Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, dha detaje nga operacioni i uniformave blu, i ndërmarrë në bashkëpunim SPAK dhe partnerët ndërkombëtar, ku u godit një grup kriminal që merrej me trafikun e qënieve njerëzore. Në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarët Rrumbullaku bëri me dije se grupi merrej me falsifikimin e pasaportave të vendeve të Bashkimit Evropian, por dhe falsifikime të kartave të shëndetit dhe kartave bankare.
Ky grup kriminal dërgonte emigrantë të jashtëligjshëm në Britaninë e Madhe dhe Irlandë përmes Spanjës.
Pas akomodimit në hotele në Spanjë, klientëve u dërgoheshin dokumentet e falsifikuara përmes së cilave udhëtonin nëpërmjet aeroportove spanjolle drejt Britanisë dhe Irlandës.
Gjatë operacionit u lëshuan 31 urdhër arreste, si dhe u sekuestruan 25 mijë euro, 20 mijë paund si dhe sende të tjera me vlerë.
Deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit:
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Kombëtare Spanjolle, pas një hetimi intensiv 2-vjeçar në kuadër të skuadrës së përbashkët hetimore, realizoi operacionin “NOMADA” për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal, që vepronte kryesisht në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kontrabandimit të shtetasve.
Në kuadër të këtij operacioni, SPAK dhe GJKKO, caktoi masën e sigurimit personal “arrest në burg” për 31 shtetas për kryerjen e veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Falsifikimi i dokumentave”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”.
Nga 31 shtetas me masë sigurimi personal “arrest në burg” është bërë e mundur kapja dhe ekzekutimi i vendimit të gjykatës për 26 shtetas dhe për 4 shtetasit e tjerë u bë shpallja në kërkim, pasi rezulton se ndodhen jashtë shtetit, ndërsa 1 shtetas ndodhet brenda territorit shqiptar për te cilat strukturat operacionale janë angazhuar për kapjen e tij.
Në mes të personave të arrestuar është edhe një punonjës policie i nivelit zbatues.
Gjithashtu, për 6 shtetas, gjykata caktoi masën “arrest në shtëpi”.
Në vazhdimësi të këtij procedimi penal janë arrestuar edhe 5 shtetas të tjerë, ndërsa në Spanjë janë arrestuar 35 persona.
Veprimet operacionale u koordinuan me profesionalizëm edhe me homologët tanë në Itali e Kosovë, ndërsa për realizimin e operacionit në Shqipëri u angazhuan rreth 500 forca policore në disa qytete, si Tiranë, Durrës, Shkodër, Berat, Kukës dhe Shijak.
Gjatë operacionit u sekuestruan:
- 7 automjete;
- 1 laborator për falsifikimin e dokumenteve;
- 25 mijë euro;
- 20 mijë paund;
- 10 pasaporta italiane, greke, sllovene e karta identiteti të huaja;
- 1 armë gjahu;
- 10 laptop;
- 15 kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta
- monedha virtuale – BITCOIN;
- sasi lëndësh narkotike; 47 aparate celulare;
- 1 aparat luminator; bizhuteri dhe varëse floriri me vlerë të konsiderueshme dhe
- 120 kontrata noteriale shitblerje pronash të paluajtshme dhe automjetesh.
Nga veprimet operative, gjurmuese dhe hetimore rezulton se, subjektet kryesorë kryenin aktivitetin e jashtëligjshëm të falsifikimit të dokumenteve të udhëtimit, kryesisht dokumenteve të BE-së, ku përfshihen pasaporta, karta identiteti, leje
drejtimi automjeti, karta shëndeti dhe karta banke.
Këto dokumente të falsifikuara, përdoreshin në një shkallë të gjerë, për dhënien ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve, për të lehtësuar udhëtimin e migrantëve të parregullt shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, por jo vetëm.
Këto udhëtime kryesisht realizoheshin drejt aeroporteve spanjolle, veçanërisht atyre në Majorka, Madrid, Barcelona dhe Alikante.
Nga hetimi me metoda speciale rezultoi se, shtetasit shqiptarë largoheshin nga Shqipëria me pasaportat e tyre origjinale shqiptare për në vendet e BE-së, brenda zonës “Schengen”.
Dokumentet e falsifikuara u dërgoheshin më pas me postë në hotelet ku qëndronin në Spanjë ose në adresa rezidenciale.
LEXONI GJITHASHTU:
- SPAK operacion në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, goditet grupi kriminal
- Çfarë dihet deri tani nga vrasja e recepsionitit në Dhërmi