Kelmendi kërkon të lirohet nga detyra e kryeprokurorit të shtetit
Besim Kelmendi i ka kërkuar Këshillit Prokurorial të Kosovës ta lirojë nga posti i ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit, një javë pasi gjykata e lartë e anuloi shkarkimin e tij që kishte nxitur polemika e kritika.
Në një shkresë të dorëzuar në Këshillin Prokurorial, Kelmendi tha se kërkesa për t’u liruar nga detyra është “pasqyrim i vullnetit tim për ta mbështetur reformën në Sistemin Prokurorial dhe për të kontribuar në përmirësimin e gjendjes së krijuar në Këshill”, raportoi Betimi për Drejtësi të hënën.
Kelmendi theksoi se dëshiron të largohet nga kjo detyrë -të cilën e ka mbajtur nga prilli i vitit 2022 -pas vendimeve gjyqësore për rastin e tij dhe gjendjes së krijuar në Këshillin Prokurorial.
Kërkesa e tij vjen vetëm pesë ditë pasi Gjykata Supreme e anuloi vendimin e Këshillit Prokurorial për shkarkimin e tij, duke e quajtur të kundërligjshëm.
Kelmendi ishte shkarkuar muajin e kaluar pas raportimeve se ai gjoja kishte bashkëpunuar më 1999 me një gjyqtare serbe për rastin e Masakrës së Reçakut, të cilën ajo e konsideronte ngjarje të trilluar. Ai i ka mohuar këto pretendime.
Shkarkimi i tij nxiti reagime nga bashkësia ndërkombëtare dhe shkaktoi polemika për ligjshmërinë e vendimit, pasi ai u votua nga vetëm pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial. Pjesa tjetër e anëtarëve vlerësuan se s’kishte kuorum, dhe e quajtën vendimin “puç institucional”.
Kelmendi u ankua në Supreme pasi Gjykata Themelore nuk ia pranoi ankesën kundër shkarkimit. Supremja gjeti se vendimi i Këshillit Prokurorial ishte “i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë”.
Në shkresë, Kelmendi tha se dëshiron ta vazhdojë karrierën si prokuror dhe u zotua se do të punojë “me përkushtim për të mirën e sistemit prokurorial”.
“Dhe krejt në fund, unë, si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, do të punoj më përkushtimin tim më të madh për të mirën e Sistemit Prokurorial, i pavarur, i pa anshëm dhe me profesionalizëm, ashtu siç më ka vlerësuar Këshilli Prokurorial”, përfundoi ai./ REL
LEXONI GJITHASHTU:
Gashani: Po punojmë që Kosova të organizojë Lojëra Mesdhetare sipas standardeve më të larta
Negociatat me LVV, pse po hesht PDK? Analisti: Pritet me padurim gjyqi për krerët e UÇK
Sherr masiv mes disa personash në Kosovë, 3 të lënduar. Shpallen në kërkim autorët
- 14:51 Iranianët në vështirësi për ta siguruar bukën e gojës teksa çmimet vazhdojnë të rriten
- 14:45 Ministrja suedeze merr foshnjen me vete në mbledhjen e qeverisë
- 14:45 Rusia dhe Ukraina vijojnë shkëmbimin e të burgosurve, lirohen 320 persona
- 14:40 Shqiptarët të lidhur me kartelin “Los Lobos”, Artan Hoxha zbardh të vërtetën
- 14:38 Fyerje, diskriminim, dhunë, vdekje – DW: Ekspertët paralajmërojnë për rritjen e racizmit anti-musliman në Gjermani
- 14:36 Brukseli propozon zgjatje të statusit për refugjatët ukrainas