Dy kosovarë ekstradohen në SHBA, akuzohen për mashtrim dhe vjedhje identiteti
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë tha se dy shtetas të Kosovës janë ekstraduar në SHBA, ku do të përballen me një aktakuzë për dëmtim të qytetarëve amerikanë.
Bëhet fjalë për dy të rinj – Ardit Kutleshin, 26 vjeç, dhe Jetmir Kutleshin, 28 vjeç – të cilët ishin arrestuar më 12 dhjetor të vitit të kaluar, në bazë të kërkesës së SHBA-së për ekstradim.
Ata akuzohen se mbikëqyrnin faqen e internetit Rydox, ku bëhej shitja e të dhënave personale të vjedhura “për kryerjen e krimeve kibernetike dhe mashtrimeve”.
“Ne e vlerësojmë shumë bashkëpunimin e vazhdueshëm të autoriteteve kosovare në ndihmën ndaj qeverisë amerikane për këtë çështje, duke forcuar përpjekjet tona të përbashkëta për të mbajtur të sigurta si Kosovën ashtu edhe Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së.
Sipas aktakuzës, Rydox kishte gjeneruar të paktën 230 mijë dollarë të ardhura që prej kur kishte filluar në shkurt të vitit 2016.
Ardit Kutleshi dhe Jetmir Kutleshi përballen me disa akuza për vjedhje identiteti dhe mashtrimi, të gjitha të lidhura me rolin e tyre si administratorë të faqes Rydox. Ata akuzohen se, ndër tjerash, kishin shitur të dhënat e kredit kartelave të mijëra “viktimave që jetojnë në SHBA”.
Sipas Departamentit të Drejtësisë, nëse shpallen fajtorë, ata mund të përballen me 20 vjet burg për akuzën e pastrimit të parave, dhjetë vjet burg për mashtrimin me kredit kartela, pesë vjet burg për secilën nga akuzat e vjedhjes së identitetit, si dhe një minimum të detyrueshëm prej 2 vjetësh burg për akuzën e vjedhjes së rëndë të identitetit, që duhet të ekzekutohet pas çdo dënimi tjetër.
LEXONI GJITHASHTU:
Deklarata e ministres serbe për spastrim etnik, reagon Ali Ahmeti: Tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme
Kosova shpall “Non Grata” ministren serbe pas deklartatës skandaloze për spastrim etnik
Deklaratat për spastrimin etnik të Kosovës, eurodeputeti italian Gozi thirrje Vuçiçit: Shkarko ministren Paunoviç
- 12:50 BE: Riintegrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë trajtohet në kuadër të dialogut
- 12:40 Gjendet e vdekur një foshnje në një festival në Miçigan, FBI shpërblim prej 15,000 dollarësh për identifikimin e autorëve
- 12:28 Vrasja e Martin Canit, Apeli lë në fuqi dënimin me 16 vite burg për Mario Përlleshajn
- 12:25 SHBA sulmon gjatë natës dy provinca në juglindje të Iranit, lëshuan 13 raketa
- 12:17 Spanja dhe Gjibraltari festojnë rënien e gardhit kufitar pas nënshkrimit të ‘marrëveshjes historike’
- 12:13 Mbi 140 tifozë të arrestuar në Paris pas gjysmëfinales së Kupës së Botës Francë-Spanjë