English

“Më kërkoi falje”, nëna rrëfen historinë se si djali i saj humbi jetën në Gërdec

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Kamera e emisionit Real People në Euronews Albania ishte këtë javë në fshatin Gërdec, i cili ndodhet mes Durrësit dhe Tiranës.

- Advertisement -

Këtë të shtunë shënohen 17 vjet nga 15 marsi i vitit 2008, kur ndodhi shpërthimi i madh në Gerdec, ku humbën jetën 26 persona.

Njëri prej tyre ishte Erisoni, 7-vjeçar. Flori Gjini zhvilloi një intervistë me Zamira Durdën, e cila është nëna e 7-vjeçarit.

Ajo thotë se ende, që nga viti 2008, nuk i ka hequr rrobat e zeza që pasi djali i saj humbi jetën. Zamira thotë se mundohet të jetojë për dy fëmijët e tjerë dhe thotë se me origjinë janë nga Gramshi dhe ishin zhvendosur herët në Gërdec.

Erisoni lindi në vitin 2000 dhe ishte gëzimi i jetës, pasi dy kalamajtë e tjerë ishin më të mëdhenj. Vëllai dhe motra ia vunë emrin.

Erisoni u rrit i plotësuar, jo me vuajtjet e dy fëmijëve të tjerë. Ia plotësuam të gjitha nevojat, ishte i zgjuar dhe i zhvilluar. I thoja burrit: “Më sill ndonjë libër, ndonjë revistë, se nuk di çfarë përgjigjesh t’i jap.”

Në vitin kur bëmë shtëpinë e re, Erisoni më tha: “Po mua, pse nuk më bëni një dhomë?” Ishte sapo kishte hyrë në klasë të parë dhe kjo fjalë më ka ngelur në mendje.

Më 8 mars isha pa humor, dhe vjen Erisoni nga shkolla, disa ditë para ngjarjes, isha e  shtrirë. Më tha: “Çfarë ke, o mam?” I thashë që isha pa humor dhe më tha: “Po, do të blej ndonjë gjë.” Shkoi dhe më bleu disa gjëra dhe më thoshte: “Pi, që të bëhesh më mirë.” Ato ditë kisha një ndjenjë të brendshme, si një këputje brenda vetes, dhe mbase e kam ndjerë se diçka do të ndodhte.

Dita e ngjarjes

Mengjesi ishte i bukur atë ditë, me diell. Djali i madh iku në stërvitje në Durrës, unë isha me vajzën, ndërsa Erisoni ishte te gjyshja, te nëna ime, gjatë natës, ndërsa në mëngjes erdhi në shtëpi. Atë ditë këtu po bëheshin disa ndërtime dhe i thashë: “Mos dil në rrugë se vijnë makinat e mëdha, që ta mbaja në shtëpi.” I thashë: “Hajde të sharrojmë dru”

Ndodhi një shpërthim, si një shpërthim bombole gazi, kur dolëm, shohim tym. Mora burrin në telefon që ishte në punë. I thashë burrit që kishte rënë flakë te reparti i Gerdecit dhe i thashë se nuk e kam Erisonin në shtëpi dhe do të dal ta kërkoj.

Dola tutje për ta kërkuar, dhe më thanë disa fëmijë: “Mos kalo andej se ka tym, dhe se Erisionin e ka marrë djali i xhaxhait, por nuk e dimë ku është.” I kishin zënë flakët, dhe nuk dija çfarë të bëja. Më pas, thashë: “O Zot,” dhe duke ikur, na shpërtheu një predhë para nesh, ku u plagosën disa komshinj.

Duke lëvizur, u përballa me burrin, i cili ishte me makinë. Policia na thonte të iknim sa më larg, se do të kishte shpërthime të tjera.

“Kisha një shpresë të brendshme, se kur po jepeshin emrat në televizion pashë emrat e vëllezërve dhe të nuseve që ishin brenda rrethimit dhe kishin shpëtuar, thashë: “Mos ndoshta do të ketë ikur larg pa i ndodhur gjë”, thotë Zamira Durda.

Erisoni në spital i djegur

Na thanë të kontrollonim te Spitali i Djegieve të QSUT. Erisonin e kishin çuar aty, ishte i djegur, dhe i kishte treguar emrin mjekut.

Më çuan te dhoma e djalit, e pashe të fashuar dhe më tha: “Më fal, o mam, që ika pa leje.” I pashë mjekimin që kishte marrë dhe u tremba pasi kishte dhe morfinë.

Erisoni ishte djegur në qafë, duar dhe shpinë. Flisja me djalin, më kërkonte ujë, më kërkonte pije, dhe flisja me të gjatë gjithë kohës, ata i jepnin morfinë që të mos ndiente dhimbjet.

Më tha dhe një varg poezie dhe kaloi në koma. Nuk e prisja që të binte në koma, por ata thonin për të më qetësuar që do ta nisim për në Itali për mjekim më të specializuar.

“I bënë letrat burrit, meqë do ta dërgonin në Itali, dhe do të shkonin të gjithë që ishin në gjendje të rëndë. Kur i hoqën fashot, i ra lekura në tokë, fashot ishin ngjitur në lëkurë dhe ishte sikur ta rrjepnin kur ia hoqën. Mbase dhe nuk dinin çfarë të bënin, por nuk e di pse e fashuan kur ishte djegur. Mendova që do të shërohej por ai mbeti në koma. 18 ditë qëndroi djali në koma dhe nuk u zgjua më. Të gjithë që ishin në gjendje të rëndë kur i futën te veshja e djegieve që ti mbante freskët ranë në koma”, thotë Zamira Durda.

Babain e gjetëm të vdekur pas tre ditësh në morg. Na njoftuan edhe për vdekjen e kunatës 32-vjeçare. Kishim çdo ditë këto ngjarje, ndërsa djali ishte për mjekim jashtë.

Më 3 prill, më doli gjumi dhe isha si e tronditur. I bie në telefon burrit, por ai nuk ma hapi. Më tha: “Jemi në gjumë.” I thashë: “Po, si është djali?” Ai më tha: “Për mbarë.” Nuk donte të më tregonte. I thashë: “Bëj be për kokën e djalit që është mirë.” Zamira më tha: “Nuk të them dot, por shiko dy të tjerët.”

Më ka dalë në ëndërr, ashtu i vogël, siç e kam pasur, më shfaqet si një fëmijë.

“Gëja e parë që kam bërë kur shkova në shtëpi, “kërkoj nën rrënojat, gjërat e Erisonit: librat, fotografitë, çizmet, rrobat, i kam ruajtur. Kishin hyrë hajdutët në shtëpi, dhe m’i kishin bërë lëmsh rrobat e djalit”, thotë Zamira.

Kërkesa për drejtësi vijon ende sot

“Djali kishte bërë detyrat më 13 mars, ndërsa pas datës 15 mars, ai nuk shkoi më në shkollë. A mund të më thotë ndonjëri pse nuk e kam më djalin dhe pse ai nuk jeton? Këtë gjë ia kam kërkuar gjyqtares dhe prokurorëve për të hapur procesin, se pse djali im nuk është më, kur nuk kishte asnjë sëmundje, asnjë problem”.

“Djali im më kërkoi falje që doli, ndërsa këta as falje nuk na kanë kërkuar dhe na kanë bërë karshillëk. Ky djalë doli për të lozur dhe, me mbi 60% të trupit të djegur, më kërkoi falje ndërsa ata na bëjnë karshillëk. Motiv i jetës time është vendosja e drejtësisë për Erisonin. Falenderoj mediat për mbështetjen”, e mbyll fjalën e saj, Zamira Durda.

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?