English

Jeta pas tërmetit, Melgisa 9-vjeçare uron festat dhe shpreson për një shtëpi të re

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Ndryshe nga herët e tjera, Melgisa ka një dëshirë më të veçantë për Vitin e Ri. Ajo nuk kërkon që Babagjyshi t’i sjellë lodra poshtë pemës së krishtlindjeve, por një shtëpi prej vërteti.

- Advertisement -

“I dashur babagjysh!

Dëshira ime për këtë vit është shumë ndryshe nga dëshirat e viteve të kaluara. Tërmeti që ra e ka pasur epiqendrën në Durrës. Shtëpia ime është dëmtuar rëndë. Kam dëshirë që ti të ma rregullosh, të lutem. Me shumë dashuri Melgisa”- shkruan vogëlushja.

As pakot me dhurata nuk ja mbushin dot më zemrën. Jeta, vetëm jeta ka rëndësi për të dhe familjen e saj.

“Më së shumti më intereson kjo dëshirë, nuk më duhen kukullat apo diçka tjetër që shtëpia ime të rregullohet. është diçka më e çmuar se ato”- shprehet Melgisa.

Për shkak të dëmtimeve nga tërmeti, Melgisa 9 vjeçare po qëndron në një hotel në Durrës.

Së bashku me bashkëmoshatarë të tjerë të pastrehë po mësojnë në një shkollë të përkohshme. Të trembur nga lëkundja e tokës, në fytyrat e tyre lexohet frikë, por ka edhe dritë që del nga sytë e pafajshëm e plot dëshirë për jetë.

“Ndihem e lumtur që jam në shkollë të re, që kam filluar në shkollë të re. Jam e qetë dhe të kem jetën, nuk dua asgjë tjetër”-shprehet një vajzë nga shkolla e përkohshme në Durrës.

Ashtu si jeta na bën të përjetojmë të gjitha ngjyrat e saj, edhe festat nuk mungojnë.

Mësueset tregojnë për Euronews Albania se fëmijët u përshtatën mirë me shkollën e re dhe pse në ambientet e një hoteli.

“Fëmijët jo vetëm integrohen në orët e mësimit, sipas klasave të tyre, por atyre u jepet mundësia të argëtohen sipas prirjeve dhe aftësive të tyre. Është për t’u theksuar dhe është një vlerë e shtuar e shkollës “Bonita” pasi në këtë institucion, në shkollën më të re në botë vijnë edhe fëmijë me aftësi ndryshe. Fëmijët me aftësi ndryshe janë pjesë e grupit të madh përmes lojërave, argëtimeve dhe mësimeve të përditshme.”- thotë Entela Kërtusha, mësuese fillore.

Të vegjlit e kësaj shkolle në Durrës urojnë këdo që njohin dhe që i shikon me urimin, “Gëzuar Vitin e Ri!”

Në hotelet e mësimit të përkohshëm sipas nëndrejtorit të shkollave të përkohshme janë rreth 70 nxënës që marrin mësim. Nëndrejtorit të këtyre shkollave në Durrës i duhet të përgatisë programin deri kur këto qendra mësimore të jenë hapur.

“Të gjithë nxënësve do t’u mundësohet edhe zhvillimi i mësimit sipas programit derisa në këto hotele do ketë edhe nxënës. Pra, nuk do ndërpritet për asnjë rast për asnjë moment shërbimi arsimor për nxënësit,” tregon Shefqet Sulku, nëndrejtor i shkollava të përkohshme në Durrës.

Tërmeti i mori shtëpinë dhe lodrat. Babagjyshi nuk i solli dot Melgisës shtëpinë e endrrave të saj për festa. Nga hoteli ku vazhdon jetën pas tronditjes së 26 nëntorit, ka një urim zemre për të gjithë.

“Ju uroj nga zemra që të kaloni sa më bukur festat e fundvititi”- uron Melgisa.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?