Dëshmon në GJKKO Elton Kila, zbulon raportet me Suel Çelën dhe Florenc Çapjan

11 Nëntor 2025 | 13:41

Elton Kila ka dëshmuar këtë të martë në Gjykatën e Posaçme në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”. Kila gjatë fjalës së tij tregoi për ngjarjet kur biznesi i tij u dogj në dy raste të ndryshme, të cilat deri më sot kanë mbetur pa autorë.

Ai theksoi se në atë kohë nuk ruhej fare pasi sipas tij kishte vetëm konflikte të vogla pa interes. Kila më tej foli edhe lidhur me raportet e tij me Suel Çelën teksa theksoi se e njeh që fëmijë. Ai u shpreh se me Suel Çelën është takuar në vitin 2015 për herë të fundit.

Sipas tij ai ka patur konflikt me Florenc Çapjan. Kila gjithashtu foli lidhur me vrasjen e regjistruar në Bradashesh në dhjetor 2018 ku mbetën të vrarë 3 persona. Ai u shpreh se ditën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë në burg.

Ai shtoi se Erjon Alibej e njeh po sipas tij ai “është askushi për të”. Nga të pandehurit ai theksoi se njeh edhe Gentjan Sharrën dhe Xhuljan Hoxhën.

“Kam qenë i dëmtuar nga një akt kriminal, ngjarje e ndodhur në 2017 dhe 2018. Kam një biznes prej 25 vitesh, në fushën e automjeteve. Në 2017 ka patur një tentativë për shkatërrim prone, nuk është zbuluar rasti, ne 2018 është tentuar shkatërrimi totalisht i biznesit. Në Bradashesh, Elbasan.

Unë e kam nisur në vitin 2003 si biznes dhe hap pas hapi kam hapur 4 biznese. Në 2013 kam hapur një bazë fikse aty ku vazhdoj dhe sot, edhe pas shkatërrimit. Përpara se të merresha me këtë biznes, kam jetuar jashtë, pastaj u riktheva. Kam drejtuar edhe biznese të tjera. Kam qenë në Francë, Gjermani dhe Zvicër, jam marrë gjithmonë me automjetet. Vetëm për këtë punë njihem në qytet.

Përveç kësaj pune, në 2006 kam hapur një palestër, ku përflitet edhe rasti i Emiljano Ramazanit. Në 2010 kam hapur një lokal në qendër të Elbasanit. Në 2017, ku ndodhi tentativa e shkatërrimit të biznesit, unë ndodhesha në shtëpi. Kisha mbyllur punën si zakonisht, kam patur edhe roje. Më thanë ka rënë zjarr, shkova fikëm zjarrin jashtë servisit.

Zjarrin e shoi zjarrfikësja, dëmi ishte gati 18 milionë lekë, u dogjën 3 automjete. Kam patur në atë kohë rreth 13 cope, kisha 2-3 punëtorë. Në kohën e ngjarjes ishte vetëm roja aty. U mbajt një procesverbal për këtë ngjarje, me pyeten të gjithë nga policia për ngjarjen. Është ngjarje pa autor, nuk mora përgjigje se kush e bëri.

Pati një zjarrvënie sërish ne 2018, në atë kohë kam qenë i arrestuar një kohë të shkurtër për makinat që sillja jashtë. Kam qenë i ndaluar deri sa erdhën dokumentat pas 45 ditësh nga Itali. Veprën penale e kreva në Itali, periudha në 2009, kam pas bashkëpunuar po në lidhje me automjetet.

Pas tre ditësh ndalim, vendosën zjarrin në biznesin tim. Ngjarjen e mora vesh përmes televizorit sepse isha i paraburgosur. Pasi dola nga burgu u interesova në polici. Sot e kësaj dite them që nuk kam asnjë lidhje me asgjë. Ka qenë një roje dhe një kompani sigurimi kur ndodhi ngjarja. Nga roja dëgjova diçka nga i biri, Arbër Ramollari i cili tha që ka qenë Eljo Bitri me dy të tjerë.

Eljo Bitri s’ma merrte mendje sepse rrinte shume afër punës time. E njihja, frekuentonim të njëjtin lokal, kaq asgjë tjetër. Pasi më tha Arbri, nuk desha ta bisedoja me Eljo Bitrin thjeshtë u distancova. Nisa vëzhgimin vetë të mësoja kush e bëri. Emrat e tjerë që mi tha Arbri nuk ishin persona të njohur prej meje dhe nuk i mbaj mend emrat. Rrethi im shoqëror aso kohe ishte shumë i gjerë, Genc Moço është shoku im i ngushtë. Bashkë na lidhte puna.

Unë s’kam patur kurrë konflikt me njeri. Që nga 2018 nuk kam as roje, as polici private asgjë. Nuk dyshoja te ndonjë person. Ditën që mora vesh që kane ardhur për të më vrarë atë dite kam ikur ne 7 të mëngjesit. U njoha me lajmet që kishte ngelur i plagosur një person, Nuredin Dumani dhe që ishte arrestur.

Në atë kohë kam qenë me familjen ika jashtë me avion në Gjermani. Më pas u ktheva me makinë. Atë kohë me thanë që shënjestër isha unë, nuk e besoja me thënë drejtën. Pas dy muajsh doli lajmi që atentati ishte për mua. Ma kanë thene dhe policët vërdall që flitej që u bë për mua. Nuredin Dumanin nuk e njihja, nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë. Unë këtë rast se nuk e lidhja me veten. Familjarët e mi më pyesnin a ke ndonjë problem, më pas kuptuan që vërtetë nuk kam lidhje me asnjë nga këta. Nuk kërkova të dija se për çfarë ndodhi dhe familja më kërkoi të ikja jashtë. I thash familjes nëse kane diçka le të vijnë se unë nuk kam frikë.

Unë nuk ruhesha fare, kam patur vetëm konflikte të vogla pa interes. Konflikte të tjera jo. Jam pyetur dhe në polici për këtë ngjarje. Unë isha në pritje që të dilte e vërteta. Nuk mësova asgjë. Po përflitesha shumë dhe kërkova te marr vesh diçka. Kur u arrestova unë kërkova të rrija vetëm. Kishte disa persona në paraburgim që ishin të njohur për mu.

Nipi i Ardjan Çapjas ishte në paraburgim, ai nuk jeton më. Është vrarë. Ai ka qenë në konflikt me Fadil Memën. Kam patur konflikt me Florenc Çapjan. Suel Çelën e njoh që kalama. Me Suel Çelën kam patur marrëdhënie pune, me vëllain e tij dhe me të atin me lidhte puna. Kemi qenë komshinj, dyert përballë.

Marrëdhënia ka qenë korrekte, disa here kam udhëtuar edhe me babain e Suelit. I ati i tij merrej me fruta-perime, unë me automjetet. Për ngjarjet që më ndodhën, Sueli dhe Marjo Çela nuk mu gjendën pranë sepse unë kam qenë i distancuar dhe nuk doja të diskutoja me askënd. Dhe me vëllezërit e mia nuk diskutoja” tha ai.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ministri Hoxha takim me ish-Presidentin François Hollande: Franca rol thelbësor në përcaktimin e së ardhmes evropiane

Për Ministrin Hoxha, kjo vizitë pasqyron marrëdhëniet e forta bilaterale mes dy vendeve tona, të mbështetura nga një dialog politik intensiv në nivelin më të...
14:43 | 24/06/2026

Çfarë tha Rama në mbledhjen me drejtuesit politikë? Zbardhen porositë e kryeministrit

Pas mbledhjes në selinë e Partisë Socialiste me drejtuesit politikë dhe kryeministrit Rama, gazetarja e Euronews Albania, Eksiola Shehu, solli më shumë detaje mbi atë...
10:14 | 24/06/2026

Dy automjete përplasen në Durrës, njëra del nga rruga dhe përfundon në kanal (VIDEO)

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e së martës në Durrës, në zonën e Ish-Kënetës, në rrugën “Azem Hajdari”. Sipas informacioneve paraprake, në...
18:49 | 23/06/2026