Analisti Redi Shehu është shprehur se kryedemokrati Sali Berisha po e thith gjithë opozitën në hallin e vet.
Komentet Shehu i bëri në emisionin ‘Now me Erla Mëhillin’ në Euronews Albania, ku tha se nuk sheh aleancë vlerash te opozita.
Ai tha gjithashtu se me kundërvënien ndaj SPAK për çështjen e Berishës, opozita nuk do të mund të arrijë të fitojë zgjedhjet e vitit 2025.
Sipas tij, opozita nuk duhet të vijojë të mbështetet rreth kultit të individit, por të krijojë një elitë drejtuese të mirëfilltë.
“Do përqëndrohem te ideja sesi opozita po bën të dytin gabim. Së pari ka bërë një gabim në vitin 2019 që duhet dalje institucionale fizike, me dy braktisjet e famshme dhe tani me artikulimin ekstra-institucional, ku SPAK është i keq kur bëhet fjalë për çështjet tona, ndërsa për çështje të tjera edhe mund ta marrim si referencë, pra për të dënuar korrupsionin e mazhorancës.
Kjo do të thotë që ti del nga institucionet verbalisht. Pra gjuha ekstrainstitucionale ku të çon? Do fitosh zgjedhjet? Nuk i fiton dot. Për mua opozita do ishte shumë më koherente.
Por nuk ka si të ndodhë ndryshe kur opozita mbështetet në kultin e individit. Po vazhdohet forma centrifugale rreth liderit, i cili po e thith gjithë këtë elitë në hallin e vet. Opozita duhet të modifikojë qasjen e vetë ndaj sistemit. Nuk shoh aleancë vlerash te opozita”, tha Shehu.
LEXONI GJITHASHTU:
- KAS rrëzon ankimin e opozitës, zgjedhjet lokale në Himarë nuk do të përsëriten.
- Lela zbulon se kur do të nisin protestat e opozitës: Ja misioni jonë