë do të duhet që – përfundimisht – t’i jepet si Ukrainës por edhe të gjithëve ne…e shumë-kërkuara paqe?

LEXONI GJITHASHTU: 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Kemi një armik të ri”, Rama: Do përfshihen shkollat në parandalimin e zjarreve

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të shtunë një kapitull të ri për Mbrojtjen Civile në vend, gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Farkë, në...
10:09 | 04/10/2025

Droni rus godet një ndërtesë banimi në Kiev

Një dron rus ka goditur një ndërtesë banimi në Kiev mbrëmjen e së premtes, pak pasi ranë sirenat për të paralajmëruar sulme në kryeqytetin ukrainas...
09:42 | 26/10/2024

Rusia kryen një valë sulmesh ajrore ndaj Kievit, si reagoi mbrojtja ukrainase

Rusia ka kryer disa valë sulmesh me dronë që kanë shënjestruar Kievin mëngjesin e së hënës, teksa mbrojtja ajrore ukrainase tha se me sukses ka...
11:09 | 30/09/2024