Haxhiu: Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 6 gusht
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet e qershorit të mbahet më 6 gusht, duke nisur nga ora 10:00.
“Deri atëherë mbetet detyrim politik dhe institucional i subjekteve parlamentare që të vazhdojnë dialogun. Dialogun mes tyre askush nuk duhet ta shohë si shenjë dobësie, por si dëshmi e përgjegjësisë demokratike”, tha Haxhiu në një konferencë për media.
Afati i fundit kushtetues për seancën konstituive ishte 7 gushti.
Sipas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese nga data e seancës konstituive nis edhe periudha 60-ditore, gjatë së cilës deputetët e legjislaturës së re duhet të zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon sërish në zgjedhje.
Pikërisht, për shkak të mosarritjes së konsensusit mes partive muaj më parë, vendi mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare në qershor, të tretat brenda një viti e gjysmë.
Caktimi i datës për seancën konstituive vjen në kohën kur bisedimet për një marrëveshje të mundshme për krijimin e institucioneve mes partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë pezulluar.
Më 15 korrik, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se ishte i detyruar që të pezullonte diskutimet me kreun e LVV-së, njëherësh kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, pasi në LDK ka një nismë për shkarkimin e tij nga kreu i partisë.
Më 10 korrik, Kurti u takua ndarazi me Abdixhikun dhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Përderisa Hamza tha pas takimit se partia e tij do të mbetej në opozitë, Abdixhiku shprehu gatishmëri për vazhdimin e takimeve.
LDK-ja ende nuk ka njoftuar se kur do të mund të mbahej Kuvendi i partisë ku do të diskutohej për nismën për shkarkimin e Abdixhikut. Vetë Abdixhiku e ka kritikuar këtë nismë duke thënë se rrezikon që ta lërë vendin pa institucione dhe mund të nxisë zgjedhje të reja në vjeshtë.
Partia në pushtet, LVV-ja e Kurtit, sipas rezultatit të certifikuar i ka fituar 53 mandate. PDK i ka fituar 22 ulëse, LDK 18 ulëse dhe Aleanca shtatë ulëse.
Për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re nevojiten 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh.
Partia e Kurtit, së bashku me partitë nga komunitetet pakicë joserbe i kanë numrat e nevojshme për këto dy procese. Por, për presidentin kërkohet një marrëveshje politike, pasi duhet prania e 80 deputetëve në dy rundet e para të votimit.
Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i ka 18 deputetë, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, të mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë në dy rundet e para të votimit.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, atëherë organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Nëse Kosova mban sërish zgjedhje, atëherë ato do të ishin votimet e katërta parlamentare që nga shkurti i vitit të kaluar.
Ngërçi politik, Vetëvendosje pret marrëveshje me LDK para konstituimit të Kuvendit
Deçan, 56-vjeçari humb jetën nga të shtënat me armë zjarri, dyshohet se u qëllua nga djali i tij
BE ndaj institucioneve të Kosovës: Ndaleni menjëherë rrënimin e villave në Ujman!
- 12:07 Guardiola refuzon të drejtojë kombëtaren italiane, spanjolli zgjedh pushimin pas largimit nga Manchester City
- 11:59 Zelensky do të udhëtojë drejt SHBA-së, zbulon se do të takohet me presidentin Trump në Uashington
- 11:50 Iu gjetën 300 doza kokainë dhe kanabis gati për shitje, vihet në pranga 16-vjeçari në Tiranë. Në kërkim bashkëpunëtorët
- 11:39 Mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së, Peleshi: Kemi hyrë në fazën përfundimtare të negociatave
- 11:25 Bllokohet Kapshtica të hënën, greva e doganierëve grekë do të pezullojë për 5 orë kalimin e mjeteve
- 11:05 Gjykata Administrative rrëzon padinë e Veliajt për prokurorin Ols Dado, nuk legjitimohet kërkesa