Maqedonia e Veriut shton masat kufizuese, mbyllen baret dhe restorantet për dy javë

5 Prill 2021 | 15:38

Qeveria e Maqedonisë së Veriut prej nesër do të mbyllë të gjithë baret dhe restorantet për dy javët e ardhshme. Vendimi u mor pas shifrave alarmante të të infektuarve dhe të të vdekurve.

Ky sektor do të ketë mundësi të vazhdojë me punë vetëm me dërgesa (katering). Përveç kësaj, edhe ora policore do të fillojë më herët. Deri sot ora policore niste në 22:00, ndërsa prej nesër do të fillojë nga ora 20:00 dhe do të përfundojë në 05:00 të ditës së ardhshme.

Mbyllen edhe palestrat, sallat e sportit, bastet, e vendet e destinuara për konferenca dhe trajnime. Ato që kanë kafshë shtëpiake do të mund të nxjerrin ato për shëtitje deri 100 metra larg vendbanimit, prej orës 22:00 deri në 23:00.

Kryeministri i RMV, Zoran Zaev tha se ky vendim është për të parandaluar një kaos nëpër spitale dhe rritjen e viktimave.

“Ky është moment kur duhet mobilizim i plotë i qytetarëve dhe shoqërisë për të mbrojtur shëndetin kolektiv, që është një obligim i të gjithë neve. Për fat të keq deri tani  nuk janë respektuar masat, sidomos gjatë javëve të fundit”, tha Zaev.

Ministri i Shëndetësisë thotë se sistemi shëndetësor është i ngarkuar shumë dhe se nëse nuk vendosen masa kufizuese do të lejohej përhapja marramendëse e virusit dhe shteti nuk do të arrijë tu japë të gjithëve ndihmën e kërkuar.

“Kemi pacientë të shumtë nëpër spitale. Karakteristike është se edhe mjekimi gjatë periudhës së fundit po zgjatë më shumë se sa gjatë periudhës së vitit të kaluar. Kemi kaluar pikun, dhe shpresoj se gjatë periudhës së ardhshme do të ulet numri”, tha Venko Filipçe.

Maqedonia e Veriut është një prej vendeve më të prekura nga COVID-19 pasi që prej fillimit të pandemisë numëron 3 940 viktima.

Vetëm gjatë javës së fundit në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar rreth 300 të vdekur.

Të dielën u shënuan 35 persona të vdekur, ku viktima me moshën më të re ishte një 28-vjeccar nga Ohri.

Deri tani në Maqedoninë e Veriut ka pasur mbi 134 mijë persona të infektuar ndërsa numri i rasteve aktive mbetet 21 630.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklarata e ministres serbe për spastrim etnik, reagon Ali Ahmeti: Tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviç e cila në një intervistë...
11:50 | 15/07/2026

Policia dhe partnerët amerikanë arrestojnë në Durrës 2 të kërkuar për vrasje nga Maqedonia e Veriut

Dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të akuzuar për vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje...
13:31 | 11/07/2026

Tre zyrtarë shqiptarë nga RMV: Nuk na lejuan të hyjmë në Shqipëri

Tre zyrtarë nga Maqedonia e Veriut, deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë,...
18:16 | 08/07/2026