I akuzuar për krime lufte nga Serbia, arrestohet një shqiptar në Merdarë
Policia serbe ka arrestuar një burrë 77-vjeçar në pikëkalimin kufitar të Merdarës, nën dyshimin për përfshirje në krime lufte gjatë konfliktit të viteve 1998–1999 në Kosovë.
Në një njoftim për media, Ministria e Brendshme e Serbisë e identifikoi të dyshuarin vetëm me inicialet H.H. dhe tha se ai akuzohet se në qershor të vitit 1999, në Podujevë, në bashkëpunim me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka vrarë me armë zjarri një civil serb.
Nuk është bërë e ditur data e saktë e ndalimit, por autoritetet serbe konfirmuan se 77-vjeçari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij pritet të ngrihet aktakuzë.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar një reagim nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës për këtë arrestim, por deri më tani nuk ka një qëndrim zyrtar.
Ky rast vjen në vazhdën e ndalimeve të shtetasve shqiptarë nga autoritetet serbe, përfshirë edhe arrestimet e fundit në pikën kufitare të Horgoshit, mes Serbisë dhe Hungarisë, ku u ndaluan dy persona nën akuza për krime lufte në bashkëpunim me UÇK-në.
Më 22 korrik, u arrestua edhe Lulzim Halili, për të cilin autoritetet serbe pretendojnë se ishte pjesëtar i UÇK-së – një akuzë e mohuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës.
Po ashtu, muajin e kaluar, në pikën kufitare Batrovci u ndalua Behar Preniqi, por deri tani ndaj tij nuk është bërë publike asnjë akuzë konkrete.
Kosova i ka cilësuar këto arrestime si veprime arbitrare dhe ka kërkuar lirimin e personave të ndaluar.
Ndërsa më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike, bashkëpunimi për çështjet e krimeve të luftës ka mbetur thuajse inekzistent./REL
LEXONI GJITHASHTU:
Serbia arreston në kufi 73-vjeçarin nga Kosova për krime lufte, familjarët hedhin poshtë akuzat
Prokuroria Speciale ngre aktakuza ndaj 6 ish-gardianëve serbë për krime lufte kundër shqiptarëve
Ankesa të reja në Gjykatën Supreme kundër rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë
- 18:14 “Nga kush distancohem prej protestave”, Flet avokat Matlija: Protagonizmi është i popullit!
- 17:56 Një javë ceremoni mortore, detaje nga ceremonia publike e lamtumirës së Khamenei
- 17:47 Shkenca dhe inovacioni në fokus, Gjirokastra pret studiues nga e gjithë bota dhe 184 punime shkencore
- 17:39 U prangos dy ditë më parë në Durrës nga BKH-ja, SPAK jep detaje nga arrestimi i Adi Çobës
- 17:39 Pas protestave fshihet Kremlini, reagon Ambasada Ruse në Shqipëri
- 17:25 55 milionë euro, Bayern Munich nënshkruan me mbrojtësin e Eintracht Frankfurt Nathaniel Brown