Maqedonia e Veriut me kryeministër shqiptar për 100 ditë, arrihet marrëveshja LSDM-BDI

18 Gusht 2020 | 14:19

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti kanë arritur marrëveshje për formimin e koalicionit qeverisës. Maqedonia e Veriut do të ketë për herë të parë një kryeministër shqiptar sipas marrëveshjes.

Ahmeti në një deklaratë për mediat i shoqëruar nga Zaev tha se, kjo është një ditë e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut pasi vendoset për qeverisjen e vendit për katër vitet e ardhshme.

Ai tha se, duke qenë se vendi ndodhet në një situatë të rënduar për shkak të COVID-19, nevojitet që sa më shpejt të konstituohet qeveria e re.

“Jam shumë i bindur që ky vendim që sot ne marrim, mirëpritet nga çdo qytetar i vendit. Sigurisht që mirëpritet edhe nga partnerët tanë, të cilët kanë ndihmuar që vendi ynë të jetë në rrugë të mbarë integruese”, tha Ahmeti.

Për premtimin e bërë gjatë fushatës për zgjedhjen për herë të parë të një kryeministri shqiptar në krye të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Ahmeti tha se është rënë dakord që kjo të realizohet vetëm për 100 ditë gjatë mandatit qeverisës LSDM-BDI.

“Çështja e kryeministrit është një çështje që na afron dhe ne marrim përgjegjësi që të kemi një republikë më të fortë dhe më të qëndrueshme me qytetarë të bashkuar. 100 ditë do të jetë një shqiptar i propozuar për kryeministër të vendit nga BDI”, deklaroi Ahmeti.

Gjatë fjalës së tij, Zoran Zaev tha se, vlerësonte “mençurinë, durimin dhe përkushtimin” e Ahmetit në arritjen e kësaj marrëveshjeje, duke pranuar se pakti përfshin votimin e një kryeministri shqiptar në fund të mandatit.

“Ne si partnerë koalicioni kemi rënë dakord që 100 ditë para zgjedhjeve, partitë me propozim të BDI-së të caktojnë një kandidat për kryeministër. Kjo është në kuadër të ndërtimit të mirëbesimit”, tha Zaev.

Në zgjedhjet e 15 korrikut, koalicioni mes LSDM dhe BESA siguroi 46 deputetë, VMRO-DPMNE 44, BDI 15, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12, E majta dy dhe PDSH-ja 1.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklarata e ministres serbe për spastrim etnik, reagon Ali Ahmeti: Tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviç e cila në një intervistë...
11:50 | 15/07/2026

Policia dhe partnerët amerikanë arrestojnë në Durrës 2 të kërkuar për vrasje nga Maqedonia e Veriut

Dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të akuzuar për vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje...
13:31 | 11/07/2026

Tre zyrtarë shqiptarë nga RMV: Nuk na lejuan të hyjmë në Shqipëri

Tre zyrtarë nga Maqedonia e Veriut, deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë,...
18:16 | 08/07/2026