Gjermania i bën thirrje Serbisë t’i rishqyrtojë projektligjet për Kosovën

1 Nëntor 2024 | 16:15

Ministria e Jashtme e Gjermanisë i ka bërë thirrje të premten Serbisë t’i rishqyrtojë projektligjet e miratuara rishtazi për juridiksion gjyqësor në Kosovë dhe për ta shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.

Në një shkrim në X, Gjermania iu bashkua qëndrimit të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian se Qeveria e Serbisë i ka shkelur detyrimet nga dialogu i Brukselit duke miratuar këto projektligje, të cilat pritet të dalin për votim në Parlament.

“Ne u bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës ta zbatojnë pa asnjë vonesë marrëveshjen e Ohrit, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha Ministria gjermane.

Qeveria e Serbisë njoftoi në fillim të javës se e aprovoi një projektligj për, siç e quajti ajo, organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës, si dhe një projektligj tjetër për shpalljen e Kosovës si “zonë e mbrojtjes së veçantë sociale”.

Këto projektligje janë kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian gjatë javës, të cilat njëzëri thanë se ato shkelin qartazi detyrimet e Serbisë nga dialogu me Kosovën në Bruksel.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e akuzoi Serbinë për shkeljen e marrëveshjeve dhe shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës me këto projektligje.

Por, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i arsyetoi projektligjet, duke thënë se ato vijnë si përgjigje ndaj, siç u shpreh ai, “shtypjes së popullit serb nga regjimi në Prishtinë dhe mungesës së veprimeve të dukshme nga misioni i BE-së, EULEX”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për gjyqësorin në vitin 2015 dhe më 2017 dhe janë pajtuar për zbatimin e saj dhe integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Por, qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022, në shenjë pakënaqësie me disa vendime të Qeverisë së Kosovës.

 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklarata e ministres serbe për spastrimin etnik në Kosovë, reagon Hoxha: E papranueshme dhe fyese për viktimat

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar në platformën X ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale,...
14:42 | 14/07/2026

Përplasjet në Zvërnec, Apeli ndryshon masën e sigurisë për njërin prej rojeve të arrestuarve

Gjykata e Apelit e juridiksionit të përgjithshëm ka ndryshuar masën e sigurisë për njërin prej rojeve private të arrestuar për dhunën e ushtruar gjatë përplasjes...
14:30 | 14/07/2026

Efekti Haaland në Peru, qindra foshnja pagëzohen me emrin e sulmuesit norvegjez

Kupa e Botës FIFA 2026 po lë gjurmë jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në regjistrat civilë. Në Peru është shënuar një rritje...
13:56 | 14/07/2026