LIVE – Dita e 35-të e protestës, pas dy orësh fjalimesh para Kryeministrisë, qytetarët nisin marshimin në rrugët e Tiranës

4 Korrik 2026 | 18:58

Protesta e aktivistëve dhe qytetarëve kundër qeverisë ka hyrë këtë të shtunë në ditën e saj të 35-të ndërsa tubimit i janë bashkuar qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në vende të ndryshme të botës.

Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve, dhjetëra qytetarë nga diaspora janë mbledhur fillimisht në Shkodër, përpara se të niseshin drejt Tiranës. Ata kanë udhëtuar me automjete të zbukuruara me flamurin kuqezi, duke iu bashkuar më pas protestuesve në tubimin e mbrëmjes.

Kjo ditë e 35-të e protestës përkonte me datëlindjen e 62-të të kryeministrit, ndërsa shumë prej protestuesve kishin sjellë me vete torta simbolike, në të cilat ishin shkruar mesazhe ku i kërkohej dorëheqja.

Pjesëmarrësit deklarojnë se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara në raport me protestat e mëparshme, ndërsa këtë herë kanë përcjellë edhe një mesazh simbolik në ditën e lindjes së kryeministrit.

Tubimi nisi në Sheshin “Skënderbej”, ku qytetarët u mblodhën përpara se të marshonin drejt godinës së Kryeministrisë. Për rreth dy orë, pjesëmarrësit mbajtën fjalime, duke përsëritur kërkesat për largimin e qeverisë dhe ndryshimin e klasës aktuale politike. Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit nisën marshimin në rrugët e Tiranës.

10 Updates
22:14

Arkivoli në protestë, Balla tregon kush e solli dhe sulmon Berishën: E ka bëre 28 vite më parë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar në lidhje me arkivolin që u soll nga disa protestues gjatë ditës së 35-të të protestës në Tiranë.

Pasi publikoi pamje nga protesta në rrjetet sociale, Balla pretendon se personat që sollën arkivolin janë mbështetës të Partisë Demokratike në Durrës, si edhe të një fraksioni brenda kësaj force politike.

Në reagimin e tij, ai rikujton një ngjarje të 28 viteve më parë, duke thënë se Sali Berisha kishte sjellë arkivolin e Azem Hajdarit pranë Kryeministrisë.

Balla shprehet se tallja me qefinin nuk përputhet me zakonet shqiptare dhe as me traditat fetare, qofshin ato islame apo të krishtera. Ai shton se do t’i jepte një përgjigje Sali Berishës, por, sipas tij, këtë nuk ia lejojnë zakonet shqiptare dhe ato fetare.

“Personat që sollën në bulevard një arkivol qenkan mbështetës të Partisë Demokratike Durrës (edhe të një fraksioni brenda saj). Sali Berisha e ka bërë këtë akt të turpshëm 28 vite më parë me arkivolin e të ndjerit Azem Hajdari. Tallja me qefinin, në kuptimin e përqeshjes së një simboli të lidhur me vdekjen dhe varrimin, nuk përputhet me zakonet shqiptare, si dhe ato fetare, qoftë islame, qoftë kristiane. Ty, Sali, do të ta jepja një përgjigje, por zakonet shqiptare dhe fetare nuk ma lejojnë”, shkruan Balla.

🔗 Shpërndaje
21:45

Dita e 35-të e protestës, qytetarët, aktivistët dhe diaspora nisin marshimin në rrugët e Tiranës

Pas rreth dy orësh tubim para Kryeministrisë, ku qytetarë, aktivistë dhe shqiptarë të ardhur nga diaspora mbajtën fjalimet e tyre, protestuesit nisën marshimin në rrugët e Tiranës, në kuadër të ditës së 35-të të protestave.

Me thirrjet “Shqipëri e Re” dhe “Edi Rama, jep dorëheqjen”, mijëra pjesëmarrës marshuan në bulevardin kryesor të kryeqytetit, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

Sipas organizatorëve, protesta e kësaj të shtune shënoi një pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve nga i gjithë vendi, si edhe të shqiptarëve të ardhur nga diaspora, të cilët iu bashkuan manifestimit në mbështetje të kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit.

Bulevardi para Kryeministrisë u mbush me mijëra protestues, ndërsa në mbrëmje sheshi u ndriçua nga dritat e telefonave celularë të pjesëmarrësve, përpara se turma të niste marshimin në rrugët e Tiranës.

🔗 Shpërndaje
20:36

Shqiptari vjen nga Britania e Madhe në protestë: Rama përballet me shqiptarët, jo me “agjentë të huaj”

Një shqiptar i ardhur nga Britania e Madhe ka mbajtur fjalën gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, ku i është drejtuar kryeministrit Edi Rama me kritika të forta.

Ai deklaroi se përballja e kryeministrit nuk është me “agjentë të huaj”, por me qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, duke shtuar se ai ka humbur mbështetjen e tyre. Sipas tij, Rama kishte ardhur në pushtet si shpresë, por është shndërruar në zhgënjim për qytetarët.

Aktivisti përsëriti kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie tranzitore, duke theksuar nevojën për hapjen e rrugës së proceseve demokratike.

“Betejën nuk e ke me agjentë të huaj, por e ke me shqiptarë. Shqiptarët të kanë dhënë luksin e 4 mandateve, por ti e ke bërë baltë, ndaj shqiptarët e diasporës dhe brenda kufirit janë bërë bashkë dhe të kanë vënë një kusht: dorëhiqu, dorëhiqu. I ke zemëruar shqiptarët, në erdhe si shpresë por je bërë zhgënjim. Ndaj hapi rrugë proceseve demokratike, t’i japim fund tranzicionit”, u shpreh ai.

🔗 Shpërndaje
19:52

Protesta në Tiranë, Dritan Goxhaj mesazh urimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Fjalimet në ditën e 35-të para Kryeministrisë kanë nisur me leximin e një deklarate nga grupi organizator, e mbajtur nga Dritan Goxhaj, i cili ka uruar Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në deklaratë theksohet rëndësia e kësaj dite dhe ndikimi që SHBA ka në botë, ndërsa u nënvizua se shoqëritë demokratike kanë të drejtë të kërkojnë ndryshimin kur besimi i qytetarëve ndaj pushtetit cenohet.

“Sot, në Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, i urojmë popullit amerikan 250-vjetorin e Pavarësisë! SHBA është aleate strategjike e Shqipërisë dhe mike e popullit shqiptar që ka qëndruar pranë. Në këtë ditë, kujtojmë Deklaratën e Pavarësisë. Ajo ishte shpallja e një parimi që vazhdon të frymëzojë popuj anembanë botës, se qeveritë e marrin legjitimitetin nga të qeverisurit. Deklarata e Pavarësisë na kujton se pushteti nuk është pronë e një qeverie, por besim i dhënë nga qytetarët. Kur ky besim cenohet, shoqëritë demokratike kanë të drejtë të kërkojnë ndryshimin me mjete demokratike. Gëzuar 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-ve! Liria nuk është dhuratë e pushtetit, por e drejtë e njerëzve”, u shpreh Goxhaj.

🔗 Shpërndaje
19:38

Protestuesit sjellin torta në bulevard në ditëlindjen e kryeministrit: Populli të uron! (VIDEO)

Dita e 35-të e protestës në Tiranë ka përkuar këtë të shtunë me ditëlindjen e Kryeministrit Edi Rama, i cili shënon 62-vjetorin e lindjes.

Me këtë rast, shumë nga protestuesit kanë sjellë në shesh torta simbolike, në të cilat shkruhen mesazhe për kryeministrin Rama.

Në tortën e një qytetari shkruhet: “Populli të uron, jep dorëheqjen, merr dhe Saliun me vete”. Në një tortë tjetër shkruhet “Torta sot, dorëheqja nesër”, ndërsa një nga aktivistët tha se kjo do të jetë ditëlindja e fundit e tij si kryeminsitër.

Gjatë tubimit në Sheshin “Skënderbej”, protestuesit kanë vijuar me thirrje dhe slogane kundër qeverisë, ndërsa atmosfera është shoqëruar me pankarta dhe brohoritje të shumta.

🔗 Shpërndaje
19:16

“Dorëheqje”, protestuesit marshojnë nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë

Me thirrjet “dorëheqje”, protestuesit kanë nisur marshimin nga sheshi “Skënderbej” në drejtim të godinës së Kryeministrisë, në ditën e 35-të të protestës që po zhvillohet në Tiranë.

Në kryeqytet kanë mbërritur sot edhe qytetarë shqiptarë nga diaspora në mbështetje të protestuesve, të cilët janë bashkuar në tubim me flamuj kuqezi në duar dhe me plisa në kokë. Gjatë marshimit, protestuesit kanë bërë thirrje “poshtë diktatura”, ndërsa atmosfera është shoqëruar me slogane dhe brohoritje.

Nga mikrofonat, si dhe nga vetë protestuesit, është artikuluar gjithashtu edhe thirrja e përsëritur “Rama, jepe dorëheqjen”, e cila është bërë një nga sloganet kryesore të kësaj proteste.

Marshimi pritet të përfundojë para Kryeministrisë, ku protestuesit do të vijojnë me fjalime dhe qëndrime publike në kuadër të tubimit të sotëm.

🔗 Shpërndaje
19:04

Rama flet për median gjermane: Nuk kam ndërmend t’i them jo 4 miliardëve

Në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, prej më shumë se një muaji po zhvillohen protesta të përditshme në mbrëmje, të nxitura nga kundërshtimi i një projekti për ndërtimin e një resorti luksoz në zonën e lagunës së Zvërnecit dhe në ishullin e Sazanit. Projekti lidhet, ndër të tjera, me firmën investuese të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Aktivistët mjedisorë paralajmërojnë rrezik për një zonë të ndjeshme ekologjike, të rëndësishme për shpendët dhe ekosistemin ligatinor.

Ndërkohë, protestat janë zgjeruar përtej çështjes mjedisore, duke u kthyer në një shprehje pakënaqësie ndaj korrupsionit, mungesës së transparencës dhe qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit, ish-kryebashkiak i Tiranës dhe ish-lojtar i ekipit kombëtar të basketbollit, i hedh poshtë akuzat.

Në një intervistë për “ZDF Heute”, Rama flet për protestat, përplasjen mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së natyrës, si dhe për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

🔗 Shpërndaje
12:48

Rama për BBC: Protestat, shenjë e një shoqërie të shëndetshme dhe demokratike

Fillimisht protestuan kundër flamingos, tani turma në rrugët poshtë zyrës së kryeministrit shqiptar Edi Rama ka filluar të këndojë edhe për shkollat, vendet e punës dhe standardet e jetesës – dhe kërkon që ai të japë dorëheqjen.

Zogjtë shtegtarë rozë u bënë simbol i tubimeve të natës në Shqipëri, sepse ata mblidhen në Lagunën e Nartës, një zonë e mbrojtur pranë qytetit bregdetar të Vlorës.

Një grup investitorësh ndërkombëtarë – përfshirë dhëndrin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Jared Kushner – duan të zhvillojnë një vendpushim luksoz aty pranë dhe qeveria u ka dhënë atyre statusin e “investitorit special”.

Ende nuk ka leje ndërtimi dhe qeveria e Ramës thotë se një vlerësim i ndikimit në mjedis as nuk ka filluar, por në vend janë parë gardhe dhe buldozerë.

Protestat lokale në shkallë të vogël rreth ndikimit të mundshëm në mjedis u përhapën në nivel kombëtar një muaj më parë, kur një video e rojeve private të sigurisë duke rrahur një protestues u përhap në mediat sociale. Incidenti është konfirmuar nga kryeministri.

Zemërimi tani është përhapur, duke sjellë shqetësime më të gjera në lidhje me mënyrën se si po zhvillohet Shqipëria – dhe si po qeveriset ajo.

“Jam këtu për shkollat ​​tona”, i thotë BBC-së një protestuese e re e quajtur Helena.

“Jam këtu për spitalet tona, jam këtu për infrastrukturën tonë, jam këtu për familjen time që është jashtë Shqipërisë dhe donte të ishte këtu. Dhe për të gjitha këto, jam kryesisht këtu për veten time, sepse dua të qëndroj në vendin tim dhe nuk dua të largohem.”

🔗 Shpërndaje
12:13

Sot protesta kombëtare, diaspora mbërrin në Shkodër. Me këngë patriotike dhe flamuj, vijojnë rrugën drejt Tiranës

Mijëra qytetarë shqiptarë pritet të mblidhen edhe këtë të shtunë në kryeqytet, këtë herë në kuadër të protestës kombëtare. Ky manifestim shënon ditën e 35-të të tubimeve të njëpasnjëshme kundër qeverisë Rama.

Dhjetëra bashkëkombës të ardhur nga jashtë vendit kanë mbërritur fillimisht në veri të vendit, në Shkodër, nga ku po organizohen për t’u nisur drejt Tiranës.

Në pamjet e siguruara nga terreni, shihet atmosfera e ndezur në rrugët kombëtare. Vargje makinash po lëvizin drejt kryeqytetit, të mbuluara me flamuj kuqezi, me flamurin e UÇK-së dhe në sfondë këngë patriotike.

Grumbullimi i protestuesve është parashikuar të nisë si çdo ditë në sheshin “Skënderbej” në orën 19:00, ndërsa më pas marshimi do të vijojë drejt godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit do të shprehin kërkesat e tyre dhe në përfundim marshimi do të vijoj drejt rrugëve të kryeqytetit.

Sipas përfaqësuesve të protestuesve dhe emigrantëve që i janë bashkuar kësaj lëvizjeje, kërkesa kryesore dhe e panegociueshme mbetet dorëheqja pa kushte e kryeministrit Edi Rama.

🔗 Shpërndaje
12:05

Protestuesi i shoqëruar vuan nga epilepsia, avokati Serjani kërkon lirimin e tij: Gjatë krizave është dhunuar nga policia

Avokati Gentian Serjani këtë të shtunë përmes një postimi në “Facebook” ka bërë ne dije se është takuar me një nga protestuesit e ndaluar të cilin e ka indetifikuar si Niko Qarkaj. Avokati thekson se Qarkaj vuan nga epilepsia dhe se gjatë qëndrimit në komisariat ka pësuar disa kriza.

Sipas tij gjatë krizës së kaluar mbrëmjen e djeshme nuk ka marrë ndihmë mjekësore teksa shton se Qarkaj pretendon se është dhunuar nga policia. Ndër të tjera avokati shton se ai ka vendosur të futet në grevë urie që nga momenti i shoqërimit. Serjani ndër të tjera në postim kërkon lirimin e tij dhe të nisin hetimet lidhur me dhunimin e tij.

“Ditën e sotme vizitova të ndaluarin Niko Qarkaj, i cili u shoqërua gjatë protestës. Ai vuan nga epilepsia dhe, sipas tij, gjatë qëndrimit në komisariat ka pësuar disa kriza.

Mbrëmjen e djeshme, gjatë një prej krizave epileptike, për shkak të gjendjes së tij ai nuk ka qenë i vetëdijshëm për veprimet apo fjalët e tij. Sipas deklarimit të tij, gjatë këtij episodi mund të ketë ofenduar punonjësit e policisë, por në vend që të merrte ndihmën e nevojshme, ai pretendon se është dhunuar fizikisht nga efektivët e policisë, duke mbetur edhe i gjakosur.

Ai ndodhet në grevë urie që nga momenti i shoqërimit. Thirrja jonë është që Niko Qarkaj të lirohet menjëherë dhe të nisë një hetim i plotë e i pavarur për veprimet e dhunshme që ai pretendon se janë ushtruar ndaj tij nga efektivët e policisë”, shkruan Serjani.

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Arkivoli në protestë, Balla tregon kush e solli dhe sulmon Berishën: E ka bëre 28 vite më parë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar në lidhje me arkivolin që u soll nga disa protestues gjatë ditës së 35-të...
22:08 | 04/07/2026

Avokati i Popullit: Qytetari me kriza shëndetësore të lirohet menjëherë, qëndrimi në qeli rrezikon jetën e tij

Avokati i Popullit ka reaguar lidhur me rastin e qytetarit për të cilin u pretendua se ishte dhunuar në ambientet e Bllokut të Sigurisë, duke...
21:44 | 04/07/2026

“I kemi të gjithë në varrim, por nuk do t’i godasim”, Trump deklarata të forta për udhëheqjen iraniane

Donald Trump ka bërë deklarata të forta për Axios, duke folur për zhvillimet në Iran dhe marrëdhëniet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Sipas tij, gjatë...
20:45 | 04/07/2026