Ndeshja me Letoninë, policia plan masash: Akset rrugore që do të bllokohen në Tiranë
Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë përpara, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Letonisë, që zhvillohet këtë të martë në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë.
Sipas njoftimi zyrtar plani përfshin shoqërimin e ekipeve kombëtare, kontrolle të detajuara në stadium, masa për menaxhimin e trafikut, ndalime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore të kryeqytetit dhe ndarje të dedikuara parkimi për tifozët vendas dhe ata që vijnë nga rrethet.
Hyrja e tifozëve në stadium do të jetë e lejuar që nga ora 18:00, ndërkohë që qytetarët këshillohen të mos publikojnë në rrjete sociale biletat, për të shmangur abuzimet apo falsifikimet e mundshme.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, gjatë datës 9 shtator 2025, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, konkretisht:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”, rruga “Papa Gjon Pali i II”, rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi, rruga “Faik Konica” dhe rruga “Skerdilajd Llagami”.
Konkretisht, në planin e masave parashikohen:
“Shoqërimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Letonisë, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;
-Shoqërimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium;
-Kryerja e kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë piroteknike, para se të futen tifozët;
-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por dhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;
-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.
Parkimi i autobusëve me tifozë vendas që vijnë nga Korça dhe Elbasani, do të bëhet në parkingun e lokal “Kalvin”, ndërsa autoveturat te terminali pranë qytetit “Studenti”.
Parkimi i autobusëve që vijnë nga veriu dhe jugu, do të bëhet në parkimin “Terminali i përpunimit të automjeteve” pranë mbikalimit të Kamzës, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, në parkingun nëntokësor në sheshin “Skënderbej”, si dhe në parkingun nëntokësor në “Bulevardin e Ri”, te ish stacioni i trenit.
Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta.
Gjithashtu, apelojmë për qytetarët që të mos ngrenë dronë në perimetrin e sigurisë (përreth stadiumit “Arena Kombëtare”), sepse do të rrëzohen, pasi Policia e Shtetit do të përdorë pajisje anti-dronë.
Me këtë rast, informojmë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Njoftojmë tifozët se hyrja në stadium fillon në orën 18:00.
Gjithashtu, apelojmë për ta dhe për sportdashësit që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin. Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas radhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar”. thuhet në njoftim.
LEXONI GJITHASHTU:
Strazimiri përplaset me Lëvizjen Bashkë për protestën: 70% e qytetarëve ishin demokratë
Mes tensionesh dhe sharjesh transportohet drejt Traumës autori i vrasjes së policit në Maliq (VIDEO)
Pëllumb Gjoka flet për herë të parë për akuzat në “Metamorfoza”: Po gjykohem mbi thashetheme
- 11:55 Strazimiri përplaset me Lëvizjen Bashkë për protestën: 70% e qytetarëve ishin demokratë
- 11:49 Mes tensionesh dhe sharjesh transportohet drejt Traumës autori i vrasjes së policit në Maliq (VIDEO)
- 11:38 Pëllumb Gjoka flet për herë të parë për akuzat në “Metamorfoza”: Po gjykohem mbi thashetheme
- 11:36 Balla-Berishës: Kemi ne antimitig, ne kemi një ditëlindje, projekti i Zvërnecit do të bëhet
- 11:30 Detaje nga vrasja e efektivit në Maliq, autori gjakftohtë, nuk shfaqi asnjë pendesë pas arrestimit
- 11:22 Efektivi tek Trauma, niset dhe autori me ambulancë, si paraqitet gjendja e dy të plagosurve