Katari dhe Franca dërgojnë ilaçe për pengjet në Gazë

17 Janar 2024 | 08:48

Një dërgesë me ilaçe për dhjetëra pengje që po mbahen nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – është nisur për në këtë territor, pasi Franca dhe Katari ndërmjetësuan marrëveshjen e parë mes Izraelit dhe grupit radikal që nga armëpushimi njëjavor, i cili përfundoi në nëntor.

Dërgesa me ilaçe po dërgohet përmes Egjiptit dhe do t’i dorëzohet Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili më pas do t’ia dorëzojë Hamasit. Katari tha se marrëveshja po ashtu përfshin dërgimin e ndihmës shtesë mjekësore dhe humanitare për palestinezët në enklavën e rrethuar.

Marrëveshja vjen pas më shumë se 100 ditë që kur ka nisur lufta e cila ka nxitur tensione në mbarë Lindjen e Mesme, përderisa ditët e fundit ka pasur sulme dhe kundërsulme nga veriu i Irakut për në Detin e Kuq dhe nga jugu i Libanit për në Pakistan.

Në Gazë, radikalët palestinezë ende po rezistojnë në territorin bregdetar që po përballet me një nga fushatat më vdekjeprurëse ushtarake në historinë moderne. Rreth 85 për qind e popullsisë së territorit prej 2.3 milionë banorësh janë larguar nga shtëpitë e tyre, dhe sipas Kombeve të Bashkuara, çereku i popullsisë është duke u përballur me uri.

Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin dhe aftësitë e tij qeverisëse për t’u siguruar që grupi të mos e përsëris më sulmin e 7 tetorit, që nxiti luftën. Luftëtarët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke marrë afër 250 pengje.

Izraeli po ashtu është zotuar se do të kthejë në shtëpi mbi 100 pengje që ende janë në Gazë, pasi shumica prej tyre u liruan në nëntor, gjatë këmbimit me palestinezët e burgosur në Izrael. Izraeli ka thënë se vetëm presioni ushtarak do të sjellë lirimin e më shumë pengjeve, por përderisa lufta vazhdon, pengjet janë në rrezik që të vriten nga sulmet izraelite apo gjatë operacioneve të shpëtimit.

Hamasi ka thënë se nuk do të lirojë pengje derisa të arrihet një armëpushim i përhershëm, kërkesë që është refuzuar nga Izraeli dhe aleatja e tij kryesore, SHBA-ja.

Që kur ka nisur lufta, gjatë ofensivës ajrore, detare dhe tokësore të Izraelit në Gazë janë vrarë 24.285 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi. Kjo ministri nuk bën dallimin e civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, por ka thënë se dy të tretat e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë. Mbi 60.000 persona janë plagosur dhe vetëm më pak se gjysma e spitaleve në Gazë janë pjesërisht funksionale.

LEXONI GJITHASHTU: 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zjarre të mëdha në Kanada, përfshihet nga flakët dhe një tren mallrash me punëtorë brenda

Një tren mallrash në Kanada është përfshirë nga flakët për shkak të një zjarri të madh. Sipas mediave ndërkombëtare, punëtorët sapo janë përfshirë nga zjarri...
19:40 | 15/07/2026

Gjermania rrit ndjeshëm taksën mbi duhanin, një paketë pritet të shkojë 12 euro

Qeveria gjermane planifikon të rrisë taksën mbi produktet e duhanit më shumë sesa ishte parashikuar fillimisht, si pjesë e masave për mbrojtjen e shëndetit publik...
18:29 | 15/07/2026

Kremlini hedh poshtë akuzat e Lituanisë për sulme: Histori të hartuara për shpëlarjen e trurit të popullsisë

Kremlini hodhi poshtë të mërkurën akuzat e Lituanisë se Moska po planifikon sulme ndaj infrastrukturës së vendit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i ka cilësuar...
18:03 | 15/07/2026