Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, si dhe anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar që janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Sipas LDK-së, ata kanë shkelur nenin 26 të Ligjit për Qeverinë dhe kanë konsumuar veprën penale të sanksionuar në nenin 414 të Kodit të Procedurës Penale.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, deklaroi në një konferencë për media se janë dorëzuar gjithsej shtatëmbëdhjetë kallëzime penale ndaj Kurtit, disa ministrave dhe një ish-zëvendësministre, të cilët sipas saj kanë vepruar në kundërshtim me ligjin duke mos dhënë dorëheqje para certifikimit të rezultateve zgjedhore më 27 mars nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Ne konsiderojmë dhe besojmë se që nga data 27 mars, këta persona janë në kundërshtim me nenin 26 të Ligjit për Qeverinë – ligj që është hartuar dhe miratuar nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë mandatit të kaluar. Pavarësisht certifikimit si deputetë, ata vazhdojnë të ushtrojnë funksionet qeveritare, të qëndrojnë në zyra, të marrin vendime që prodhojnë pasoja financiare dhe të shfrytëzojnë resurset e shtetit, çka përbën shkelje të ligjit dhe vepër penale”, tha Bajrami.
Ajo shtoi se ekipi juridik i LDK-së, i udhëhequr nga juristja Xhelili, ka kërkuar qasje në dokumentet përkatëse në institucionet qeveritare, dhe në bazë të atyre të dhënave që kanë marrë, është përgatitur dosja për Prokurorinë Speciale.
Sipas Bajramit, edhe nëse këta zyrtarë kanë pretenduar se kanë dhënë dorëheqje, fakti që vazhdojnë të ushtrojnë funksionet ekzekutive është i mjaftueshëm për të konfirmuar shkeljen e ligjit. Ajo theksoi se vendimmarrja, përdorimi i zyrave, resurseve shtetërore dhe pjesëmarrja në mbledhje qeveritare përbëjnë vepra penale.
Në të njëjtën konferencë, Bajrami u shpreh se LDK është e gatshme të marrë pjesë në takime konsultative me partitë tjera politike, nëse thirren nga presidentja Vjosa Osmani, por kjo do të varet nga qëllimi dhe serioziteti i nismës.
“Ne jemi të hapur për të marrë pjesë në takime që kanë për qëllim zgjidhjen e ngërçit politik. Nuk e kemi bërë këtë propozim për protagonizëm, por për shkak të përgjegjësisë si parti opozitare. Jemi të gatshëm të japim kontributin tonë për tejkalimin e krizës institucionale”, tha ajo.
Kujtojmë se më 27 mars, KQZ certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt. Deputetët e rinj janë betuar më 19 prill, por Kuvendi ende nuk është konstituuar për shkak të mungesës së votave për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash për të zgjedhur Albulena Haxhiun në krye të Kuvendit.