Kryeministri i Bavarisë: Kampet e refugjatëve në Shqipëri një model i mundshëm

19 Janar 2024 | 11:22

Italia dëshiron të hapë dy kampe refugjatësh në territorin e Shqipërisë. “Një zgjidhje e tillë vërtet mund të na ndihmojë”, tha kryeministri i Bavarisë Markus Söder gjatë vizitës së kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili mori pjesë në një mbledhje të grupit parlamentar të Partisë Kristian-Sociale, CSU, e cila u mbajt në manastirin Banz. CSU është parti e djathtë.

Kryeministri i Bavarisë Markus Söder e konsideron marrëveshjen për refugjatët mes Italisë dhe Shqipërisë si një model të mundshëm për Evropën.Fotografi: Daniel Karmann/dpa/picture alliance

Söder tha se ai e konsideron këtë model si më bindës se synimi britanik për të ngritur kampe për refugjatët në Ruandë. Kurse kryeministri i Shqipërisë Rama theksoi se çdo gjë që bën Shqipëria është në përputhje me ligjet dhe vlerat e Bashkimit Europian.

Model më bindës se ai britanik

Nënkryetari i partisë CSU, Manfred Weber, i cili drejton grupin e Partive Popullore Evropiane në Parlamentin e BE-së, u bëri thirrje të Gjelbërve të heqin dorë nga qëndresa kundër marrëveshjes evropiane për politikën e migracionit. Pas vitesh diskutimesh torturuese në dhjetor u arrit një marrëveshje për reformimin e politikës evropiane për azilin. Megjithatë në Parlamentin Evropian nuk është e garantuar shumica për miratimin e saj, këtë  për shkak të qëndrimit të të Gjelbërve. Dështimi i kësaj marrëveshjeje do të çonte ujë në mullirin e populistëve të djathtë, tha Ëeber.

Marrëveshja Meloni-Rama në Gjykatën Kushtetuese

Në vjeshtë kryeministri socialist Rama nënshkroi  me kryeministren e djathtë të Italisë,Giorgia Meloni, një deklaratë lidhur me ngritjen e dy kampeve refugjatësh në tokën shqiptare. Synimi është frenimi i migracionit përmes Detit Mesdhe drejt Italisë dhe rrjedhimisht drejt BE-së. Megjithatë, në të dyja vendet ka dyshime nëse kjo marrëveshje është e realizueshme ligjërisht.

Edi Rama duke nënshkruar me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, deklaratën lidhur me ngritjen e dy kampeve refugjatësh në tokën shqiptare.Fotografi: Filippo Attil/Chigi Press Office/Zumapress/picture alliance

Në Shqipëri marrëveshja Meloni-Rama po diskutohet në Gjykatën Kushtetuese. Institucioni më i lartë gjyqësor në Shqipëri pritet të thotë fjalën e vet dhe të vendosë mbi fatin e marrëveshjes Rama-Meloni aq shumë të debatuar për strehimin e të paktën tre mijë refugjatëve që kapen në tentativë për të hyrë ilegalisht në brigjet italiane.

30 deputetë të opozitës e konsiderojnë marrëveshjen mes dy vendeve si cënuese të Kushtetutës së Shqipërisë por dhe të ligjit ndërkombëtar. Që pas firmosjes së marrëveshjes në Romë nëntorin e vitit të shkuar, ekspertë vendas dhe të huaj u shprehën skeptikë për një marrëveshje e cila i jep të drejtën e plotë Italisë për menaxhimin e krizës së emigrantëve, duke shfrytëzuar një territor të huaj të një shteti fqinj si Shqipëria, që nuk është vend anëtar i Bashkimit Europian./DW

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Nis marshimi i qytetarëve, po shkojnë drejt komisariatit nr. 3 ku po mbahen protestuesit e arrestuar

Mbrëmjen e kësaj të enjte ka nisur marshimi i qytetarëve. Pas qëndrimit prej gati 2 orësh para Kryeministrisë, protestuesit kanë vijuar me agjendën e tyre...
21:59 | 02/07/2026

Grupi koordinues i protestës: Nuk dorëzohemi, do të vazhdojmë protestën paqësore derisa shqiptarët të fitojnë

Gazetari Klevin Muka këtë të enjte ka lexuar një komunikatë në emër të grupit koordinues të protestës ku ka deklaruar se protesta e sotme para Parlamentit...
20:45 | 02/07/2026

Largimi i Hasan Verracakut nga “arresti në shtëpi”, AMP arreston 4 efektivë policie (EMRAT)

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar katër punonjës të Policisë së Shtetit në Shkodër, të dyshuar për “shpërdorim detyre”, në lidhje me largimin e...
19:50 | 02/07/2026