LIVE – Dita e 21-të e protestës, qytetarët dhe shqiptarët nga diaspora mblidhen para Kryeministrisë

20 Qershor 2026 | 18:39

Tirana hyn sot në ditën e 21-të të protestave kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, ndërsa është paralajmëruar se protesta e sotme do të jetë më e madhja e zhvilluar deri më tani para godinës së Kryeministrisë.

Shumë emigrantë nga diaspora kanë mbërritur këtë të shtunë në Tiranë për të qenë të pranishëm në protestën e sotme, e cila konsiderohet si kulmi i mobilizimit qytetar pas tre javësh demonstratash të pandërprera.

Grupi i emigrantëve shqiptarë që mbërritën sot në Tiranë ishin nisur prej ditësh nga Anglia me automjete private drejt Shqipërisë. Gjatë rrugës, karvanit i janë bashkuar edhe bashkatdhetarë nga Franca, Gjermania, Austria dhe vende të tjera europiane, duke formuar autokolona me flamuj kuqezi.

Protesta, sipas organizatorëve, ka tejkaluar kauzën fillestare dhe është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, keqqeverisjes, mungesës së llogaridhënies dhe largimit masiv të të rinjve nga vendi.

Tubimi pritet të nisë në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”, për t’u zhvendosur më pas drejt Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalime.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë.

Në ditën e 21-të të protestave, kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kërkesave për dorëheqje, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe jashtë realitetit.

13 Updates
19:50

Flasin protestuesit nga diaspora: Rama të japë dorëheqjen

Ashtu siç ishte paralajmëruar, në protestën e kësaj të shtune në Tiranë morën pjesë edhe qytetarë nga diaspora shqiptare, të cilët mbajtën fjalën nga foltorja para Kryeministrisë.

Një qytetar i ardhur nga Britania e Madhe i kërkoi kryeministrit Edi Rama dorëheqjen, duke vendosur si afat datën 21 qershor.

“Ju rrezatoni shpresë, ndryshim, revolucion… Në të gjitha protestat që kemi bërë në Londër kemi kërkuar dorëheqje. Kjo është një lëvizje qytetare për reforma demokratizuese. Nga Britania i kërkojmë Ramës dorëheqjen dhe një qeveri teknike për 12 muaj, që të garantojë ndryshime në Kodin Elektoral dhe lista të hapura. Ramën e sfidoj: jep dorëheqjen deri më 21 qershor”, tha qytetari.

Një tjetër protestues nga diaspora e cilësoi protestën si një moment historik dhe bëri thirrje për vijimin e përpjekjeve për ndryshim politik.

“Ky është një moment historik… Liria nuk dhurohet, as nuk trashëgohet, por duhet të luftohet çdo ditë. Na kanë vjedhur jo vetëm pasurinë, por edhe jetën. Heshtja nuk duhet të bëhet bashkëpunëtore e fajësisë”, u shpreh ai.

Një tjetër protestues nga diaspora iu drejtua kryeministrit Rama, duke iu përgjigjur deklarimeve të tij për pjesëmarrësit në protestë.

“Rama na ka ironizuar se kemi ardhur me makina luksoze. Ikëm me gomone dhe vijmë me makina të shtrenjta, sepse i kemi fituar me duart tona. Nesër do vijmë edhe me avion privat”, tha ai.

Ndërkohë, një qytetare e ardhur nga Italia theksoi mbështetjen e diasporës për protestën dhe kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit.

“Diaspora e Milanos ecën krah për krah me protestuesit në Tiranë. Kemi ngritur zërin edhe në Itali. Shqipëria është vendi ynë dhe do e mbështesim deri në fund. Kemi edhe mbështetjen e eurodeputetëve që po ndjekin situatën nga afër. Zoti Rama, rruga drejt dorëheqjes shpresoj të jetë sa më e lehtë”, tha ajo.

🔗 Shpërndaje
19:38

Humb një fëmijë në protestë, qytetarja thirrje prindërve: Ndodhet afër fonisë

Një fëmijë i mitur është raportuar së ka humbur këtë të shtunë në protestë që po zhvillohet para Kryeministrisë. Një qytetare ka njoftuar se një fëmijë me emrin Sebastian ndodhet afër fonisë teksa u ka bërë thirrje prindërve të shkojnë dhe të bashkohen me të.

“Sebastiani është te fonia”, përsëriti qytetarja. Ende nuk dihet nëse fëmija është bashkuar me prindërit e tij teksa ky nuk është rasti i parë që fëmijet e mitur humbin mes turmës së madhe të qytetarëve. Raste të tjera janë regjistruar në ditët e mëparshme të protestës.

🔗 Shpërndaje
19:28

“Kur shqiptarët i dalin zot atdheut”, protestuesit me pankarta në duar para Kryeministrisë

Qytetarë të shumë, aktivistë dhe emigrantë nga diaspora janë bashkuar këtë të shtunë në ditën e 21-të të protestës. Protestuesit mbajnë në duar flamuj të Shqipërisë dhe pankarta ndërsa bëjnë thirrje para Kryeministrisë për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Qytetarët kanë shprehur idetë e tyre në pankarta teksa kanë krijuar edhe imazhe të veçanta me inteligjencë artificiale.

“Edi Rama largohu nuk ke rrugë tjetër”, “Kur shqiptarët i dalin zot atdheut”, ishin disa pankarta që pikasin në protestë.

Në protestë vijojnë të jenë masive thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg dhe Rama jepe dorëheqjen”, të cilat janë dëgjuar vazhdimisht nga pjesëmarrësit gjatë marshimeve dhe tubimeve në kryeqytet.

🔗 Shpërndaje
18:55

Protesta në Tiranë, diaspora i bashkohet marshimit drejt Kryeministrisë

Marshimi i qytetarëve dhe aktivistëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë ka nisur më herët se sa ishte parashikuar, ndërsa protestuesve u janë bashkuar edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, dita e sotme ka sjellë një pjesëmarrje më të madhe se ditët e kaluara, me një numër të shtuar qytetarësh që i janë bashkuar tubimit në kryeqytet, duke rritur ndjeshëm masivitetin e protestës në Tiranë.

Në protestë vijojnë të jenë masive thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg dhe Rama jepe dorëheqjen”, të cilat janë dëgjuar vazhdimisht nga pjesëmarrësit gjatë marshimeve dhe tubimeve në kryeqytet.

🔗 Shpërndaje
18:44

Me flamuj kuq e zi, mbërrijnë në protestë shqiptarët nga diaspora

Pak minuta na ndajnë nga startimi i ditës së 21 e protestës kundër ndërtimit në Zvërnec. Shumë emigrantë nga diaspora kanë mbërritur këtë të shtunë në Tiranë për të qenë të pranishëm në protestën e sotme, e cila konsiderohet si kulmi i mobilizimit qytetar pas tre javësh demonstratash të pandërprera.

Siç shihet edhe nga pamjet mjete të shumta kanë udhëtuar drejt Tiranës për të marrë pjesë në këtë protestë. Emigrantë shqiptarë nga Anglia gjithashtu mbërritën sot në Tiranë.

Gjatë rrugës, karvanit i janë bashkuar edhe bashkatdhetarë nga Franca, Gjermania, Austria dhe vende të tjera europiane, duke formuar autokolona me flamuj kuqezi. Protesta do të startojë në orën 19:00 dhe pritet të zgjasë disa orë.

🔗 Shpërndaje
15:47

Rama reagon për autokolonat e protestuesve nga diaspora: Në makina ka vetëm shoferë, gjithçka bëhet për viralitet

Kryeministri Edi Rama reagoi në mbledhjen e grupit parlamentar edhe për vargun e makinave me protestues nga diaspora që kanë mbërritur në vend për protestën e kësaj të shtune në orën 19:00.

Burime për gazetaren e Euronews, Eksiola Shehu, nga mbledhja me dyer të mbyllura bëjnë me dije se Rama u shpreh se autokolonat e makinave që po vijnë në Shqipëri për protestën kanë në bord vetëm shoferët dhe se, sipas tij, gjithçka po bëhet për efekt mediatik dhe viralitet.

“Më vjen një video ku në Muriqan po kalojnë autokolona me makina që kanë brenda vetëm shoferin. Është e paguar, e bëjnë për viralitet”, mësohet të ketë thënë kreu i qeverisë.

🔗 Shpërndaje
13:49

Kreu i PD-së: Mbështesim protestën, pesë kërkesat e qytetarëve kanë qenë edhe betejat tona

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se mbështet plotësisht protestën e zhvilluar nga qytetarët, duke theksuar se pesë kërkesat e protestuesve përkojnë me betejat politike të opozitës.

Në një deklaratë për mediat, ai tha se kjo nuk është një protestë e organizuar nga PD-ja, por një nismë rinore dhe qytetare që duhet respektuar.

“Kemi 13 vite që protestojmë. Vetëm për periudhën që patëm Kuvendin e këto, po ne ishim në protestë kundër Edi Ramës, kërkonim largimin e tij. Dhe 5 kërkesat e protestuesve janë njëkohësisht kërkesa, kanë qenë dhe janë betejat edhe tonat. Atëherë, cili ka qenë qëndrimi ynë?

E para, ajo që thoni ju: nuk është protestë e PD-së. E dyta: asnjë paraqitje e simboleve të Partisë Demokratike në protestë, sepse është protestë rinore qytetare. E treta: thirrje për pjesëmarrje masive si qytetarë.”, tha ai.

Ndër të tjera, Berisha u shpreh se opozita nuk ka tentuar të marrë kontrollin e protestës dhe se qëndrimi i PD-së ka qenë që të mos përdoren simbolet partiake në këtë tubim. Sipas tij, qytetarët kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë e tyre.

Kreu i PD-së bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestë, duke ftuar anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike t’i bashkohen tubimit si qytetarë.

“Thirrja ime ka qenë: të gjithë në protestë! Qytetarët kanë të drejtë të brohorasin si të duan, kurse ata të cilët mendojnë se duke shfrytëzuar mikrofonin mund ta manipulojnë atë protestë, ata do dështojnë.

Ajo është protestë strikt rinore qytetare. Ndaj edhe nuk kam marrë pjesë.  Edhe sot shfrytëzoj rastin të bëj thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike nga Pogoni, Kakavija, në Vermosh dhe në Valbonë, të vërshojnë drejt Tiranës në protestën më madhështore të kombit. Qytetare, rinore, jo partiake”, tha Berisha.

🔗 Shpërndaje
13:01

Autokolona e Diasporës mbërrin në Shkodër, niset drejt Tiranës në mbështetje të protestës

Autokolona e Diasporës ka mbërritur në Shkodër nga vende të ndryshme të Europës, me qëllim pjesëmarrjen në protestën qytetare që do të zhvillohet këtë mbrëmje në Tiranë.

Dhjetëra automjete të stolisura me flamuj kombëtarë u ndalën për pak minuta në hyrje të qytetit. Pjesëmarrësit thanë se kanë udhëtuar nga shtete të ndryshme europiane për të qenë pjesë e protestës dhe për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj kauzës së protestuesve.

Gjithashtu, një nga qytetarët që është pjesë e autokolonës ka deklaruar: “Jemi sot këtu për t’i dhënë mbështetje gjithë atyre të rinjve që sot ndodh… që gjatë këtyre 20 ditëve ndodhen në Tiranë dhe për t’i dhënë një mesazh të qartë qeverisë që ka ardhur momenti për t’i dhënë Shqipërisë atë që meriton. Për t’i dhënë Shqipërisë një parlament të zgjedhur nga populli dhe jo nga kryetarët e partisë. Jemi këtu për t’u bashkuar dhe nuk do të ndalohemi deri në dorëheqjen e Edi Ramës. Qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme!

🔗 Shpërndaje
12:23

“Shteti nuk ndërtohet nga fryn era”, Rama: Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin tek zhurma

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, u shpreh se qeveria duhet të dëgjojë kritikën dhe shqetësimet e qytetarëve, por nuk duhet të udhëhiqet nga zhurma apo nga ndikimi i rrjeteve sociale.

Ai theksoi se një qeveri nuk duhet të mbyllë veshët, por as të dorëzojë drejtimin e saj përballë presioneve të zhurmës.

Rama shtoi se debati publik shpesh ndikohet nga emocione dhe dinamika të rrjeteve sociale, por kjo nuk duhet të përcaktojë vendimmarrjen politike. Sipas tij, qeverisja duhet të ruajë drejtimin dhe stabilitetin pavarësisht zhurmës, ndërsa theksoi se synimi i tij është që vendimmarrja të mos varet nga algoritmet apo valët e opinionit publik online.

“Ka një përzierje të hatashme ndërkombëtare, vijnë njerëz nga Kosova, Maqedonia për të shpëtuar Shqipërinë në emër të shqiptarëve, ndërkohë njerëzit që flasin me arsye e kuptojnë shumë mirë që këtu ka diçka që nuk shkon.

Një qeveri nuk ka të drejtë të mbyllë veshët, por duhet të dëgjojë edhe atë që thuhet në sheshin e xhirmieve, është shumë e qartë që janë dëgjuar.

Duhet të dëgjosh kritikën dhe zemërimin, jo t’ia hedhësh të gjithë fajin algoritmit, por nuk është ky rasti. Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin tek zhurma, një grup udhëheqës nuk i nënshtrohet zhurmës dhe sa më shumë zhurmë aq më shumë forcohet identiteti i tij dhe destinacioni.

Nuk ndërtohet një shtet si ai që po ndërtojmë për ta bërë të dështojë vendin tonë, nëse qeveria merr drejtim nga era që fryn. Në një grup udhëheqës shkohet deri në fund.

Një nga gjërat që unë pres të mos kem nevojë kur të mos jem në këtë detyrë është që të mos kem nevojë t’i trokas algoritmit. Kurrë nuk besoj se mund të drejtohem prej zhurmës dhe dallgëve që mund të ngrihen aty”, u shpreh ai.

🔗 Shpërndaje
12:15

Rama ironizon influencerët: Protesta është kthyer në treg klikimesh dhe vëmendjeje, patriotë që s’ia kanë haberin punës

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e zhvilluara kundër projektit të investimit në Zvërnec, duke ironizuar sërish rolin e disa influencuesve që, sipas tij, i janë bashkuar debatit për vëmendje në rrjetet sociale.

Gjatë mbledhjes së zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ai tha se shumë prej tyre nuk kanë pasur më parë angazhim në çështje politike apo qytetare, por po e përdorin protestën për të rritur praninë dhe ndikimin e tyre online.

“Janë njerëz që nuk e kanë menduar kurrë në jetën e tyre të përzihen me politikën dhe protesta. Janë bërë me shalë dhe kremra që të shfaqen atje me shalët dhe kremrat e tyre sepse janë “trend”. Kanë frikë të mbeten jashtë valës. Në ekonominë e vëmendjes heshtja nuk shpërblehet. Shpërblehet vetëm pjesëmarrja, vetëm ai që ka kurajon të hyjë në garë, ai që bën videon më dramatike, nuk ka rëndësi nëse protesta zhvillohet në një bregdet të Spanjës. Mjafton ti vendosësh shenjën ‘Tiranë’. Tirana s’ka as det po kjo s’ka rëndësi.

Ai që do bëjë postimin më të fortë, ai që do shpallë katastrofën më të afërt, ai që do parashikojë fundin spektakolar, ai shpërblehet nga algoritmi. Protesta nuk është më protestë, është një treg emocionesh dhe klikimesh dhe karrierash. Në të gjithë këtë, të karrierave janë më qesharakët. Ata nuk e kanë marrë vesh akoma që me PS nuk fitohet duke dalë me lugën e ndryshkur në tregun e karrierave të humbura”, tha ai.

Rama u shpreh se tashmë në epokën e rrjeteve sociale, protesta shpesh shndërrohet në atë që ai e quan treg emocionesh dhe klikimesh. Sipas tij, algoritmet favorizojnë përmbajtjet që krijojnë dhe reagime të forta, ndërsa faktet dhe argumentet anashkalohen.

“Algoritmi e ka të domosdoshme të shfaqet te profetët që lajmërojnë fundin e botës, analistët që bëjnë analiza pa fakte, strategët që nuk dinë se çfarë është të bësh një strategji sektoriale, recvolucionarët që ushqehen me ëndrrën e revolucionet por që s’kanë lidhje me të, patriotë që nuk ia kanë haberin punës, njerëz që s’kanë ndërtuar kurrë asgjë dhe po ti vesh të masin një tavolinë, ngatërrojnë gjatësinë me gjerësinë. Për ata nuk ka rëndësi se çfarë ndërtohet dhe si, për ata ka rëndësi çfarë duhet shembur dhe si ta shembin, ku marrin like, followersa…”, tha kryeministri Rama.

🔗 Shpërndaje
12:06

“Sheshi i protestës, vendi për të ushqyer algoritmin”, Rama: Demokracia përballë njeriut që s’ka krijuar kurrë asgjë

Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e ka lidhur diskutimin mbi ndikimin e rrjeteve sociale dhe algoritmeve me zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë protestat dhe debatet publike për investimet në zonën e Zvërnecit.

Sakaq, Rama tha se protestat e sotme kanë nevojë për një “shesh” tjetër, të ndërtuar për algoritmin, duke e cilësuar studion televizive si vendin ku prodhohet përmbajtja që ushqen platformat digjitale.

“Sot protestat nuk zhvillohen në shesh, por kanë nevojë për një shesh të një llojit që proteston në algoritëm. Sheshi është studioja televizive e algoritmit, është vendi ku filmohet për ta ushqyer algoritmin. Janë ndërtuar për njerëz që votojnë, jo për platforma që modernizojnë algoritmin. Kjo është sfida e sotme. S’ka lidhje me të majtën dhe të djathtën, por në lidhje me konfliktin dhe me shërbimin e njerëzve, algoritmin.

Politika në shërbim të njerëzve, në shërbim të vendit, algoritmi e urren. Nuk e kuptoj se sa e madhe është kjo betejë dhe sa e mundshme mund të bëhet ajo për fëmijët tani.

Çdo epokë prodhon figurën e saj karakteristike. Shekulli 21 po prodhon proletariatin e algoritmit, një klasë e re që nuk e bashkon puna, por vendndodhja, jo fabrika, por ekrani i celularit e bashkon një iluzion shumë të madh, që sa më shumë të dukesh, aq më shumë autoritet ke.

Demokracia nuk ka thënë kurrë se çdo mendim ka të njëjtën peshë në çdo çështje. Liria e fjalës nuk e ka përmbysur kurrë ligjin e gravitetit të dijes.

Demokracia nuk e ka zëvendësuar provën. Sot demokracia po përballet me njeriun që nuk ka krijuar kurrë asgjë, që s’ka asnjë shkollë dhe asnjë kompetencë për të folur mbi atë që vendos të flasë.

Algoritmi nuk njeh përgjegjësi, por njeh vëmendjen. Ti mendon se je i pavarur, por je skllav i algoritmit që duket se shton vëmendjen dhe të nxit të bëhesh më kërcënues. Jetojmë në një kohë kur britma udhëton më shumë sesa argumenti, ku shpifja udhëton më shumë se realiteti.

Emocioni merr më shumë hapësirë se arsyeja dhe merr më shumë “followers” dhe “likes”, duke mos i lënë njerëzit të shohin arsyen, por duke i nxitur të përqafojnë emocionin. Sa herë ndodh një krizë, të gjithë shprehin nevojën të bëhen pjesë e saj, jo sepse kanë diçka për të thënë, por sepse është krijuar një skenë për t’u dukur dhe për t’u mbledhur me babëzi, ku algoritmi sillet si drogë që nxit dikë të shtojë dozën e ndjekësve.

Sa herë e keni dëgjuar nga njerëz që kurrë në jetën e tyre nuk e kishin menduar as imagjinuar që të përziheshin me politikën apo protestat, por janë bërë pjesë vetëm sepse është trendi? Kanë frikë të mbeten jashtë valës”, u shpreh ai.

🔗 Shpërndaje
11:44

“Miliona njerëz nuk dinë as ku ndodhet Zëvrneci”, Rama: Shqipëria në qendër të një debati që nuk lindi këtu

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur sot mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar të PS. Mes shumë diskutimesh, ai ka folur lidhur me investimin në Zvërnec.

Ai tha se çështja mori përmasa ndërkombëtare në një kohë shumë të shkurtër, duke theksuar se shumë njerëz që nuk e njihnin zonën apo projektin, krijuan qëndrime të forta mbi të.

Sipas Ramës, reagimet ndaj projektit nuk u bazuan në analiza të detajuara, por u ndikuan nga emocione, perceptime dhe debate ideologjike që shkojnë përtej kufijve të Shqipërisë.

“Miliona njerëz që nuk dinë as ku ndodhet Zëvrneci, dinin saktësisht se çfarë duhet të mendonin për Zvërnecin. Jo sepse studiuan për Shqipërinë apo analizuan projektin, por sepse te brishtësia e bukur e nje zogu identifikuan simbolin e nje rezistence anti kapitaliste. Më bukur se asnjëherë u hap dhe një kanal për mllefin kundër meje, kundër jush dhe PS-së”, tha Rama.

Kreu i qeverisë argumentoi se projekti në Zvërnec u shndërrua në një përplasjeje më të gjerë globale, e cila nuk lidhet drejtpërdrejt me Shqipërinë.

“Ky është mësimi i parë i kësaj historie. Kjo kohë e re ku edhe një rrahje lokale bëhet përplasje globale nuk transporton më vetëm mallra, por zemërime, identitete politike, fetare, agresione, gënjshtra shumë më shpejtë se sa transporton faktet, arsyetimet. Një projekt zhvillimi në Shqipëri u bë brenda pak ditësh pjesë e një lufte ideologjie që nuk ka lindur në Shqipëri dhe nuk ka për objekt Shqipërinë.

Shqipëria u bë zogu, ne u gjendëm në mes të saj, jo si protagonistë por si skenë. Kjo është risia e kohës që jetojmë. Kohë kur emocionet mbërrijnë përpara fakteve. Kur shumë shpesh përceptimi bëhet e vërteta dhe e vërteta mbetet jetime.

Duhet ta lexojmë këtë histori drejt, për çfarë vjen më pas. Se ky është vetëm fillimi. Ne mund të bëjmë vetëm atë që bëhet për të kuptuar politikën sot. Nga një herë është mirë që të largohesh pak prej saj dhe të hapësh librat e historisë”, tha Rama.

🔗 Shpërndaje
11:36

Rama për protestën në Tiranë: Bota nuk u zgjua nga Narta, por nga emri i Kushner

Partia Socialiste zhvilloi këtë të shtunë mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar. Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij u ndal në një sërë çështjesh të ditëve të fundit që kanë përfshirë vendin tonë, duke nisur me protestat dhe çështjen e Zvërnecit.

“Një grumbullim hatashëm gjerash që nuk janë bashkë. Befas Zvërneci u bë kërthiza e botës ku po vendosej fati i ngrohjes globale. Bulevardi i Tiranës u bë sheshi ku qindra mijë njerëz iu turrën oligarkisë botërore dhe bota shqiptare u unjësua në histerinë e kanaleve sociale, duke bashkuar në një armë të vetme flamingot në fundin e ekzistencës digitale, bullistët e terrenit online.

E vërteta e këtij cikloni të këtyre ditëve është se nuk është e vërtetë ajo që thuhet mbi qeverisjen e Shqipërisë sot, është interesi mbi atë që mbi kohën ku kemi hyrë dhe mbi botën që po jetojmë, me të cilat do të përballemi gjithnjë e më shumë edhe ne në PS.

Nëse kjo histori do të kishte ndodhur 10 vite më parë, do të kishte marrë në rastin më të mirë një debat brenda kufijve tanë, pa përfshirjen e amerikanëve, izraelitëve dhe dreqi vetë.

Ndërsa sot, 10 vite më pas, brenda 48 orësh u krijua një sherr i dhunshëm mes rojes së sigurisë private dhe një protestuesi të marrë zvarrë në një lokalitet të Shqipërisë, që u bë zanafilla e një lufte globale online, ku nuk mbeti llogore mediatike e planetit pa shkrepur municionet përkatëse.

Të ishte për botën, Narta mund të kthehej qetësisht 10 vite më parë, kur flamingot nuk shtegtonin drejt lagunës së saj, se i priste plumbi i kafshëve të dehura me dy këmbë.

Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Kushnerit dhe hijes së vjehrrit të tij, të cilin e urrejnë për vdekje të gjitha armatat online. Dhe si në një film, bulevardi përputhi atë arenë të frikshme me krejt armatën e urrejtësve shqiptarë, online dhe offline. Jo kundër Trumpit, por ndaj meje dhe ndaj jush. I gënjeu mendja se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim dhe kështu do të laheshin dy hesape të vjetra. Bota e madhe do ta turpëronte Trumpin në betejën e Nartës”, u shpreh ai.

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Flasin protestuesit nga diaspora: Rama të japë dorëheqjen

Ashtu siç ishte paralajmëruar, në protestën e kësaj të shtune në Tiranë morën pjesë edhe qytetarë nga diaspora shqiptare, të cilët mbajtën fjalën nga foltorja...
20:03 | 20/06/2026

Humb një fëmijë në protestë, qytetarja thirrje prindërve: Ndodhet afër fonisë

Një fëmijë i mitur është raportuar së ka humbur këtë të shtunë në protestë që po zhvillohet para Kryeministrisë. Një qytetare ka njoftuar se një...
19:38 | 20/06/2026

“Kur shqiptarët i dalin zot atdheut”, protestuesit me pankarta në duar para Kryeministrisë (FOTO+VIDEO)

Qytetarë të shumë, aktivistë dhe emigrantë nga diaspora janë bashkuar këtë të shtunë në ditën e 21-të të protestës. Protestuesit mbajnë në duar flamuj të...
19:28 | 20/06/2026