Durrës, kapen 294 mijë euro të fshehura në dy kamionë që transportonin makina nga Italia
Policia kufitare e portit të Durrësit njoftoi mbrëmjen e së premtes kapjen e rreth 294 mijë eurove të fshehura në dy kamionë që vinin nga Italia.
Kontrollet në port pikasën në një prej kamionëve që transportonin makina nga Italia në Shqipëri një shumë prej 282,265 eurosh të fshehura në pjesë të ndryshme të kabinës. Policia arrestoi drejtuesin e kamionit, i identifikuar si Ferdinant Mirukaj, 29 vjeç.
Në kamionin e dytë, autoritetet i pikasën drejtuesit të saj, Aldo Lika 34 vjeç, 11,765 euro në një çantë personale.
Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kalimin e pikave kufitare të Shqipërisë dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vite.
Udhëtarët, ose transportuesit duhet t’i deklarojnë detyrimisht duke filluar nga shuma 10 mijë euro e sipër. Në varësi të precedencës, udhëtarët që shkelin këtë rregull gjobiten me 10-20% të vlerës së shumës së padeklaruar.
Përveç dy të rinjve, të cilët janë proceduar për “mosdeklarim parashë në pikat kufitare”, policia tha se ka shpallur në kërkim edhe zotëruesin e kompanisë transportuese Erjon Jovani, 36 vjeç.
Autoritetet dyshojnë se Jovani shfrytëzon aktivitetin e tij tregtar për të pastruar para që vijnë nga aktiviteti kriminal.
Dy vite më parë përmes një rrugëtimi të ngjashëm, autoritetet kapën në disa makina të importuara një sasi parashë prej 3.4 milionë eurosh të padeklaruara. Për këtë shumë pati vetëm katër persona të arrestuar, ndërsa çështja u politizua me përplasje mes opozitës dhe pozitës në parlamentin e asaj kohe.
Erjon Jovani, 36-vjeçari i shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit për pastrim parash pas sekuestrimit të rreth 300 mijë eurove në port, është person me precedent penal. Ai është vënë në pranga në vitin 2016, ku në kamionin në pronësi të firmës së tij është kapur një sasi prej 189 kg kanabis.
Teksa Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar atë për trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim me shoferin e kamionit që kishte në pronësi, në vitin 2018 Jovani ka arritur të rrëzojë në Apel akuzën e trafikimit të narkotikëve dhe është dënuar vetëm për moskallëzim krimi, pasi gjykata ka vlerësuar se nuk është vërtetuar akuza tjetër.
Vritet një polic gjatë një operacioni në Maliq, plagoset një tjetër
Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 08:17 Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve
- 08:13 Vritet një polic gjatë një operacioni në Maliq, plagoset një tjetër
- 07:56 Rama publikon pamje me mbeturina nga Zvërneci: Kjo është parajsa që duan të mbetet e paprekur
- 07:40 Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus
- 07:18 SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk