Në Kosovë fillon të jepet terapia për parandalimin e infeksionit nga virusi HIV
Nga kjo javë, në Kosovë ka nisur të jepet terapia për parandalimin e infeksionit para ekspozimit ndaj virusit HIV, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Murat Mehmeti, shef i repartit për sëmundje seksualisht të transmetueshme në Klinikën Infektive në Prishtinë.
Virusi HIV e dëmton sistemin imunitar të personit të prekur, duke e lënë atë të ekspozuar ndaj infeksioneve të rënda.
Virusi mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar.
Terapia “PrEP” (profilaksia para ekspozimit) është medikament, i cili përdoret te njerëz që janë HIV negativ, për të zvogëluar rrezikun e marrjes së virusit.
Sipas Mehmetit, terapia në formë të tabletave, fillimisht do t’u jepet personave LGBTI+, por edhe të tjerëve që e kanë partnerin pozitiv me HIV, ose kanë nevojë për të.
Sigurimi i kësaj terapie ka qenë një projekt i përbashkët i institucioneve të Kosovës, Fondit Global (Global Fund) dhe Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Sociale nga Prishtina, tha Mehmeti.
Organizata ndërkombëtare financiare, Fondi Global, me fokus në parandalimin si dhe trajtimin e të sëmurëve me HIV/AIDS, i ka siguruar barna për dy vjet. Pas kësaj periudhe, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës do ta marrë përsipër sigurimin e tyre, shpjegoi ai.
Terapia në formë tabletash me paketim 30 copë, do të mund të merret në barnatoren e Klinikës Infektive, pas konsultimeve me mjekun.
Agron Nuhiu, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Sociale, tha për Radion Evropa e Lirë se në këtë projekt është punuar prej vitit 2016.
Kosova, sipas Nuhiut, është shteti i dytë në rajon që e ofron këtë terapi falas, pas Maqedonisë së Veriut, shkruan REL.
Në vitin 2022 në Kosovë ishin shënuar 17 raste të reja me HIV/AIDS – shifër që paraqiti dyfishim rastesh në krahasim me vitin 2021, kur ishin regjistruar tetë të tilla.
LEXONI GJITHASHTU:
Moti i keq godet Kosovën, humb jetën 61-vjeçari pasi rrëshqiti në ballkonin e shtëpisë! Plagosen 2 të tjerë
Gjakova gjallërohet nga muzika dhe kultura, nis festivali “Ditët e Shqiptarëve”
BE reagon me shqetësim për largimin e prokurorëve serbë nga sistemi i drejtësisë në Kosovë
- 22:29 “Shkodra pret më shumë turistë këtë vit”, gazetari: Rritje deri në 25% e vizitorëve
- 22:12 “Himara thyen pritshmëritë turistike”, kryebashkiaku Tavo: Fluksi i vizitorëve është rritur me 30% krahasuar me vitin e kaluar
- 22:02 Turizmi në Vlorë, gazetari: Protestat nuk ndikuan te pushuesit, Sazani dhe Karaburuni vijojnë me fluks
- 21:57 Eksperti i ekonomisë: Numri i turistëve mbetet pozitiv, sfida kryesore janë kostot e larta
- 21:44 Stuhia e papritur godet Vlorën, pushuesit largohen me nxitim nga plazhi (VIDEO)
- 21:04 Moti i keq godet Kosovën, humb jetën 61-vjeçari pasi rrëshqiti në ballkonin e shtëpisë! Plagosen 2 të tjerë