Mungesa e ujit, sfidë e përditshme për familjet në Bestrovë
Fshati Bestrovë ndodhet vetëm 5 kilometra larg hyrjes së qytetit të Vlorës dhe, në shumë vende të botës, do të konsiderohej lehtësisht një lagje periferike e qytetit. Megjithatë, pavarësisht afërsisë me zonën urbane, investimet në infrastrukturë gjatë viteve të fundit kanë qenë minimale.
Bestrova është një nga fshatrat e paktë në zonën e Vlorës që ende nuk disponon rrjet furnizimi me ujë të pijshëm dhe sistem të kanalizimeve, duke e bërë jetesën e banorëve më të vështirë, sidomos gjatë stinës së verës.
Banorët tregojnë se mungesa e ujit është një problem i hershëm që i ka shoqëruar ndër vite. Që prej periudhës së tranzicionit dhe edhe më herët, ata janë detyruar të hapin puse për të përmbushur nevojat familjare, ndërsa ujin e pijshëm e sigurojnë duke e blerë ose duke udhëtuar drejt qytetit të Vlorës, me kosto shtesë për karburant dhe transport.
Sipas tyre, kërkesat drejtuar institucioneve përgjegjëse kanë qenë të vazhdueshme, por pa marrë zgjidhje konkrete.
“Të paktën një herë në 10 vjet na vjen ujë. Që nga vitet ’90 kjo situatë është dhe nuk kemi më ujë të rregullt. Blejmë ujë në Vlorë, kemi hapur puse dhe na vjen edhe boti këtu. Ja dalim vetëm me puse. Kur s’ka ujë, si do paguajmë?”, thotë një burrë.
“Nuk kemi ujë. Ja sot harrova t’i thosha djalit të blejë ujë për të pirë. Për të gatuar na vjen boti, ndërsa për nevoja të tjera përdorim ujin e puseve. Është shumë e vështirë, kemi shumë vite që bredhim me bidonë. Na thonë se do vijë uji, kam bërë edhe një depo pritëse, por ujë nuk ka”, tregon një grua.
Mungesa e ujit të pijshëm nuk prek vetëm banorët e Bestrovës, por edhe komunitetet e fshatrave përreth si Bunavi, Kërkovë, Panaja dhe Oshtimë, të cilët përballen me të njëjtën situatë infrastrukturore.
Shqipëria i përgjigjet thirrjes së OBSH për eleminimin e Hepatiteve B dhe C
Zbulimi i ri: ADN-ja ndikon në mënyrën si zhvillohet kanceri
Ndërron jetë në moshën 54-vjeçare akademiku dhe trajneri, Artan Pogoni
- 19:13 Trump pret në Shtëpinë e Bardhë edhe kryeministrin izraelit: Takimet ishin pozitive dhe produktive
- 19:06 Shqipëria i përgjigjet thirrjes së OBSH për eleminimin e Hepatiteve B dhe C
- 18:50 Zbulimi i ri: ADN-ja ndikon në mënyrën si zhvillohet kanceri
- 18:48 E rëndë! Zbulohen trupat e 5 foshnjave në kuti kartoni brenda një apartamenti në Francë
- 18:43 Raporti i ECDC-së: Hepatiti viral, alarm në Europë – rreth 5 milionë persona të infektuar
- 18:39 Infrastruktura në Durrës në mëshirë të fatit, rruga drejt Universitetit “Aleksandër Moisiu” kthehet në burim aksidentesh