Mickoski kërkon ndryshime në Këshillin Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut

6 Shkurt 2025 | 16:57

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, njoftoi të enjten se deputetët e partisë së tij, VMRO-DPMNE, do të paraqesin një mocion në Kuvend për shkarkimin e një pjese të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, të cilin e quajti “bastion korrupsioni dhe padrejtësie”.

Mickoski theksoi në një postim në rrjetin social Facebook se “shteti dhe qytetarët kanë nevojë për drejtësi, dhe Maqedonia [e Veriut] duhet të luftojë kundër kënetës së saj të korruptuar”.

Ai tha më vonë për gazetarë se “goditja në ballë nënkupton që gjithçka që është nën kompetencat e Kuvendit, është emërimi i atyre anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Atje ku zgjidhen të votohet edhe mocioni i mosbesimit”.

Në anën tjetër, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, i befasuar nga synimi i kryeministrit, tha se shpreson se Kuvendi dhe Qeveria do të punojnë sipas Kushtetutës.

“Për herë të parë e dëgjova këtë nga ju. Deri tani ishim në seancë. Kam dhënë deklarata, për sa i përket shkarkimit të Këshillit Gjyqësor, vendi i vetëm ku është parashikuar është në Ligjin për Këshillin Gjyqësor. Iniciativat mund të dorëzohen në Kuvend, çdokush mund të dorëzojë iniciativa”, tha Kambovski.

Kambovski, në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë më 28 janar, kishte theksuar se, sipas Ligjit për Këshillin Gjyqësor, vetëm ky këshill mund t’i shkarkojë anëtarët e tij.

“Nuk kam hasur në ligje të tjera që parashikojnë një mundësi të tillë për shkarkimin në një procedurë tjetër”, tha Kambovski.

Iniciativa e VMRO-DPMNE-së ka të bëjë me pesë anëtarët që zgjidhen nga Kuvendi.

“Ne nuk mund të bëjmë një shpërbërje të plotë, as të zbulojmë anomalitë në një kohë kaq të shkurtër, por mund të zgjedhim një Këshill Gjyqësor që objektivisht, pa kushtëzime partiake, do të mund ta sqarojë këtë moçal politik dhe të jetë një lloj monitoruesi se si sillen gjyqtarët, çfarë vendimesh marrin dhe pse”, tha Mickoski.

Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut përbëhet nga 15 anëtarë.

Përzgjedhja e tyre bëhet në disa mënyra: tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi me shumicë votash, dy të tjerë propozohen nga presidenti i shtetit dhe miratohen nga Kuvendi, ku njëri duhet të jetë përfaqësues i komuniteteve më të vogla etnike, dhe tetë të tjerë zgjidhen nga gjykatësit në zgjedhje të drejtpërdrejta.

Ndërkaq, dy anëtarët e tjerë, kryetari i Gjykatës së Lartë dhe ministri i Drejtësisë, mund të marrin pjesë në seanca, por nuk kanë të drejtë vote.

 

 

 

 

 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklarata e ministres serbe për spastrimin etnik në Kosovë, reagon Hoxha: E papranueshme dhe fyese për viktimat

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar në platformën X ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale,...
14:42 | 14/07/2026

Përplasjet në Zvërnec, Apeli ndryshon masën e sigurisë për njërin prej rojeve të arrestuarve

Gjykata e Apelit e juridiksionit të përgjithshëm ka ndryshuar masën e sigurisë për njërin prej rojeve private të arrestuar për dhunën e ushtruar gjatë përplasjes...
14:30 | 14/07/2026

Efekti Haaland në Peru, qindra foshnja pagëzohen me emrin e sulmuesit norvegjez

Kupa e Botës FIFA 2026 po lë gjurmë jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në regjistrat civilë. Në Peru është shënuar një rritje...
13:56 | 14/07/2026