Homazh për Gaqo Çakon dhe net vjeneze, “Mik Festival” rikthehet në Korçë

7 Korrik 2025 | 18:19

Nga data 10 deri më 13 korrik, qyteti i Korçës do të mirëpresë edicionin e 8-të të “Mik Festival”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të muzikës klasike dhe artistike në vend.

Për katër netë me radhë, festivali do të sjellë pesë koncerte, ku një nga më të veçantët do t’i kushtohet tenorit të madh shqiptar, Gaqo Çako.

Ky koncert-homazh do të rrëfejë jetën artistike dhe personale të Gaqo Çakos dhe do të shënojë rikthimin në skenë, pas më shumë se 30 vitesh, të artistes Tatjana Kora Elmazi.

Në skenë do të ngjiten edhe emra të njohur si Kastriot Tusha, Gjergji Mani, Xhoiden Dervishi, si dhe Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura nën dirigjimin e Eno Koços, një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Çakos.

“Në natën e dytë i bëjmë homazh lirikut më të madh të vokalit shqiptar, Gaço Çako”, – u shpreh sopranoja Inva Mula.

Një tjetër koncert me peshë do të zhvillohet në Drenovë, me titullin “Stili Vjenez”. Ylli i mbrëmjes do të jetë balerini me famë botërore Eno Peçi, që interpreton në Operën e Vjenës, së bashku me balerinën Adela Muçollari.

“Do të sjellim dy numra nga Vjena. Njëri është nga kompozitori Gustav Mahler, mjaft intim dhe delikat. Tjetri është një koreografi me stilin vjenez, krijuar nga unë”, – u shpreh Peçi.

“Pjesa që do të interpretoj me Eno Peçin është një krijim i ri, një emocion i ri. Jemi në detajet e fundit”, – shtoi balerina Adela Muçollari.

Festivali do të hapet me natën shqiptaro-kineze, një koncert që bashkon muzikën klasike dhe tradicionale të dy vendeve. Një risi këtë vit është edhe koncerti kushtuar serenatave korçare, ku do të interpretohen këngë të panjohura më parë për publikun.

Ky koncert është menduar si finalja e festivalit dhe do të zhvillohet në Parkun e Qytetit. Mbrëmja, e titulluar “Retro Passion”, do të sjellë në skenë qytetarë me pasion për muzikën, edhe pse nuk e kanë ndjekur në mënyrë profesionale.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Muzika ‘Jazz’ ndez Edicionin e 9-të të MIK Festival në Korçë

Ka nisur për të nëntin vit radhazi MIK Festival në Korçë, eventi ndërkombëtar i muzikës që bashkon artistë të njohur shqiptarë dhe të huaj. Edicioni...
20:47 | 11/07/2026

Rama publikon pamjet e stadiumit për koncertin e Kanye West: 4 milionë € nuk janë shpenzim, por investim

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për koncertin e këngëtarit Kanye West që do të zhvillohet këtë të shtunë në Tiranë. Përmes një postimi në...
12:38 | 11/07/2026

Berisha: 4 milionë eurot për Kanye West janë dhënë në mënyrë antikushtetuese

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për përdorimin e fondit rezervë për financimin e koncertit të Kanye West në Tiranë. Gjatë një...
12:30 | 11/07/2026