“Dielli dominon territorin shqiptar”, meteorologia: Java e fundit e shkurtit me mot të kthjellët

23 Shkurt 2026 | 09:40

Meteorologia Lajda Porja, e ftuar në një lidhje live për Euronews, tha se ndikimi i masave ajrore të qëndrueshme do të bëjë që java e fundit e këtij muaji të jetë me kthjellime dhe temperatura më të larta në të gjithë territorin shqiptar. Dielli do të jetë prezent pothuajse në të gjithë vendin, me mot kryesisht të kthjellët paradite, veçanërisht në bregdet dhe zonat e ulëta, ndërsa vranësira të lehta dhe kalimtare do të shfaqen në zonat malore.

Sipas parashikimeve, dita e sotme dhe pjesa tjetër e javës do të karakterizohet nga temperatura të qëndrueshme, ku maksimalet pritet të arrijnë 16-17°, ndërsa mëngjeset do të jenë pak të freskëta, por jo ekstremisht të ulëta. Era do të jetë kryesisht e lehtë, me shpejtësi jo më shumë se 35 km/h, duke bërë që dallgët të jenë të ulëta.

“E kemi parë ndryshimin që nga fundjava. Ishte parashikuar që java e fundit e shkurtit të ishte tipike si shkurt, duke qenë se për gati 20 ditë shkurti ka qenë mjaft i ngrohtë, por me reshje. Kjo javë do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme, duke bërë që dielli të jetë prezent pothuajse në të gjithë territorin. Paradite do të kemi mot të kthjellët kryesisht në bregdet dhe zonat e ulëta, ndërsa vranësira të lehta dhe kalimtare do të shfaqen në zonat malore. Në pjesën e dytë të ditës, jo vetëm sot, por gjatë gjithë javës, vranësirat bëhen më të dukshme. Megjithatë, zonat e bregdetit dhe shumë zona të qyteteve në pjesën perëndimore do të mbeten me mot të kthjellët. Parashikohet që vranësira të dendura të ketë në veri dhe verilindje. Dita e sotme do të ketë momente të pakta me flokë dëbore, ndërsa ditët e tjera, edhe zonat malore do të jenë kryesisht pa reshje. Sa i përket temperaturave, mëngjesi do të jetë pak i freskët, tipik për shkurtin. Sot, në qarkun e Dibrës termometri regjistron -2°, ndërsa maksimumi ngjitet deri në 16°. Nga e marta e në vijim parashikohet rritje e lehtë e temperaturave, duke bërë që në zonat malore të jetë -1° ose 0°. Mëngjeset gjatë gjithë javës do të jenë pothuajse konstante, ndërsa maksimalet do të arrijnë 17-18°. Pra, java do të jetë me temperatura relativisht të pandryshueshme, pa rritje apo ulje drastike. Era do të jetë kryesisht e lehtë dhe mesatare, me shpejtësi jo më shumë se 35 km/h, gjë që do të bëjë që dallgët të jenë të ulëta dhe të papërfillshme”, tha ajo.

Ky ndikim i qëndrueshëm do të shtrihet edhe në rajon, përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, ku paraditet do të jenë të kthjellëta, ndërsa pasditet me vranësira më të dukshme.

“Një javë e qëndrueshme na pret pothuajse në të gjithë territorin shqiptar. Sa i përket situatës në rajon, Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të kenë mot të kthjellët paradite. Në Kosovë, temperaturat minimale do të jenë -3°, ndërsa maksimalet 9°. Pas të mërkurës parashikohet rritje e temperaturave, me mëngjes -2° dhe maksimum 11-12°.

Kjo situatë do të na duket tamam si një situatë pranverore. Nga ora 9:30 deri në orën 14:00-15:00 do të kemi diell të bollshëm, të munguar për shumë ditë nga janari dhe shkurti. Le të shijojmë këto ditë dielli, të cilat pritet të na shoqërojnë deri në fund të shkurtit dhe gjatë javës së parë të marsit. Pranvera po futet në vend, ashtu siç e presim”, tha ajo.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Na pret një javë shumë e nxehtë”, meteorologia paralajmëron temperatura përvëluese deri në 40°C

E ftuar në një lidhje live për “Now” me Esmeralda Muljan, meteorologia Ladja Porja tha se, pas një fillimi normal të korrikut, pjesa e dytë...
10:15 | 13/07/2026

Rama, Macron dhe Meloni nuk folën për mediat, gazetari i Euronews Albania zbërthen prapaskenat në samitin e NATO-s

Gazetari i Euronews Albania, Xhemajl Rexha në një lidhje live nga Ankaraja ka zbuluar prapaskenat e mbërritjes së liderëve në samitin e NATO-s dhe arsyet...
10:25 | 08/07/2026

Ish-këshilltari i Clinton: Sazani i rrënuar, investitorët do derdhin miliarda dollarë për ta ndryshuar

Ish-këshilltari i presidentit Bill Clinton, Christopher Hyland, i ftuar këtë të hënë në studion e Euronews Albania me Esmeralda Mulaj, në një sërë çështjesh të...
12:24 | 29/06/2026