English

Çfarë nënkupton për Kinën kthimi i Trumpit

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Ish-presidenti Donald Trump e ka mposhtur nënpresidenten Kamala Harris në garën presidenciale të Shteteve të Bashkuara, më 5 nëntor.

- Advertisement -

Kjo nënkupton se kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të ketë implikime shumë përtej Shteteve të Bashkuara.

Më poshtë mund të lexoni se çfarë do të nënkuptonte për Kinën një administrate tjetër Trump.

Pekini dhe Uashingtoni janë dy ekonomitë më të mëdha të botës dhe kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të ketë ndikim të madh në mënyrën se si do zhvillohen marrëdhëniet mes dy rivalëve të fuqishëm.

Kur bëhet fjalë për Pekinin, në Uashington ka njëfarë pajtueshmërie të përqendruar në frenimin e ngritjes së vazhdueshme të Kinës në arenën botërore.

Gjatë mandatit të kaluar të Trumpit kishte luftë tregtare, pasi ai vendosi tarifa ndaj mallrave kineze në vlerë qindra miliarda dollarë, si dhe e nisi një fushatë globale kundër gjigantit kinez Huawei.

Presidenti Joe Biden, ndërkohë, gjatë katër vjetëve mandat përdori ton më të matur krahasuar me Trumpin, por edhe administrata e tij vendosi kontrolle ndaj eksportit dhe investimeve të industrive kineze të teknologjisë, si dhe tarifa ndaj mallrave si, veturave elektrike kineze (EVs).

Me gjithë këtë, ende ka dallime të rëndësishme afatshkurtra dhe afatgjate për liderin kinez, Xi Jinping.

Një këndvështrim mbi Trumpin

Nëse Harris përfaqësonte qasje më të parashikueshme dhe më tradicionale të politikës së jashtme amerikane, Pekini nuk e di çfarë të presë nga Trumpi.

Ish-presidenti ka kërcënuar me vendosjen e tarifave prej 60 për qind ndaj të gjitha importeve nga Kina dhe ka folur haptazi për dëshirën për një luftë tjetër tregtare. Këto nuk janë lajme të mira për Pekinin, i cili përballet me një ekonomi të ngadalësuar dhe po shqyrton mundësinë e përdorimit të stimulit fiskal.

Analistët kinezë i kanë parë nganjëherë përçarjet e Trumpit brenda vendit dhe moton e tij për politikë të jashtme “Amerika së pari”, si përfitime për Pekinin, i cili po përpiqet ta tejkalojë Uashingtonin në skenën globale.

Kjo mund të duket më joshëse nëse Trumpi, i cili i ka vënë në pikëpyetje aleancat tradicionale të SHBA-së, i prish marrëdhëniet me partnerët e SHBA-së në Evropë dhe Azi dhe lë hapësira diplomatike për Pekinin.

Për Harrisin, analistët besonin se do ta vazhdonte qëndrimin e Bidenit në ndërtimin e një rrjeti aleatësh dhe partnerësh për ta frenuar Kinën. Për këtë, këshilltar i saj për siguri kombëtare, Philip Gordon, tha në maj se ishte përparësi për Uashingtonin kundër Pekinit dhe kundër armiqve të tjerë të SHBA-së.

“Ne jemi në pozitë të volitshme për ta fituar këtë garë gjeopolitike, deri në atë shkallë saqë Rusia dhe Kina me autokraci të tjerë të rreshtohen kundër nesh… prandaj, presidenti dhe nënpresidentja kanë investuar kaq shumë kohë në këto aleanca”, tha ai asokohe.

Po, por: Trumpi ka thënë se dëshiron t’i japë fund shpejt luftës në Ukrainë dhe ka theksuar se Tajvani nuk po e paguan mjaftueshëm Uashingtonin për mbështetjet që Qeveria amerikane po ia jep. Por, përparësitë për Pekinin nuk janë aq të qarta.

Derisa dhënia fund e luftës në Ukrainë nga Trumpi – nëse është e mundshme – mund ta trimërojë Pekinin të veprojë ndaj Tajvanit në të ardhmen, ajo mund gjithashtu t’i japë më shumë hapësirë Uashingtonit të përdorë më shumë burime në Indo-Paqësor për ta sfiduar më drejtpërdrejt Kinën.

Pse ka rëndësi?

Pavarësisht se kush do ta kishte fituar garën presidenciale në SHBA, Pekini ka pritur pak përmirësime në marrëdhëniet e tij të tensionuara me Uashingtonin.

Triumfi i Trumpit vjen në një kohë të rëndësishme për të dyja vendet, veçanërisht pasi Xi-ja synon ta shndërrojë Kinën në një qendër alternative të fuqisë globale.

Xi-ja beson se Perëndimi – posaçërisht Shtetet e Bashkuara – kanë marrë tatëpjetën. Ai i tha presidentit rus, Vladimir Putin, vitin e kaluar se “jemi duke jetuar në një kohë të ndryshimit të madh historik, që nuk e kemi parë në 100 vjet”.

Kevin Rudd, ambasador i Australisë në Uashington, i cili u takua me Xi-në disa herë, thotë se këto pikëpamje pasqyrojnë sesi politikbërësit kinezë e shohin trajektoren e Shteteve të Bashkuara dhe se Xi-ja i “sheh forcat e historisë duke lëvizur në mënyrë vendimtare në drejtim të Kinës”.

Në mandatin e tij të dytë, Trumpi do të jetë në pozitë vendimtare për të dëshmuar nëse Xi-ja ka të drejtë apo është gabim.

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

A mendoni se dhënia e 2 bonuseve për pensionistët këtë vit lidhet me fushatën elektorale?