Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu refuzoi t’iu përgjigjej pyetjeve të prokurorëve të SPAK në cilësinë e të pandehurit.
Ai bëri një deklaratë në Gjykatë ku tha se do tu përgjigjej vetëm pyetjeve të avokatëve dhe në atë fazë edhe prokurorët sipas tij kanë të drejtë të bëjnë pyetje. Sipas përfaqësuesve të organit të hetimit, ky quhet refuzim nga ana e Mediut.
Ndërkohë gjykata relatoi edhe në lidhje me plotësimin e letërporosive që duhet të dërgohen në SHBA për pyetjen e Patrick Henry dhe 4 përfaqësuesve të tjerë të kompanis “SAC”. Prokurorët thanë se pyetja e tyre me video-konferencë është e vështirë të realizohet nga ana e tyre dhe propozojnë që të kryhet në seancë gjyqësore. Avokatët e Mediut por edhe përfaqësuesi i familjarëve të viktimave ishin dakort që seanca të zhvillohej me video-konferencë. Ende nuk ka një vendimmarrje në këtë pikë ku pritet të vendoset në ditët në vijim nga togat e zeza.
Më herët Dashnor Caushi, bashkë i pandehur i dënuar me 3 vite burg për shpërdorim detyre, nuk pranoi të fliste duke shfrytëzuar të drejtën që ia njeh ligji. Në këto kushte prokurorët kërkuan të lexoheshin disa thënie të tij bërë në procesin e mëparashëm ku ai ishte dënuar.
Seanca e radhës do të mbahet më datë 27 mars në orën 09:00 ndërsa këtë të mërkurë nuk u paraqitën sërish për të dëshmuar Denis Hajdari, Anjola Agolli dhe Luan Hoxha të cilët nuk u gjetën në adresat përkatëse për të marrë njoftim ndërsa do të përsëritet thirrja për pyetjen e tyre.
Deklaratë e plotë në gjykatë:
E nderuar Znj.Gjyqtare!
Në seancën e kaluar prokurori kërkoj që unë të pyetem.
Që në krye të herës dua të them se:
Pavarësisht se ky proces penal kundër meje ka nisur dhe po vazhdon në kundërshtim me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, kam zgjedhur të respektoj intitucionin e Gjykatës dhe Prokurorisë dhe kundërshtimin ndaj kësaj paligjshmërie ta bëj në këtë sallë.
Nuk kam bërë politikë me këtë çështje dhe pse siç theksova, paligjëshmëria për çdo njeri me dije minimale juridike është flagrante dhe nuk i jam shmangur apo larguar qoftë edhe një çast përballjes me drejtësinë në këto 17 vite.
Kam qenë këtu në çdo seancë për të dëgjuar me vëmendje të gjithë dëshmitarët me të cilët akuza pretendon të provojë fajësin time.
Asnjëri prej tyre nuk ka dëshmuar qoftë edhe një fjalë të vetme kundër veprimeve të mia, madje kanë treguar qartë se ministri nuk ka përcaktuar Gërdecin, nuk ka përcaktuar kalibrat si dhe nuk ka përgjegjësi për zbatimin e Rregullores së trajtimit të municioneve sepse ato janë çështje tërësisht ushtarake.
Ministri si autoritet civil drejtues i Ministrisë së Mbrojtjes, ka respektuar vendimet e strukturave civile dhe ushtarake të ngarkuara me ligj.
Nuk ka asnjë dëshmi që të kem, injoruar dhe ndikuar në asnjë rast vendimarrjen e tyre.
Kam zbatuar ligjin dhe detyrat e mija si Ministër i Mbrojtjes. Kam kërkuar nga strukturat ushtarake dhe civile të raportojnë detyrat e ngarkuara me ligj në mënyrë periodike tek autoritet e tyre drejtuese dhe tek Ministri.
Nuk ka pasur asnjë raportim për moszbatim të detyrimeve ligjore apo rregullave të trajtimit të municioneve.
Do të jem këtu në cdo moment për të debatuar dhe vlerësuar cdo dokument apo fakt që kërkon të sjell prokuroria si provë në këtë proces.
Kam bindjen se vlerësimi i paanshëm dhe i vërtetë me ekspertë i akteve të ekspertimeve ushtarake, ekonomike dhe fakti pse ka ndoshur ngjarja, do të hidhnin dritë mbi të vërtetën e cila manipulohet qëllimisht prej 17 vitesh.
E nderuar Znj. Gjyqtare, për 17 vite unë nuk jam pyetur.
SPAK për dy vjet nuk më pyeti dhe hetoj cfarë donte, padyshim kjo është detyra e SPAK të hetojë, por mendoj se në dy vite duhet të kishte pasur vullnetin për të dëgjuar dhe të vërtetën time për të bërë drejtësi dhe për të ndryshuar edhe veprimet e qëllimshme të ish-Prokurorëve.
Për fat të keq kjo nuk ndodhi.
Prokuroria ka kërkuar të pyetem në fund të dëshmitarëve që ka paraqitur.
Po Znj.Gjyqtare pranoj t’u përgjigjem çdo pyetje të prokurorëve apo pyetjeve tuaja, por do ta bëj këtë në fund të këtij procesi, pasi të jenë dëgjuar gjithë dëshmitarët e palëve dhe të jenë shqyrtuar të gjitha aktet dhe provat shkresore.
Përndryshe zhvillimi i seancës së pyetjeve ndaj meje, në këtë moment të procesit do të jetë thjeshtë një akt formal, që nuk i shërben aspak të vërtetës, por thjeshtë statitikës.
LEXONI GJITHASHTU:
- “Prita 16 vite për tu pyetur”, Mediu-dëshmitarëve: Mos heshtni për “Gërdecin”
- “Gërdeci”- Mbërrin letërporosia nga SHBA për marrjen në pyetje të shtetasve të huaj