Nënsekretarja amerikane e Shtetit takohet me Vuçiç në Beograd

15 Maj 2024 | 15:14

Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Çështje dhe Diplomaci Publike, Liz Allen, u takua të mërkurën në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me të cilin bisedoi për një sërë çështjesh, përfshirë për Kosovën, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit (DASH).

DASH tha se ata biseduan për “çështjet globale” dhe për përparimin e Serbisë drejt integrimit në Bashkim Evropian, përfshirë përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

“Allen nënvizoi rëndësinë e përparimit të vazhdueshëm drejt normalizimit të marrëveshjeve me Kosovën përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, thuhet në njoftim.

Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

BE-ja ka thënë se, megjithëse marrëveshjet janë ligjërisht të detyrueshme, palët nuk janë duke i zbatuar ato.

Në lidhje me planin 6 miliardë eurosh që iu referua Allen, BE-ja ka thënë se për Kosovën dhe Serbinë, parakusht për të përfituar pagesa nga kjo paketë është angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.

Presidenti serb Vuçiç, ndërkohë, gjatë takimit i ka kërkuar Allenit që SHBA-ja ta rrisë angazhimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Unë theksova presionet me të cilat përballet Serbia dhe serbët dhe kërkova nga SHBA që të rrisë angazhimin dhe ta përdorë ndikimin e saj për të ruajtur stabilitetin e rajonit dhe për të krijuar parakushte për bashkëpunim të sinqertë dhe përparim konkret”, shkroi Vuçiç në Instagram më 15 maj.

SHBA-ja e ka mbështetur dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë dhe u ka bërë thirrje palëve vazhdimisht t’i zbatojë marrëveshjet e arritura nga to.

Ndërkohë, sipas njoftimit, Allen e nënvizoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm “për ta luftuar kërcënimin ndaj stabilitetit evropian dhe rajonal, siç është agresioni i Rusisë kundër Ukrainës dhe përpjekjet e Kremlinit për të përhapur dezinformata”.

Serbia, megjithëse kandidate për anëtarësim në BE, nuk e ka përshtatur politikën e vet të jashtme me atë të Brukselit, duke mos vendosur sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës fqinje.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklarata e ministres serbe për spastrimin etnik në Kosovë, reagon Hoxha: E papranueshme dhe fyese për viktimat

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar në platformën X ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale,...
14:42 | 14/07/2026

Përplasjet në Zvërnec, Apeli ndryshon masën e sigurisë për njërin prej rojeve të arrestuarve

Gjykata e Apelit e juridiksionit të përgjithshëm ka ndryshuar masën e sigurisë për njërin prej rojeve private të arrestuar për dhunën e ushtruar gjatë përplasjes...
14:30 | 14/07/2026

Efekti Haaland në Peru, qindra foshnja pagëzohen me emrin e sulmuesit norvegjez

Kupa e Botës FIFA 2026 po lë gjurmë jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në regjistrat civilë. Në Peru është shënuar një rritje...
13:56 | 14/07/2026