Kërkon kthimin e serbëve në institucione, këto janë 7 kërkesat e Vuçiç për Kosovën

13 Shtator 2024 | 19:05

Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç për Kosovën.

Në një adresim para kombit, më 13 shtator, Vuçiç ka thënë se Serbia beson që përmbushja e kërkesave përbën “parakusht të domosdoshëm për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kërkojmë të kthehemi te gjithçka që është arritur dhe përparuar në procesin e dialogut”, tha Vuçiç.

Ai ka paralajmëruar se Beogradi do të nisë një “fushatë diplomatike globale”, në mënyrë që të plotësohen këto kërkesa.

Sipas një dokumenti që u është shpërndarë mediave para adresimit të Vuçiçit, Parlamenti serb do të miratojë një vendim për “paligjshmërinë” e të gjitha institucioneve të themeluara në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë.

Vuçiç ka thënë të premten se nuk ekziston asnjë zgjidhje e kënaqshme për serbët për, siç ka thënë ai, “problemin e Kosovës dhe Metohisë”.

“Nuk ekziston ai mrekullibërës që mund t’u sjellë serbëve një zgjidhje të mirë për Kosovën dhe Metohinë. E pranoj. Edhe pse jam presidenti që ka zhvilluar më së shumti bisedime”, ka thënë Vuçiq në një fjalim drejtuar popullit, të paralajmëruar ditë më parë.

Sipas dokumentit, Serbia kërkon:

  1. Shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.
  2. Kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore.
  3. Tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga “bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme” në veriun e Kosovës.
  4. Tërheqjen e Policisë nga të gjitha institucionet “të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët”.
  5. Formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe
  6. Zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë” të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe
  7. Kryerjen e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinarë.

Përveç këtyre kërkesave, në dokument përmendet se Kuvendi i Serbisë do të miratojë një ligj brenda 45 ditëve për të “shpallur krahinën autonome të Kosovës dhe Metohisë si një zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, duke garantuar kështu të drejtën për mbështetje financiare për të papunët”.

“Ne do të rrisim ndihmën dhe mbështetjen tonë për popullsinë në mënyrë dramatike. Tani, do të ndajmë menjëherë për një grup prej 5.000 personash të papunë një mbështetje mujore prej 20 mijë dinarësh (170 eurosh)… çdo dinar do ta marrin vetëm ata që jetojnë në Kosovë”, ka thënë presidenti serb para kombit.

Mes tjerash, në dokument përmendet që “institucionet serbe” në Kosovë “nuk do të shfuqizohen apo mbyllen” dhe akuzohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se “qëllimi i tij kryesor politik është të largojë dhe të eliminojë plotësisht serbët” në Kosovë, shkruan REL.

Aty, gjithashtu, është paralajmëruar që në Rudnicë dhe Ribar pranë kufirit me Kosovën, do të hapen zyra ku serbët e veriut të Kosovës do të kenë qasje në shërbimet e mbrojtjes sociale dhe që ato do të ofrojnë shërbime vitale shtetërore dhe administrative për qytetarët.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat për spastrimin etnik të Kosovës, eurodeputeti italian Gozi thirrje Vuçiçit: Shkarko ministren Paunoviç

Eurodeputeti italian, i cili përfaqëson Francën në Parlamentin Evropian, Sandro Gozi, i ka cilësuar skandaloze deklaratat e ministres së Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviç, e...
17:09 | 14/07/2026

Haxhiu dekreton Zejnullah Gashin për Kryeprokuror Shteti

Një ditë pas nominimit, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka takuar të martën Zejnullah Gashin për t’ia dorëzuar dekretin për Kryeprokuror...
16:45 | 14/07/2026

Deklarata e ministres serbe për spastrimin etnik në Kosovë, reagon Hoxha: E papranueshme dhe fyese për viktimat

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar në platformën X ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale,...
14:42 | 14/07/2026