Më shumë se një në tre familje në Shqipëri kanë të paktën një anëtar migrant

16 Dhjetor 2025 | 20:20

Më shumë se një në tre familje shqiptare kanë të paktën një anëtar migrant, duke e kthyer emigracionin në një realitet të përditshëm për mijëra familje në vend. Sipas Anketës së Migracionit 2024, 37 përqind e familjeve kanë ose një anëtar që ndodhet aktualisht jashtë Shqipërisë, ose një të afërm që ka jetuar jashtë dhe është kthyer. Në 5 përqind të rasteve, familjet kanë më shumë se një anëtar migrant, çka tregon se largimi nuk është episod i izoluar, por një cikël i vazhdueshëm.

Migrimi nuk prek njësoj të gjithë territorin. Prefektura e Beratit rezulton me shkallën më të lartë të migrimit, ku rreth 69 përqind e familjeve kanë përjetuar largimin e një anëtari. Edhe në Vlorë dhe Lezhë, një në dy familje raporton se ka migrantë në familje. Ndërsa Berati dhe Vlora kanë më shumë migrantë të kthyer, Lezha kryeson për familjet me anëtarë aktualisht jashtë vendit. Në të kundërt, Gjirokastra, Kukësi dhe Dibra shënojnë nivele më të ulëta migrimi, të lidhura kryesisht me izolimin dhe varfërinë. Tirana, si qendër ekonomike, ka gjithashtu një përqindje relativisht më të ulët të familjeve me migrantë, duke reflektuar mundësi më të mëdha punësimi në vend.

Profili i migrantëve ndryshon sipas destinacionit. Migrantët që shkojnë drejt Evropës Perëndimore, Veriore dhe SHBA-së kanë, në përgjithësi, nivele më të larta arsimimi. SHBA-të rezultojnë destinacioni me migrantët më të arsimuar, ku gati një e treta e shqiptarëve mbi 25 vjeç kanë përfunduar arsimin e lartë. Në krahun tjetër, Greqia mbetet destinacioni ku përqendrimi i migrantëve me arsim të ulët është më i madh, duke treguar një ndarje të qartë të migrimit sipas aftësive dhe mundësive.

Migrimi shqiptar mbetet kryesisht një fenomen i dominuar nga meshkujt. Rreth tre të katërtat e migrantëve aktualë janë burra, ndërsa një prirje e ngjashme vërehet edhe te migrantët e kthyer. Çekuilibrat gjinorë janë veçanërisht të theksuar në Mbretërinë e Bashkuar, Greqi dhe Gjermani, ndërsa vetëm te migrantët me arsim të lartë vihet re një shpërndarje më e barabartë gjinore.

Të dhënat tregojnë se largimi ndodh kryesisht në moshë të re. Gati 80 përqind e migrantëve janë larguar nga Shqipëria para moshës 35 vjeç, ndërsa kthimi ndodh më vonë në jetë, shpesh pas periudhave të gjata jashtë vendit. Një pjesë e migrantëve kthehen edhe pas daljes në pension, megjithëse mesatarisht rikthehen më të rinj se popullsia jo-migrante.

Megjithëse të ardhurat jashtë vendit mbeten më të larta se në Shqipëri, realiteti financiar nuk përmbush gjithmonë pritshmëritë. Migrantët kanë prirje të mbivlerësojnë fitimet dhe kursimet që mund të arrijnë, ndërkohë që shpenzimet e larta mujore kufizojnë ndjeshëm mundësinë për të kursyer. Mbi një e katërta e migrantëve të kthyer raportojnë se nuk kanë arritur të kursejnë para gjatë periudhës së emigrimit, ndërsa migrantët aktualë arrijnë mesatarisht kursime modeste.

Edhe remitancat, një nga burimet kryesore të të ardhurave për familjet shqiptare, vazhdojnë të dërgohen kryesisht përmes kanaleve informale, duke mbetur jashtë sistemit financiar. Kjo e bën migrimin jo vetëm një histori largimi, por edhe një mundësi të pashfrytëzuar për zhvillimin ekonomik të vendit.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Gazetarja: Rama përballë “fëmijëve politikë” të tij, kërkojnë zgjidhje për problemet e krijuara nën qeverisjen e tij

Duke folur për protestat e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë, gazetarja Mirela Milori u shpreh se problematikat e ngritura në shesh po përpiqen të zbehen...
22:28 | 25/06/2026

Aktivisti Goci: Një agjent nuk del me fytyrë të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit

“Një agjent nuk del me fytyrë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, por vepron në mënyrë të fshehtë.” Kështu u shpreh aktivisti Ervin Goci në...
21:57 | 25/06/2026

“Rama jepe dorëheqjen”, protestuesit marshojnë dhe ndalen para Parlamentit në Tiranë

Pas rreth dy orësh fjalimesh në ditën e 26-të të protestës, aktivistët dhe qytetarët e mbledhur para Kryeministrisë kanë nisur marshimin nëpër kryeqytet, duke thirrur...
21:36 | 25/06/2026