Tre në pesë shqiptarë (61,30%) janë të shqetësuar se Shqipëria mund të përfshihet në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, si pjesë e aleancës euroatlantike, NATO.
Pjesa më e madhe e qytetarëve të shqetësuar, janë të moshave 45-54 vjeç (74%). Mes të rinjve, më shumë se gjysma e tyre, i tremben përfshirjes së Shqipërisë në luftën në Ukrainë.
Barometri në Euronews i pyeti shqiptarët lidhur me luftën në Ukrainë dhe pozicionimin e tyre lidhur me një përfshirje të mundshme të Shqipërisë.
Pothuajse gjysma e shqiptarëve (48%) mendojnë se Shqipëria është vend i vogël dhe nuk ka përse të ngatërrohet me luftërat e të tjerëve.
Pjesa tjetër e qytetarëve, janë ndarë thuajse në dy pjesë të barabarta mes atyre që nuk janë dakord me këtë pohim (27%) dhe atyre që nuk janë të vendosur (24%).
Shumica e shqiptarëve (61%) mendojnë se vendi ynë duhet të dërgojë ushtarë në Ukrainë, në rast se NATO vendos të ndërhyjë ushtarakisht.
Thuajse dy në pesë shqiptarë (38%) nuk janë dakord që Shqipëria të dërgojë ushtarë në Ukrainë, nëse NATO përfshihet në luftë.
Më shumë se gjysma e qytetarëve (58%) nuk janë dakord që shqiptarët të shkojnë vullnetarë për të luftuar në Ukrainë. Dy në pesë të anketuar (38%) mbështesin vajtjen si vullnetar në luftën Ukrainë-Rusi të shqiptarëve.
Qytetarët shqiptarë janë thuajse të gjithë (90%) dakord që Shqipëria të presë refugjatë ukrainas, si ndihmë pas pushtimit nga Rusia. Vetëm një në dhjetë shqiptarë nuk janë dakord që vendi ynë të presë refugjatë nga Ukraina.
Gjetjet janë të anketës së Barometrit në Euronews Albania, kryer nga MRB dhe DataCentrum në datat 25 mars deri në 5 prill me 1000 intervista ballë për ballë në familje.
LEXONI GJITHASHTU: