“Quhem Foti Stefanidhi. Nga fshati Draçovë. I persekutuar tërë jetën, që kur kam lindur”.
Me këto fjalë nis rrëfimin e tij 69-vjeçari Foti Stefanidhi. I persekutuar politik gjatë regjimit komunist.
Të atin nuk e ka njohur kurrë, pasi pak ditë përpara se ai të vinte në jetë, i’a pushkatuan.
“Emrin ma ka vënë babai nga burgu, -shprehet ai. I tha nënës kur vajti e takoi vërja emrin Foti. Pas ca ditësh babain e pushkatuan.”
Pas vrasjes së babait, nis edhe kalvari i vuajtjeve për familjen Stefanidhi. As Foti, as vëllezërit e motra më e madhe, nuk arritën të shkolloheshin, pasi sistemi ua refuzoi të drejtën e studimit, ashtu si të gjithë të persekutuarve të regjimit.
“Na ndiqnin. Tërë kohën me vuajtje”.
I ndodhur në këto kushte, pa asnjë rrugëzgjidhje tjetër, vëllai i madh i Fotit vendos të arratiset për në Greqi. Ai arriti të largohet, por pasojat ranë mbi familjen.
6 muaj pasi arratiset vëllai, familjen e internojne në Këlcyrë, ndërsa Foti, asokohe 24 vjeç arrestohet.
“Të hënën u arrestova unë, të martën u arrestua motra, se i gjetën një ikonë në shtëpi dhe e akuzuan se donte të përhapte fenë”, kujton Foti.
Pas një procesi të gjatë në hetuesi dhe një akuze të sajuar siç pohon Foti, ju desh të përballej dhe me dënimin me burg.
Ai thotë se në burg ka ndenjur për 13 vite, në Spaç dhe në Qafë Bari.
Pjesëmarrës në revoltën e Qafë Barit, arrin të dalë i gjallë nga Kampi, por shokët e tij nuk patën të njëjtin fat.
“I pushkatuan të gjithë. Sokol Sokoli, Ndue Pisha, Tom Ndoji. Kur pashë në një fotografi këtë radhë kur shkova në Qafë Bari, më dolën lot pa dashje për Tom Ndojin, se kemi qenë afër fare, flinim ngjitur me atë. Të katër këtë u pushkatuan. Njërin nga këta, Sandër Sokolin e këputën në mes dhe e futën të gjallë në varr. Të gjallë. Të tjerët i morën si thasë çimento dhe i hodhën në makinë”, tregon ai.
Për këtë masakër Foti bën fajtor një njeri. Komandantin e Kampit të Qafë Barit.
“Edmond Caja, Edmond Caja ka qenë shkaktari.”
Pas vuajtjeve në burg, Foti lirohet dhe shkon në Këlcyrë, atje ku familja ishte internuar. Por edhe pas viteve ’90 kur komunizmi ra, ai nuk pati mundësi të largohej nga streha që internimi, dhe ende vijon të jetojë aty.
“Prap i internuar jam në këtë vend. I internuar atëhere, i internuar edhe tani, se nuk kisha mundësi që të lëvizja.”
Por ajo që i dhemb siç shprehet 69-vjeçari Foti Stefanidhi është se personi që e ka torturuar, Edmond Caja, sipas Fotit ka përfituar azil politik në Gjermani si i persekutuar.
Euronews Albania nuk arriti te kontaktonte me personin e denoncuar për tortura gjatë diktaturës dhe nuk mundi të verfikonte vendodhjen e tij nga burime të tjera. Të njëjtën gjë si Caja, sipas Fotit, ka bërë edhe operativi i sigurimit të shtetit, që hartonte raportet për të.
Bisedën e ndërpret mbesa e Fotit, që nuk e fsheh gëzimin që dikush, pas shumë kohësh vjen në familjen e tyre.
Pasi mori vesh për krijimin e Autoritetit të Dosjeve, Foti aplikoi për të marrë dosjen e tij. Këlcyra është vend i vogël, dhe i ndodh shpesh të ndeshet në rrugë me ata që e persekutuan.
“Kisha qejf t’i dija cilët ishin ata që me spiunuan, vetem t’i dija. Nuk kam ndermend të marr hak. I shoh dhe lagrohen vetë, rrinë si të trembur. E dinë që më kanë bërë keq, edhe rrinë kështu, dridhen. Kur vete unë në fshat ata ku të futen”, shprehet z. Stefanidhi.
Por megjithëse ata i shkatërruan jetën dhe e bënë ta kalojë rininë e tij në burgje, Foti nuk dëshiron të sillet njësoj.
Kështu ai vazhdon jetën e tij në të njëjtën shtëpi ku u internua nga diktatura dhe zgjodhi të rrijë edhe në demokraci, bashkë me kujtimet e hidhura dhe padrejtësitë që i solli sistemi. Shpagim për vitet e ikura mes mureve të burgjeve nuk ka. Por dëshirë për jetën në vazhdim, ka plot…